Radioja Kombëtare Bullgare tashmë ofron informacione të përditësuara nga dhe rreth Bullgarisë në rumanisht. Faqja e internetit "Radio Bullgaria në rumanisht" plotëson portofolin e pasur të shërbimeve mediatike të radios publike. Bashkë me të, numri i gjuhëve në të cilat BNR komunikon me botën bëhet 11.
Shpërndarja e informacionit të besueshëm, të saktë dhe të shpejtë është misioni i Radios Kombëtare Bullgare dhe faqja e re e medias në gjuhën rumune shfaqet në një kohë kur dy vendet fqinje - Bullgaria dhe Rumania - janë së bashku në qëllimet e tyre të përbashkëta në pragun e Shengenit. Përmes përmbajtjes në gjuhën rumune, sigurohet mbulimi i plotë i informacionit nga Bullgaria për fqinjët tanë në Ballkan.
Prezantimi zyrtar i faqes rumune është sot në orën 15.00. Gjatë aktivitetit do të prezantohet ekipi, i cili do t'i ofrojë audiencës rumanisht-folëse informacione interesante për turizmin, kulturën, historinë, traditat dhe stilin e jetës në Bullgari, si dhe lajme rreth ngjarjeve dhe proceseve nga politika kombëtare dhe ndërkombëtare, tema me interes dypalësh dhe rajonal, këshilla të dobishme për të udhëtuar në vendin tonë dhe takime me personalitete të shquara bullgare dhe njerëz të cilët e kanë lidhur jetën e tyre me dy vendet fqinje.
86 vjet pas fillimit të programeve të BNR-së për jashtë vendit, zhvillimi i programit shumëgjuhësh të medias - Radio Bullgaria është gjithnjë e më dinamik. Në vitin 2021 Radio Bullgaria rifilloi transmetimet e përditshme radiofonike në gjuhë të huaja në formën e një podkasti (në shqip, anglisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht, rusisht, greqisht, serbisht, turqisht), për këtë arsye më 25.01.2022 mori edhe çmimin e madh të BNR “Sirak Skitnik”.
Nga 3 tetori 2022, në faqen e internetit të BNR çdo ditë mund të dëgjoni të vetmin program informativ dhe muzikor të këtij lloji për bullgarët në mbarë botën - "Bullgaria sot”.
Familjes shumëgjuhëshe të Radio Bullgarisë i bashkohet tani ekipi i uebsajtit të ri të BNR në gjuhën rumune, i përbërë nga dy gazetarë dhe një redaktor - Julia Bahovski, Vladimir Mitev dhe Aleksandru Ionashku.
Julia Bahovski ka lindur në Rumani, u diplomua në Fakultetin e Gazetarisë në Universitetin “Shën Klementi i Ohrit” në Sofje. Puna e saj si konsulente e ka ndihmuar në fillimin dhe zhvillimin e bizneseve dhe përmirësimin e marrëdhënieve dhe investimeve bullgaro-rumune. Ajo është themeluese e MyRo.Biz, një media online, një portal për bullgarët dhe biznesin bullgar në Rumani. Ka gjithashtu një faqe - "pasqyrë" në rumanisht - për biznesin rumun dhe mundësitë e investimeve në Bullgari (MyBG.Biz).
Vladimir Mitev u diplomua për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Studime Iraniane në Universitetin e Sofjes “Shën Klementi i Ohrit”. Interesat e tij profesionale lidhen kryesisht me Lindjen e Afërt dhe të Mesme dhe Rumaninë.Në vitin 2015, ai krijoi blogun e tij dygjuhësh në bullgarisht dhe rumanisht. Si gazetar që flet dhe shkruan në gjuhën rumune, Vladimir Mitev është një bashkëbisedues i kërkuar për një sërë mediash rumune.
Aleksandru Ionashku është doktor i filologjisë, i cili ka mbrojtur disertacion për letërsinë rumune dhe angleze, ka botuar artikuj dhe studime në revista dhe antologji të ndryshme akademike.
Pse BNR “do të flasë” edhe në rumanisht?
Bullgaria dhe Rumania kanë bashkëpunim aktiv në sferën tregtare dhe ekonomike, janë partnerë në linjat e NATO-s dhe BE-së, në nivel të Evropës Juglindore, Danubit dhe rajonit të Detit të Zi. Dy vendet fqinje ndajnë interesa të ngjashme dhe kanë projekte të përbashkëta në fushën e infrastrukturës, energjisë, transportit etj. Ndërveprimet turistike dhe kulturore midis dy popujve tanë po zgjerohen gjithnjë e më shumë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Turizmit, në tre vitet para pandemisë Covid-19, mesatarisht mbi 1 milion e 200 mijë qytetarë rumunë kanë udhëtuar çdo vit drejt Bullgarisë për qëllime turizmi. Njëkohësisht përmes vendit tonë kalon një fluks i madh udhëtarësh rumunë, destinacionet përfundimtare të të cilëve janë Greqia, Turqia apo vendet e Evropës Qendrore dhe Perëndimore. Të gjithë ata janë audienca e synuar e faqes së internetit të BNR në rumanisht. Në të ardhmen, përmbajtja tekstuale rumune do të plotësohet me formate moderne audio dhe video.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Të nderuar miq, në këtë program më parë mund të dëgjoni lajmet e fundit. Në rubrikën Kënga e ditës do të dëgjoni versionin më të ri të këngës “Sa e bukur je” nga D2 dhe Grafa. Ju urojmë minuta të këndshme! 01:32 - Lajme 11:21- Kënga e ditës
Të nderuar miq, në fillim të programit tonë më 21 nëntor 2024 do të dëgjoni lajmet e fundit. Në Ditën e Familjes së Krishterë, në rubrikën tonë të përditshme “Kënga e Ditës” ju ofrojmë këngën "Lutja për ne" në interpretim të këngëtares së dashur..
Të nderuar miq, në fillim të programit tonë më 20 nëntor 2024 do të dëgjoni lajmet e fundit. Në rubrikën tonë të përditshme “Kënga e Ditës” ju ofrojmë këngën “Ditët e anasonit” në interpretim të grupit B.T.R. Ju urojmë minuta të këndshme!..
Të nderuar miq, në këtë program më parë mund të dëgjoni lajmet e fundit. Në rubrikën Kënga e ditës do të dëgjoni versionin më të ri të këngës “Sa e bukur..