Për disa ditë radhazi termometrat në vend kanë shënuar vlerat më të larta për vitin.Paralajmërim për mot të rrezikshëm të nxehtë me temperatura deri në 38 -39 gradë është lëshuar në 24 rajone të Bullgarisë. Dhe me vapën e verës rritet ndjeshëm edhe rreziku i zjarreve, të cilët pothuajse çdo vit shkatërrojnë masivë të mëdhenj pyjorë dhe shkaktojnë dëme të pariparueshme për natyrën. Mes bimësisë së thatë, zjarret përhapen shpejt, mbulojnë territore të mëdha dhe terrenet e vështira për t'u aksesuar vështirësojnë lëvizjen e pajisjeve zjarrfikëse dhe shuarjen e zjarrit.Për të shmangur të paktën disa nga shkaqet që çojnë në ndezjen e disa elementëve të zjarrtë, Ministri në dorëheqje i Bujqësisë Ivan Ivanov lëshoi një urdhër që ndalon ose kufizon, nga data 25 korrik deri më 7 gusht, të gjitha aktivitetet që lidhen me kositjen dhe pastrimin mekanik të sipërfaqeve me bar.
Pavarësisht ndalimeve dhe gjobave të ashpra për shkelësit, ka ende fermerë që djegin barin dhe kashtën e thatë pa marrë parasysh temperaturat e larta.Shumica e zjarreve ndodhin kryesisht nga pakujdesia, si për shembull rastet e fundit në rrethin e Vidinit /Bullgaria Veriperëndimore/, ku zjarri dogji koshere bletësh dhe objekte bujqësore, kurse në fshatin Izvorishte në rrethin e qytetit Burgas, zona e vilave jo për herë të parë është duke vuajtur nga zjarri.
“Kemi fikur zjarrin këtu deri në mëngjes, sepse pemët janë vazhdimisht në zjarr - tregon një banuese e fshatit.- Deri në mëngjes, deri në orën 08.00 isha vetëm me burrin tim. Ato digjen dhe marrin flakë, dhe prandaj jam ulur këtu tani që të thërras dikë për ndihmë, sepse kur rriten temperaturat, djegia fillon përsëri. Tashmë ka një zjarr në brendësi dhe vazhdojnë ta shuajnë.Mbledhin barin e thatë, i vënë flakën dhe largohen...dhe kështu ndodhin zjarret.Natyra po vdes, shtëpitë po digjen... njerëzit po vdesin.Dhe të gjitha këto për shkakun tonë, të njerëzve.”
Deri në fund të muajit temperaturat e larta mbi Bullgarinë do të vazhdojnë, ndërsa për shkak të thatësirës situata në rajonin e Plovdivit /pjesa qendrore e vendit/ është shumë e rrezikshme, paralajmërojnë punonjësit e Drejtorisë Rajonale të Sigurisë nga Zjarri dhe Mbrojtjes së Popullsisë në qytet. Vetëm për një javë - nga data 11 deri më 18 korrik, ekipe të njësive të zjarrfikësve kanë shuar më shumë se 150 zjarre në bar të thatë, djegie mbeturinash dhe zona pyjore.E njëjta situatë është edhe në rajonin e Stara Zagorës, ku në fund të ditës së diel, në lagjen rome “Lozenec”, dy familje me fëmijë kanë mbetur pa çati për shkak të një zjarri të madh. Gjatë ditëve të pushimit përsëri aty për shkak të vapës së madhe, 120 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Urgjencën e Spitalit Universitar në Stara Zagora. Sipas fjalëve të doktoreshës Milena Vasileva, shefe e urgjencës, numri i personave me kriza hipertensionale, marramendje dhe sëmundje të zemrës ishte më i larti.Të moshuarit me sëmundje kardiovaskulare dhe kronike janë veçanërisht të rrezikuar:
“Fëmijët e vegjël janë gjithashtu një grup shumë i rrezikshëm, për shkak të termorregullimit të tyre të dëmtuar.Përveç pacientëve me probleme kardiovaskulare dhe me çrregullime të ritmit, duhet të kenë kujdes edhe personat me sindrome metabolike, por edhe pacientët me sëmundje onkologjike. Shumë të rrezikuar janë dhe njerëzit të cilët punojnë jashtë në të hapur. Në rrezik janë edhe pacientët me insuficiencë venoze kronike sepse marrin antikoagulantë. Prandaj, nëse këta pacientë nuk kanë punë urgjente jashtë, është mirë të qëndrojnë në shtëpi. Dhoma duhet të jetë e freskët dhe të njomet herë pas here. Por, nëse gjithsesi u nevojitet të dalin jashtë - rekomandimi është që të mbahet kapele, rrobat të jenë prej materialeve natyrale dhe të mbahen syze dielli. Me rëndësi është që organizmi të rihidratohet, kurse sasia e ujit i cili duhet të pihet është minimum 3 litra.”
Për shkak të temperaturave të larta në Sofje, ekipet e bashkisë së kryeqytetit filluan të shpërndajnë butile me ujë, kurse nëpunësit e “Parqeve dhe kopshteve” kanë detyrën të ndjekin punën e çezmave në të gjitha parqet dhe kopshtet e kryeqytetit. Sipas fjalëve të kryetares së bashkisë së qytetit të Sofjes Jordanka Fandëkova ato janë përgjithësisht 56 dhe po projektohet ndërtimi i akoma rreth 10 çezmave të reja në hapësirat e gjelbra.
Përpilues: Darina Grigorova /janë përdorur materiale të Daniella Kostadinovës, BNR-Burgas dhe Kristina Ruseva, BNR-Stara Zagora/
Përgatiti në shqip: Nataniela Vasileva
Foto: arkiv, stolica.bg, BNR
Organizata për mbrojtjen e natyrës WWF - Bullgaria nis fushatën "Abonohu për natyrën". Zhdukja e kafshëve të egra është një film me seri në të cilin ne luajmë rolin kryesor. Në më pak se një jetë njerëzore, 73% e vertebrorëve kanë humbur në natyrë...
Shpesh thuhet me ironi se njerëzit në Maqedoninë e Veriut marrin nënshtetësinë bullgare vetëm për qëllime egoiste. Prandaj, në regjistrimin e fundit zyrtar në shtetin fqinj u regjistruan vetëm 3504. Demografi Doc. Spas Tashev është i bindur se ky nuk..
Para zgjedhjeve presidenciale në SHBA, jo vetëm amerikanët janë të emocionuar. Edhe evropianët po presin me frymë të lodhur rezultatet – a do të sillte vërtet një fitore për Kamala Harris zhvillimi i një politike të qëndrueshme, a është Europa gati..
Iluminist - njeri që me veprimet, idetë ose krijimtarinë e tij zgjon shpirtin e popullit, ruan dhe përhap vetëdijen, kulturën dhe edukimin kombëtar. Në..
Gjatë javës së Ditës së Ariut , WWF tërheq vëmendjen mbi gjashtë arinj jetimë të cilëve iu dha një shans i dytë për jetë. Nisma është pjesë e fushatës..