Energjetika bullgare prapë është në qendrën e vëmendjes së forcave politike, organizatave profesionale, mediave dhe opinionit shoqëror. Kryeministri Bojko Borisov është kundër “Marrëveshjes së Gjelbër” të BE-së dhe është për ruajtjen e centraleve të qymyrgurit për afat maksimal. Punëdhënësit janë kundër ndihmës financiare shtetërore për termocentralet shtetërore, bashkimet profesionale janë kundër kërkesave të punëdhënësve dhe mbrojnë interesat sociale të punëtorëve në ato centrale dhe në minierat e qymyrgurit. Është e qartë se herët ose vonë centralet që punojnë me qymyrgur do të mbyllen dhe kjo do të kushtojë shtrenjtë. Kohët e fundit BE-ja u bëri apel disa vendeve, ndër të cilat Bullgaria, Franca dhe Gjermania, të paraqesin sa më parë planet e tyre për zvogëlimin e gazeve me efekt serrë deri në vitin 2030. Bullgaria është e treta në BE për emetimet e dëmshme të dioksidit të karbonit. Vetëm gjatë vitit 2017 gjeneroi më se 278 milion tonë nga gazet serrë nga prodhimi i energjisë ngrohëse.
Në fillim të shkurtit të këtij viti kryeministri Bojko Borisov në një takim me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha, se “Marrëveshja e Gjelbër” për Bullgarinë është një “problem i madh”. Lidhur me këtë zoti Borisov shtoi, se “gjatë 10 viteve të ardhshme duhet të punohet shumë. Brenda 10-15 viteve duhet të gjenden mekanizma të cilat të zëvendësojnë qymyrgurin ose teknologji e cila të mos ndotë ambientin rrethues.” Rreth 40 për qind nga energjia elektrike në vend prodhohet nga termocentrale që punojnë me qymyrgur. Gjatë dimrit ata sigurojnë deri në 60 për qind të energjisë ngrohëse. Bashkë me minierat e linjitit u sigurojnë punë 30 mijë banorëve në rajonin e Kompleksit Industrial “Marica-Iztok” në Bullgarinë Juglindore. Kështu që mbyllja e tyre do të provokojë jo vetëm krizë energjetike, por edhe sociale. Është e qartë se kompleksi e ndot atmosferën me emetimet e karbonit, megjithëqë Bullgaria është shteti i dytë në mbarë BE-në për nga ulja e emetimeve të karbonit, të cilat në vitin 2018 u zvogëluan me 8.1 për qind. Pasi centralet me qymyrgur ishin kërcënuar nga mbyllja parlamenti miratoi vendim me të cilin e detyroi qeverinë të bëjë çmos për të shpëtuar centralin shtetëror elektrik “Marica-Iztok 2”. Ky hap u ndërmor megjithëqë dihet se ky central ka borxhe për më se 800 milion euro dhe se e ardhmja e tij është e paqartë si në plan ekologjik, ashtu edhe në të financiar. Ky vendim është në kundërshtim të “Marrëveshjes së Gjelbër” dhe nuk u mirëprit nga organizatat e punëdhënësve, të cilat e konsideruan këtë si ndihmë e paligjshme shtetërore dhe kërcënim për konkurrencës së lirë. Shoqatat e biznesit kërkuan dorëheqje në udhëheqjen e Holdingut Energjetik Bullgar, të Termocentralit “Marica-Iztok 2” dhe të bursës energjetike.
Energjia elektrike për industrinë në Bullgari është më e shtrenjtë në të gjithë Evropën dhe sipërmarrësit shprehin pakënaqësi se çmimet e energjisë elektrike për industrinë janë me 20 deri në 50 për qind më të larta se sa ato në vendet e konkurruesve të tyre evropianë. Kjo i detyrohet menaxhimit të keq dhe korrupsionit në energjetikë, theksohet në një deklaratë të katër organizatave të biznesit. Mirëpo, sindikatat e përkrahën politikën shtetërore për ruajtjen e termocentralit “Marica-Iztok 2” dhe akuzuan biznesin në paraqitjen e gabuar të çmimeve dhe fakteve në energjetikë. Në një takim special të Asociacionit të Organizatave të Punëdhënësve në Bullgari me ministren e energjetikës Temenuzhka Petkova u arrit marrëveshje për liberalizim të plotë të tregut të energjisë elektrike në vend dhe për ndryshime legjislative.
Bullgaria radhitet në vendin e katërt në BE për nga prodhimi i energjisë elektrike nga qymyrguri. Para saj janë Polonia, Çekia dhe Greqia. “Pa termocentralet që punojnë me qymyrgur sistemi energjetik i vendit nuk mund të funksionojë në mënyrë normale. Kemi deklaruar para Komisionit Evropian se deri në vitin 2030 ato centrale do të jenë kapaciteti kryesor bazë i vendit”, theksoi ministrja Petkova. Ajo nguli këmbë që kalimi nga centralet e qymyrgurit te burime ekologjike dhe të pastra të energjisë të jetë i ngadaltë dhe të mos shkelë sigurinë energjetike të vendit.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Përfundoi pa konsensus mbledhja e sotme e Këshillit Kombëtar për Bashkëpunim Trepalësh, në të cilin u diskutua një projekt-dekret i qeverisë për rritjen e pagës minimale nga 933 leva /477,04 euro/ në 1077 leva /550,66 euro/ nga 1 janari 2025...
Terminali i gazit të lëngshëm natyror në Aleksandrupolis, në të cilin Bullgaria është bashkë-aksionare, tashmë kontribuon në konkurrencën jo vetëm të Greqisë dhe Bullgarisë, por edhe të të gjithë rajonit. Kështu tha ministri në detyrë i energjetikës,..
Ka filluar modernizimi i bazës prodhuese të ndërmarrjes së vetme shtetërore të përpunimit të qumështit “LB Bulgaricum” në Vidin, siç ishte premtuar nga pushtetarët. Renovimi i bazës prodhuese do të kryhet në faza, njoftoi Ministria e Ekonomisë. Në..
Pas publikimit në "Financial Times" se kompania ruse "Lukoil" po përgatitet t'i shesë rafinerinë në Burgas të Bullgarisë një konsorciumi kataro-britanik deri..