Transporti publik në kryeqytet është zakonisht në qendër të lajmeve që janë më tepër negative. Deri një dekadë më parë shkak ishin mjetet lëvizëse të amortizuara dhe ndotëse, pasagjerët e shumtë të parregullt, ndërsa sot është mungesa e fondeve për pagat e shoferëve dhe për mirëmbajtjen e mjeteve, çmimet e larta të karburantit dhe energjisë elektrike dhe rënia e numrit të pasagjerëve të shkaktuar nga pandemia Covid-19. Megjithatë, tema aktuale nuk do të fokusohet te problemet me këtë shërbim publik, por do të përpiqet të zbulojë detaje interesante të historisë së tij. Për ndihmë në këtë detyrë të vështirë, ne kërkuam një nga studiuesit e transportit urban, Darian Georgiev. Të dhënat e para për transportin, i quajtur tramvaj nga banorët e Sofjes, u shfaqën në fund të shekullit të 19-të. Në atë kohë, automjeti ishte i ashtuquajturi omnibus i kuajve, rruga e të cilit lidhte sheshin e sotëm “Shën e Diela” me stacioninhekurudhor, fshatin e athershëm Gorna Banja dhe lagjen Knjazhevo. Megjithatë, Darian e fillon historinë e tij nga momenti kur tramvaji tashmë po lëvizte në shina.
“Në vitin 1901, u zbuluan gjashtë linja. Tramvaji i parë lëvizte në qendër. Një rrugë ishte nga Stacioni Qendror për në Katedralen “Shën Mbret”, siç në shekullin e 19-të dhe në vitet e para të shekullit e 20-të ishte emri i Kishës së sotme të Mitropolisë “Shën e Diela”. Itinerari tjetër kalonte përgjatë rrugës qendrore “Tërgovska” që sot nuk ekziston, dhe në atë kohë strehonte dyqanet dhe zyrat më përfaqësuese në kryeqytet, ndërsa i treti shkonte pothuajse deri në stacionin e dytë më të madh dhe më të rëndësishëm hekurudhor në Sofje – Podujane” – tha njohësi në një intervistë për Radio Bullgarinë.
Në atë kohë kryeqyteti ynë nuk kishte strukturën e duhur administrative për të pasur kapacitetet për të menaxhuar këtë lloj transporti dhe rrjetin elektrik të qytetit. Prandaj, në vitin 1898 komuna nënshkroi një kontratë me një kompani franceze për mirëmbajtjen e ndriçimit dhe rrjetit dhe me një kompani belge për furnizimin e trenave.“Në fillim nuk u krijua kompani për transportin e tramvajeve në Sofje - vazhdon tregimin e tij udhërrëfyesi ynë në historinë e transportit publik në kryeqytet. – Qytetit i shërbente një kompani belge. Trenat e parë ishin belg me elektronikë të BBC-së. Trenat që mbërritën pak para Luftës së Parë Botërore ishin të markës “Zeppelin” dhe lëviznin përgjatë itinerarit për në lagjen Knjazhevo. Pas ndarjes sonë nga kompania belge, pasuan kontratat me kompani si “Siemens”, “Mann”, “Breda” dhe marka të tjera perëndimore. Tramvaji i parë bullgar doli nga uzina në vitin 1924 në formën e një rimorkioje, i ndërtuar nga ekipi i inxhinierit Teodosij Kardalev. Rimorkioja bazohej në trenat ekzistues “BBC”, të cilët gradualisht dilnin nga shfrytëzimi. Rimorkioja lidhej me trenat e markave të tjera që lëviznin në atë kohë.
Trenat e parë të tramvajit, të prodhuar tërësisht në Bullgari, u shfaqën në vitet 50- të të shekullit të kaluar, kur në itinerarin deri në lagjen Knjazhevo filloi të lëvizet tramvaji “Republika”i prodhuar posaçërisht për të. Zgjerimi i rrjetit të tramvajit dhe shfaqja e 10 linjave të reja në vitet 50-të bëri të nevojshme prodhimin e modeleve të tjera të mjeteve lëvizëse. Kështu u shfaqën trenat “Kozmonaut”, “Komsomolec”, “Bulgaria 1300” dhe “Sofja”.
Me siguri do të pyesni veten, që kur trolejbusët bëhen pjesëmarrës në trafikun nëpër rrugët e kryeqytetit? Darian e di përgjigjen dhe e ndan me një buzëqeshje:“Në vitin 1941 u vu në shfrytëzim linja e parë e trolejbusit, e cila lidhte lagjen Knjazhevo me Gorna Banja që në atë kohë ishte një fshat në afërsi të kryeqytetit. Gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, ky lloj transporti u ndal dhe në vitet 50-të rifilloi ndërtimi i linjave të trolejbusëve. Karakteristike për linjat e trolejbusëve është se fluksi në rritje i pasagjerëve, veçanërisht në lagjet jugore të Sofjes, kërkoi blerjen e shumë automjeteve të reja. Në fillim të viteve 60-të, Drejtoria e atëhershme e Transportit të Trolejbusit të Sofjes nënshkroi një kontratë me “Skoda” për furnizimin e disa qindra njësive të modelit “9 TR”. Këta trolejbusë u bënë më të përhapurit jo vetëm në Sofje, por në të gjithë Bullgarinë e asaj kohe.”
Përveçse është njohës i historisë së transportit urban, Darian Georgiev është gjithashtu një koleksionist i pasionuar i modeleve të tij plastike të zvogëluara, disa prej të cilave i bën vetë.Banorët dhe miqtë e kryeqytetit mund t’i shohin disa prej tyre në një ekspozitë të veçantë, e cila do të qëndrojë nën kupolën e Largos (mes godinave të Këshillit të Ministrave, Presidencës dhe Mapos Qendrore) deri më 23 qershor. Përveç modeleve të transportit elektrik të kryeqytetit, vizitorët mund të shohin edhe ndërthurjen e tyre të bukur me ambientin urban, të rikrijuar në pikturat e artistes Irina Ivanova.
Përgatiti në shqip: Svetllana DimitrovaFoto: sofiahistorymuseum.bg, arkiv personal, ncf.bg
Më 22 shtator 1908 u shpall Pavarësia e Bullgarisë. Pas aktit më të guximshëm të pavarur në historinë bullgare - Bashkimit të Rumelisë Lindore dhe Principatës së Bullgarisë, bullgarët demonstruan edhe një herë fuqinë e unitetit dhe besimin në forcat e..
Arkeologët bullgarë zbuluan një statujë të dytë në kanalin e madh të ujërave të zeza të qytetit antik Heraklea Sintika. Arkeologët nga ekipi i Prof. Dr. Ljudmill Vagalinski hasën në një tjetër skulpturë mermeri pranë vendit në kanal ku në..
Shenjtërorja trake e Begliktashit ndodhet 5 km nga qyteti i Primorsko dhe është vetëm një nga kuriozitetet interesante në rajon. Në zonën përreth shihen edhe dolmenë të shumtë të ruajtur mirë që lidhen me ritualet e varrimit të fiseve trake. Në fakt,..