Qeverisje e qëndrueshme apo zgjedhje të shpeshta në të ardhmen e parashikueshme - kjo dilemë, e cila u ngrit pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, së shpejti do të gjejë zgjidhjen e saj. Ndërkohë, prof. Biser Georgiev nga Universiteti i Shumenit "Peshkopi Konstantin Presllavski" na kthen në vitet e pasçlirimit, duke ndjekur mënyrën se si qeveritë me afate të shkurtra kanë ndikuar në planin shoqëror dhe ekonomik të vendit tonë.
"Ka disa momente të rëndësishme në të cilat shfaqen qeveritë е përkohshme me një shumicë të pasigurt dhe të përbërë nga shumë parti," tha para BNR-Shumen historiani. - Zakonisht këto qeveri formohen në vitet më kritike, në aspektin politik, të zhvillimit të shoqërisë sonë. Këto janë kohërat kur ka një kataklizëm, një krizë ose një ndryshim të përgjithshëm. Një shembull i kësaj është i ashtuquajturi grusht shteti i princit të parë bullgar Aleksandër I Batenberg, i cili më 27 prill 1881 rrëzoi Kuvendin Popullor të zgjedhur ligjërisht, dhe qeverinë e liberalëve. Në vendin tonë u formua një qeveri jo vetëm me pjesëmarrje ruse, por me Kryeministër gjen. Casimir Ehrnrooth (oficer dhe administrator finlandez i dërguar për të punuar në Perandorinë Ruse). Ky kabinet ka qeverisur vetëm për disa muaj dhe ilustron një nga ndryshimet dramatike në shoqërinë bullgare."
Të ngjashme në plan politik janë edhe qeveritë e formuara pas rrëzimit me forcë të Princit Aleksandër Batenberg I në vitin 1886.
Ato janë drejtuar nga Mitropoliti Klementi nga Partia Konservatore dhe nga politikani liberal Petko Karavellov. Statistikat historike tregojnë se këto janë qeveritë të cilat e kanë drejtuar Bullgarinë për periudhën më të shkurtër. E para ka ekzistuar zyrtarisht për 3 ditë, nga 9 deri më 12 gusht 1886, dhe e dyta – e Petko Karavellovit ka pasur një jetë 4 ditore - nga 12 deri më 16 gusht, të njëjtin vit. Ditët e pakta të jetës së qeverive nuk janë kurioziteti i vetëm - disa nga ministrat nuk kanë arritur të mbërrijnë në kryeqytet, ndërsa disa të tjerë madje nuk kanë kuptuar për emërimin e vet.
Një shembull i qeverisjes afatshkurtër në kohë krizash është gjithashtu qeveria e dytë e Todor Ivançovit, e emëruar në vitin 1900 me dekret të Princit Ferdinand, e cila zgjati më pak se dy muaj. Kryeministri i sapozgjedhur ka qeverisur në emër të Partisë Liberale, megjithëse ajo është drejtuar nga Vasill Radosllavov – për shkak të përpjekjeve të Princit për të përçarë organizatën politike. "Në kohën për të cilën po flasim, Bullgaria, me përpjekje të mëdha dhe duke ndërruar disa qeveri të përkohshme, ka arritur të marrë një hua të jashtme dhe të shmangë falimentimin – falimentim ky që Greqia nuk arriti ta shmangte disa vjet më parë," shtoi profesori. Situata ka qenë aq kritike saqë një prej qeverive nuk ka qenë në gjendje të paguajë pagat e zyrtarëve të saj.
"Qeveritë kalimtare zakonisht shkaktojnë ngecje ekonomike," tha Biser Georgiev. - Kataklizma të tilla ndodhin pikërisht në periudhat historike në të cilat keqkuptimet midis politikanëve të veçantë çojnë në një kthim shumë serioz ekonomik. Sidoqoftë, nuk është e nevojshme të shkohet në zgjedhje të reja. Zakonisht ky është një vendim i keq, sepse harxhohen shumë mjete nga njerëzit që nuk varen nga Parlamenti."
Në momente të vështira historike partitë harrojnë paragjykimet e tyre politike dhe bashkohen rreth qëllimit të madh për prosperitet të kombit, na kujton historiani përvojën e së kaluarës. Kështu, pas tërheqjes së Bullgarisë nga Lufta e Parë Botërore, organizata politike me pikëpamje të ndryshme formuan dy qeveri të koalicionit. Njëra - e Aleksandër Malinovit, zgjati tre muaj menjëherë pas luftës, dhe tjera - e Teodor Teodorovit, qëndroi në pushtet për gati një vit dhe arriti të kapërcejë situatën më të vështirë për vendin tonë, kur madje nuk ka pasur ushqim të mjaftueshëm për popullsinë.
Përpiloi: Diana Cankova (sipas intervistës së Zdravka Rusevës, BNR – Shumen)
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Në vitin 1847, në familjen e Hristo Ivanov Bankovit - një njeri i urtë nga një familje e vjetër dhe mjeshtër i të ashtuquajturave “eminii” (pantofla), në një nga mëhallët e qytetit të Gabrovos (Bullgaria Qendore) lindi djali i dytë i Hristos...
Muzeu Historik Rajonal në Razgrad më 30 tetor në lidhje me mbylljen e sezonit turistik organizon një xhiro falas në Rezervatin Arkeologjik "Abritus". Gjatë gjithë ditës, ata që dëshirojnë të eksplorojnë Abritusin e lashtë do të shoqërohen dhe do të..
Më 26 tetor, Kisha jonë nderon kujtimin e Shën Dëshmorit të Madh Dhimitri të Selanikut, i konsideruar si një nga shenjtorët më të mëdhenj të Ortodoksisë. Në vendin tonë emri i tij lidhet edhe me rivendosjen e Mbretërisë së Dytë Bullgare në shekullin..
Statuja e parë prej mermeri e zbuluar më 3 korrik në qytetin antik Heraklea Sinthika është ndoshta e nipit të perandorit romak Oktavian Avgust - Lucij,..