Zemra dhe shpirti i komuniteteve bullgare në mbarë botën janë shkollat e së dielës, ku fëmijët mësojnë gjuhën, kulturën, historinë dhe traditat e tyre amtare. Pothuajse 400 janë shkollat tona jashtë vendit dhe më shumë se gjysma e tyre janë të bashkuara në Asociacionin e Shkollave Bullgare Jashtë Vendit. Kjo organizatë joqeveritare ka 15 vjet që bën përpjekje për të mbledhur fijet bullgare në mbarë botën dhe për të krijuar kushte dhe mundësi që fëmijët e bashkatdhetarëve tanë të kthehen në Bullgari.
“Një nga arsyet që të organizohemi ishin problemet të cilat secili haste në vendin përkatës” – kujton fillimin e rrugës Irina Vlladikova, Presidente e Asociacionit të Shkollave Bullgare Jashtë Vendit. Ajo vet tashmë 30 vjet është drejtuese e Shkollës Bullgaro-Austriake “Shenjtor Kirill dhe Metodij” në Vjenë, ku jep mësime të gjuhës dhe letërsisë bullgare për fëmijët nga klasa e 5-të deri në të 12-tën. Ajo thotë se bashkimi i shkollave në këtë organizatë unike për diasporën bullgare ka ndihmuar që puna e tyre të bëhet pjesë e sistemit arsimor bullgar.
“Këto shkolla nuk janë diçka e re, përkundrazi - shton Irina Vlladikova. - Shkollat e krijuara jashtë vendit janë diçka që duhet ta kishte bërë shteti. Por vitet ishin të tilla - edhe ato pak shkolla shtetërore që ekzistonin jashtë vendit deri në vitin 1989 u mbyllën, të gjitha financimet u ndërprenë. Por ne bullgarët jemi një popull i mençur - kudo që shkojmë, ndërtojmë një kishë dhe një shkollë. Dhe kjo është një nga dallimet tona të forta – synimi ndaj arsimit. Kur u themelua shkolla jonë në Vjenë - dhe mendoj se për shumë të tjerë është ashtu - njerëzit udhëhiqeshin nga ideja që fëmijët që janë atje për një arsye ose një tjetër duhet të mbajnë gjuhën e tyre, duhet të mbajnë rrënjët e tyre, të kaluarën, traditat, zakonet etj. Dhe kështu fillon. Prandaj, bashkëfinancimi dhe mbi të gjitha njohja jonë si pjesë e sistemit arsimor të Bullgarisë janë sukseset tona të para të mëdha.
Ne jemi një tërësi dhe nuk duhet të perceptohemi si diçka ekzotike, por si një sistem pune, që mbulon një numër të madh fëmijësh, që jetojnë jo në Bullgari, por jashtë kufijve të saj, dhe megjithatë janë fëmijë të Bullgarisë. Për mua arsimi është një kauzë kombëtare dhe duhet të bëhet prioritet kombëtar. Është koha ta kuptojmë këtë, sepse sado qesharake apo tragjike të tingëllojë, në 15 vitet e ekzistencës së organizatës sonë ndërruan 13 ministra të arsimit.”
Disa nga këta ministra janë të ftuar në Konferencën vjetore të Asociacionit të Shkollave Bullgare Jashtë Vendit. Pas një pauze dyvjeçare për shkak të pandemisë, forumi mbledhë sërish rreth 70 përfaqësues të shkollave bullgare nga gjashtë kontinente - Evropa, Azia, Amerika Veriore dhe Jugore, Afrika dhe Australia.
“Jeta sjell surpriza - thotë Irina Vlladikova. - Kemi mbajtur seminare, konferenca online, d.m.th. kontakti, edhe pse në mungesë, vazhdon të jetë forca e organizatës sonë. Por kontakti i drejtpërdrejtë është një gjë tjetër dhe kjo është arsyeja pse ne jemi shumë të lumtur që organizojmë këtë konferencë dhe pas një pauze dyvjeçare takohemi sërish. Fatkeqësisht, momenti nuk është më i miri - nga njëra anë është koha e pushimeve, nga ana tjetër situata është problematike nga pikëpamja politike, por shpresojmë që një pjesë e madhe e njerëzve që na ndihmuan për këto 15 vjet të jenë të pranishëm.”
