Bullgaria është i vetmi vend i BE-së që u përfshi në renditjen e forumit ndërkombëtar “Gelato World Heritage” në Romë, i organizuar për të tretën herë nga Shoqata Italiane e Mjeshtërve të Akulloreve (Associazione Italiana Gelatieri). Në përzgjedhjen prestigjioze të shijeve të reja spikati akullorja me kos bullgar, e prodhuar në një biofermë pranë fshatit piktoresk malor Rozino. Produkti ynë fitoi një çmim special nga Akademia për gelato-n e zanatçinjve “L'Accademia del Gelato Artigianale Alberto Pica”, i quajtur pas "Mbretit të Gelato-s".
Garuesit u ftuan të prezantojnë akullore me përbërës tradicionalë vendas dhe të prezantojnë vendin e tyre. “Çmimi na u dha pas disa muajsh monitorim të aktiviteteve tona. Ai jepet për paraqitjen tonë të përgjithshme, si dhe për transparencën e punës në lidhje me teknologjinë dhe përbërësit e përdorur në akullore”, tha Mirella Janakieva – Menaxhere e Zhvillimit të Biznesit të fermës organike dhe shtoi:
“Përparësia jonë më e madhe është se lëndët e para të qumështit për akulloren i prodhojmë vetë. Ne kemi një fermë organike, nga e cila përdorim jo vetëm produktet, por edhe vetë lëndën e parë. Meqenëse nuk mund të mos e prezantojmë Bullgarinë me kosin tradicional, ne zgjodhëm kosin e buallit, të prodhuar nga ne, si dhe kosin me boronicën e egër."
Për përgatitjen e kosit të buallit në fjalë është përdorur teknologjia tradicionale bullgare në bazë të fermentimit me Lactobacillus Bulgaricus unik, me veti të padiskutueshme shëndetësore dhe kuruese. Akullorja nga fshati Rozino shkaktoi një interes shumë të madh jo vetëm për shijen e saj, por edhe për vizionin dhe... mesazhin e saj. “Nuk është rastësi që akullores i kemi shtuar boronica të egra”, shpjegon Mirella Janakieva.
“Ajo është mbledhur pranë një rruge të vjetër romake pranë fermës. Në të ka kaluar sundimtari i hunëve Attila duke udhëtuar për në Romë për ta pushtuar atë. Kështu qe ne futëm simbolikën në produktin tonë, duke paraqitur lidhjen e lashtë historike midis Italisë dhe Bullgarisë. Prandaj e emërtuam shijen e gelato-s “Attila”. Që të duket edhe më e mirë e mbuluam me çokollatë të bardhë, të cilën e ngjyrosëm jeshile me produkte natyrale, duke paraqitur kështu biodiversitetin tipik të fermës sonë dhe të gjithë rajonit.”
Përveç përpjekjes për të riprodhuar ngjyrat e flamurit trengjyrësh kombëtar bullgar, autorët e akullores me shije “Attila” dërgojnë një mesazh serioz: “Duam që njerëzit të mendojnë se çfarë thesaresh u lënë brezave të rinj. A do të mund të shijojnë këta breza qumështin e buallit nga buallicat e lumtura dhe të provojnë boronica të egra të vërteta?”, thotë Mirella Janakieva.
70 buallica të gëzuara, përfaqësuese të denja të racës bullgare Murrah, kullosin lirisht në biofermën pranë fshatit Rozino. Ato shoqërohen nga 70 lopë Jersey, të cilat prodhojnë më pak qumësht, por me shumë yndyrë. Dhe për shkak se ferma ndodhet në zemër të Luginës së Trëndafilit, atje rritet trëndafili i famshëm vajdhënës bullgar Damascena. Dy vjet më parë, teknologët e saj tërhoqën interesin e të huajve me gelato-n e tyre bazuar në trëndafilin bullgar. “Kemi marrë shumë pyetje, veçanërisht nga italianët, për recetat dhe teknologjitë tona dhe kështu arritëm ta impononim trëndafilin bullgar në një formë tjetër” – nuk e fsheh krenarinë e saj Mirella Janakieva.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Fotografitë janë dorëzuar nga bioferma
Përshpejtim të inflacionit në 1.1% në tetor krahasuar me një muaj më parë, regjistroi Instituti Kombëtar i Statistikave. Në bazë vjetore, indeksi është 1.8 për qind. Në tetor, çmimet e mallrave dhe shërbimeve për argëtim dhe kulturë janë rritur me 8,6%, për..
Ekonomia bullgare u rrit me 2,2% në tremujorin e tretë të vitit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023, sipas vlerësimit ekspres të Institutit Kombëtar të Statistikave. Konsumi final shënoi rritje prej 4.6%, importet e mallrave dhe shërbimeve u..
Konfederata e Punës “PODKREPA” kritikoi ashpër projekt-amendamentet në Kodin e Punës të përgatitur nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, sipas të cilave rritja e pagës minimale lidhet vetëm me inflacionin. Në një deklaratë të përhapur, sindikata..
Nuk bëhet fjalë për përfundimin e tranzitit të gazit natyror nga Rusia përmes Bullgarisë. Kështu shkruan agjencia shtetërore ruse TASS, pasi ministri bullgar..