Sindikata më e madhe në Bullgari – Konfederata e Sindikatave të Pavarura (KNSB), anëtarët e së cilës numërojnë rreth 300 mijë persona, mobilizoi forcat dhe nisi një fushatë proteste duke kërkuar që shteti të përditësojë buxhetin me 70 milionë euro. Qëllimi është të mbrohen të ardhurat e njerëzve në mënyrë që ato të kompensohen të paktën sa rritja e inflacionit. Sipas një sondazhi të sindikatave në vend, 80% e punëtorëve thonë se ka një rritje të pagave të tyre, por ajo është midis 5 dhe 15%, dhe aktualisht inflacioni kalon 18%, gjë që kërcënon jashtëzakonisht standardin e jetesës së njerëzve dhe ata janë të detyruar të zvogëlojnë konsumin e tyre të përditshëm.
Dy javë para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në vend, presidenti i KNSB-së, Pllamen Dimitrov, dhe krerët e sindikatave organizuan një sërë takimesh me liderët e partive politike që kanë shanset më të mira për të hyrë në parlamentin e ardhshëm. Secili prej tyre do të njihet me Memorandumin e KNSB-së për zhvillimin socio-ekonomik të vendit në 4 vitet e ardhshme. Ndër kërkesat kryesore të sindikatës është që buxheti i vitit 2023 të jetë 600 milionë euro më shumë, për pagat në sektorin publik. Çështja është shtruar para kryeministrit nga qeveria e përkohshme, Gëllëb Donev, i cili ka premtuar se do të bisedojë me ministrin teknik të financave dhe do të kërkohen opsione. Kryeministri teknik ka shprehur qëndrimin pozitiv të qeverisë edhe për çështjet që kanë të bëjnë me angazhimet në kuadër të Planit të Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë, përkatësisht liberalizimin e energjisë elektrike shtëpiake nga janari i vitit të ardhshëm dhe reduktimin me 40% të emetimeve nga ndërmarrjet në sektorin e energjisë.
Krahas rritjes së të ardhurave, fushata e protestës kombëtare të sindikatave kërkon edhe një ndryshim specifik të legjislacionit në mënyrë që të respektohet e drejta e punëtorëve për pushim. Bëhet fjalë konkretisht për llogaritjen totale të kohës së punës. Kjo është një mënyrë e veçantë e punës që bën të mundur që kohëzgjatja normale e ditës së punës 8-orëshe të zgjatet në një ditë pune 12-orëshe, duke përfshirë punën të shtunave dhe të dielave, në varësi të shpërndarjes së njerëzve sipas strukturës.
“Problemi është se në vendin tonë llogaritja kumulative e orarit të punës zbatohet absolutisht në të gjitha ndërmarrjet, madje edhe në disa institucione, por sipas legjislacionit evropian duhet të zbatohet vetëm në prodhim me regjim të pandërprerë pune”- vëren Dr. Todor Kapitanov - ekspert për të drejtën e punës në KNSB:
“Sipas legjislacionit evropian llogaritja totale e javës së punës është maksimumi 52 orë dhe në Bullgari lejohet që të jetë brenda 56 orëve. Gjithçka është në kurriz të pushimit dhe shërimit të punëtorit dhe në kurriz të jetës së tij personale dhe familjare. Kjo është një nga zbrazëtirat me të cilat punëdhënësit keqpërdorin, sepse njerëzit ndonjëherë punojnë jo vetëm 12, por 14-16 orë. Kjo është një nga shkeljet më të shpeshta që ka të bëjë me orarin e punës, sepse nuk regjistrohet saktë. Po mbahet njëfarë dokumentacioni, por çfarë po ndodh në praktikë është tjetër çështje dhe është mjaft shqetësuese sepse punëtorët kanë mbi 20 vjet që e vuajnë një shkelje të tillë. Përveç që punojnë më shumë orë në Evropë, bullgarët marrin paga më të ulëta. Ky është një nga boshllëqet më të mëdha në Kodin e Punës, i cili duhet korrigjuar urgjentisht”.
Çështja e llogaritjes kumulative të orarit të punës është ngritur jo një herë nga sindikatat. Para 2 vitesh KNSB dhe Konfederata e Sindikatave “Podkrepa” zhvilluan një fushatë të madhe me 100 mijë nënshkrime, të cilat iu dorëzuan Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale. Kërkesa është për të drejtën e rishqyrtimit dhe krijimit të një rregulloreje për këtë çështje. Grupi i punës refuzoi të jepte një mendim se pse rregullorja bullgare nuk është në sinkron me legjislacionin evropian - kujton Todor Kapitanov. Kjo bëri që dy sindikatat - KNSB dhe Konfederata e Punës "Podkrepa" të largohen nga ky grup pune në shenjë proteste. Nuk kishte se si të neglizhohej një çështje kaq e rëndësishme që prek mijëra punëtorë. Tashmë është sërish në rend dite mes kërkesave të sindikatave.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: Pixabay, BGNES, Gergana Mançeva
Me iniciativën e Kishës Ortodokse Bullgare, më 30 shtator dhe 1 tetor të vitit 1998, në Sofje u mblodh një Tubim Panortodoks për të ndihmuar kapërcimin e përçarjes midis klerikëve tanë. Atëherë, megjithë nxitjet e Patrikut të Stambollit Bartolomeu,..
Shteti ynë bëhet vendi i parë në BE që ka inteligjencë artificiale në një nivel të lartë teknologjik në gjuhën e tij, krijuar nga një organizatë shkencore me financim shtetëror. Inteligjenca artificiale e gjeneratës së re, e krijuar për të punuar në..
Eurodeputetët dëgjuan 26 kandidatët për komisionerë në Komisionin e ri të Ursula von der Leyen në komisionet përkatëse. Megjithatë, përfundimi i procedurës nuk çoi në një marrëveshje mes forcave politike për Komisionin e ardhshëm Evropian dhe ambicia është..
Iluminist - njeri që me veprimet, idetë ose krijimtarinë e tij zgjon shpirtin e popullit, ruan dhe përhap vetëdijen, kulturën dhe edukimin kombëtar. Në..
Gjatë javës së Ditës së Ariut, WWF tërheq vëmendjen mbi gjashtë arinj jetimë të cilëve iu dha një shans i dytë për jetë. Nisma është pjesë e fushatës..