Të nderuar të ftuar në takim janë edhe përfaqësuesit e shkencës bullgare, me të cilët Asociacioni i Shkollave Bullgare Jashtë Vendit ka një bashkëpunim solid gjatë viteve të fundit. Është gjithashtu e rëndësishme të kujtojmë se përmes partneritetit të shkollave bullgare jashtë vendit me Departamentin e Edukimit Gjuhësor në Universitetin e Sofjes në 13 shtete të Shteteve të Bashkuara, gjuha bullgare përfshihet në sistemin “Vula dygjuhëshe”, e cila jep një avantazh kur aplikohet në universitet ose për punë.
“Në një periudhë të shkurtër u bë shumë, gjë që nuk është karakteristike për sistemin arsimor - vazhdon Irina Vlladikova. - Por funksionon për ne, ndoshta sepse jemi një fenomen i ri dhe mund të provojmë disa gjëra. Për shembull, ne ishim të parët që filluam punën me fëmijët 4 vjeç. Për ne ky proces është shumë i rëndësishëm, sepse një përqindje e madhe e fëmijëve që vijnë në këtë moshë pothuajse ose aspak nuk flasin bullgarisht.”
Komunitetet bullgare në mbarë botën janë shumë aktive në reagimin ndaj ngjarjeve sociale dhe politike në vend. Si ndikon kjo në mjedisin shkollor?
“Na vjen mirë që në përgjithësi Asociacioni i Shkollave Bullgare Jashtë Vendit punon mrekullisht me përfaqësuesit e të gjitha forcave politike - përgjigjet Irina Vlladikova. - Sepse e them përsëri - arsimi është vlerë kombëtare, duhet të ketë një përmirësim të vazhdueshëm. Sepse arsimimi jashtë vendit është në fakt një element i sigurisë kombëtare.
Të gjithë e dimë se pa gjuhën vendi ynë është në rrezik nga ky problem demografik. Nuk është rastësi që vitet e fundit flitet shumë për rikthimin. Një familje nuk do të kthehet nëse fëmija nuk është gati për të, dhe ai nuk mund të jetë gati nëse nuk e di gjuhën. Gjërat janë kaq të lidhura dhe nuk është çështja se cilës parti i përkisni.”
Autor: Elena Karkallanova
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Foto: Elena Karkallanova, Shkollës Bullgaro-Austriake “Shenjtor Kirill dhe Metodij” - Vjenë- Facebook /@abvschule, bg-school.org, bulgaren.org
Kush thotë se bullgarët janë njerëz të vrenjtur dhe pesimistë? Shëtisni nëpër tregjet e Krishtlindjeve të Sofjes dhe do të mbeteni me një përshtypje krejtësisht të ndryshme. Mjaftojnë dekorimet festive, muzika, dëfrimet dhe tezgat e mbushura me ëmbëlsira..
Shija pikante është një kulturë. Aleksandër Kjurkçiev - Sando, themeluesi i një ferme për speca djegëse pranë Sofjes dhe muzeut të parë për speca djegës në vendin tonë, është i bindur për këtë. Ai organizoi për të dytin vit radhazi festivalin “Chilli..
Qyteti bregdetar Çernomorec shënon festën e tij në Ditën e Shën Nikollës Çudibërësit. Shën Nikolla nderohet si shenjtor mbrojtës i peshkatarëve dhe marinarëve. Çdo vit në këtë datë organizohet një procesion litik me ikonën mrekullibërëse të Shën..
Në mëngjesin e Krishtlindjes tashmë kudo është përhapur lajmi më i gëzueshëm në Tokë se ka lindur i biri i Zotit, prandaj dita është e veçantë dhe duhet..
Në prag të Lindjes së ndritur të Krishtit – Natën e Buzmit, Shenjtëria e Tij Patriku Bullgar Daniill dhe Mitropolit i Sofjes iu drejtua të gjithë..