Viti nuk solli përparim në marrëdhëniet midis Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut. Shkupi nuk ka nisur bisedimet për anëtarësim në BE. Martin Minkov, një korrespondent për një kohë të gjatë i Radios Kombëtare Bullgare në Shkup, dhe kolumnisti i njohur maqedonas Erol Rizaov komentuan para Radio Bullgarisë drejtimin e marrëdhënieve dypalëshe gjatë vitit të kaluar:
Martin Minkov: “Nuk ka lëvizje nga vijat e kuqe në të dyja anët. E jona bazohet në opinionin e Kuvendit Popullor të Bullgarisë nga viti 2019, në bazë të të cilit vendi ynë nuk miratoi fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE. Vetoja bullgare, natyrisht, nuk është përfundimtare dhe do të hiqet kur të shohim elemente të afrimit të pozitave dhe të gjetjes së një kompromisi të bazuar në vullnetin e mirë”.
Erol Rizaov: “Faktori “kohë” në Ballkan është shumë i nënvlerësuar. Por në këtë rast Maqedonia është humbësi më i madh, sepse ne jemi një vend që dëshiron të anëtarësohet në BE. Ju e dini për negociatat e gjata që kishim me Greqinë për 20 vjet. Ato përfunduan kur nga të dyja palët kishte njerëz që nuk kishin asnjë lidhje me përplasjen historike. E njëjta situatë është edhe tani me Bullgarinë. Por ditët e fundit po krijohet një atmosferë dhe mund të presim ndonjë përparim”.
Bullgaria insiston për zbatimin e Traktatit të Miqësisë dhe Fqinjësisë së Mirë të vitit 2017. Ai bazohet në Deklaratën e Miqësisë të vitit 1999, me të cilën Bullgaria e njeh si zyrtare gjuhën e shkruar në kushtetutën maqedonase. Përveç takimeve të pafrytshme të Komisionit të Përbashkët për Çështjet Historike, mbetën pa zhvillim edhe të gjitha marrëdhëniet e tjera dypalëshe të dakorduara. Nuk është hequr as gjuha e urrejtjes nga pala maqedonase ndaj Bullgarisë dhe bullgarëve.
Erol Rizaov: “Marrëveshja e nënshkruar mes Bullgarisë dhe Maqedonisë është e mirë. Por ky traktat duhej të zbatohej ngadalë, në vend që t'u jepej përparësi çështjeve historike. Të gjitha vendet e Ballkanit, përfshirë Evropën, duan një të kaluar më të lavdishme, por ajo nuk ekziston gjithmonë. Le ta lëmë pak mënjanë historinë, derisa i përmirësojmë marrëdhëniet tona dhe të ketë pak besim midis nesh.”
Martin Minkov: “Që nga momenti i njohjes së Republikës së Maqedonisë si shtet i pavarur dhe sovran deri në vitin 2019, ne silleshim me një besim të madh ndaj këtij vendi. Prisnim një evolucion në qëndrimin e shoqërisë maqedonase ndaj Bullgarisë. Kjo nuk ndodhi, sepse Maqedonia e Veriut nuk u nda në asnjë mënyrë me ideologjitë e maqedonizmit. Kjo është një ideologji e bazuar tërësisht në antibullgarizmin, e cila e gjen identitetin e këtij kombi të ri, komb ky të cilin ne nuk e mohojmë.”
Erol Rizaov: “Ideja është që të bëhet një gjest, një hap për të nisur negociatat me BE-në dhe pas kësaj ato mund të zgjasin 10-20 vjet. Unë mendoj se me futjen e çështjeve dypalëshe në negociata, Ballkani Perëndimor nuk do të anëtarësohet në BE. Nëse duam një Ballkan stabil, është veçanërisht e rëndësishme që Bullgaria të arrijë një iniciativë të ndryshme me Maqedoninë. Ajo që po bëhej ishte e gabuar - në vend që të shohim se çfarë na afron, ne u nisëm nga dallimet.”
Martin Minkov: “Historia është ajo që është, bazohet në fakte. Gabimi i bërë nga të dyja palët është ngarkimi i këtij komisioni me pritshmëri politike. Problemi është qasja diametralisht e kundërt e shkencëtarëve nga të dy vendet. Pala bullgare i përmbahet maksimës - faktet janë të shenjta, komentet janë të lira. Pala maqedonase kërkon liri absolute të interpretimit të historisë, pavarësisht nga faktet.”
Fundi i vitit u shënua nga një aksident tragjik me një autobus maqedonas, i cili mori flakë dhe u dogj në autostradën “ Struma” të Bullgarisë.45 persona vdiqën.A nuk tregon kjo se sa urgjente është ndërtimi i Korridorit Nr. 8 Evropian të Transportit?
Martin Minkov: “Desha të shpjegoj se tragjedia nuk u shfrytëzua politikisht. Herët a vonë do të ndërtohet një rrugë normale, por nuk ka vullnet politik në asnjë qeveri maqedonase për ndërtimin e Korridorit Nr.8.”
Erol Rizaov: “Dikush në Bullgari me zgjuarsi sugjeroi që të ndërtohet një autostradë me emrin “Goce Dellçev” (heroi për të cilin, megjithëse e ka deklaruar veten bullgar, Shkupi pretendon se është maqedonas). Marrëveshja e nënshkruar mes Bullgarisë dhe Shkupit është e mirë dhe e parashikon pikërisht këtë.”
Çfarë të presim gjatë vitit 2022 nga kryeministrat e rinj në Sofje dhe Shkup?
Erol Rizaov: “Një komb nuk krijohet me vendime apo dekrete, por me procese historike. Fatkeqësisht, ne po i ngadalësojmë proceset historike. Një ditë Maqedonia e Veriut do të anëtarësohet në BE. Ndërkohë, koha e humbur, bllokimi i rrugëtimit të saj drejt BE-së, fjalët që po themi për momentin do të mbeten gjatë në kujtesën kolektive. A mendoni se kjo është e mirë?”
Martin Minkov: “Shpresoj për veprime shumë më pragmatike nga të dyja palët. Kryeministri Kirill Petkov u angazhua para “Financial Times” se Bullgaria do të propozojë një proces të ri me një afat kohor të kufizuar prej 6 muajsh. Por një gjë është e sigurt - Bullgaria do të insistojë që të hiqet gjuha e urrejtjes që helmon atmosferën shoqërore në Maqedoninë e Veriut sa i përket Bullgarisë.”
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Në Nju Jork, në kuadër të sesionit të vjeshtës të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ministri i jashtëm në detyrë Ivan Kondov u takua me ministrin për Evropën dhe punët e jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani. Ata kanë shprehur gatishmërinë për të..
Italia hap dy qendrat për emigrantët në Shqipëri Italia do të hapë në tetor të parën nga dy qendrat për emigrantët në territorin e Shqipërisë. Kështu ka bërë të ditur ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, raporton ANSA. Të dy vendet..
Komisionerja bullgare Ekaterina Zaharieva merr resorin "Start-ups, kërkimet shkencore dhe inovacionet" në Komisionin e ardhshëm Evropian. Për mediat, Ekaterina Zaharieva e përcaktoi resorin e saj si "portofoli i së ardhmes", dhe më pas refuzoi t'u..
Polemika në Kroaci për dërgimin e personelit ushtarak në misionin e NATO-s në mbështetje të Ukrainës Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i..