Dr. Pajam Forgani /Payam Forghani/ ka lindur 26 vjet më parë pranë ... Antarktidës, ose më saktë në qytetin Hobart në ishullin Tasmania - pjesa më jugore e Australisë. Pas mbarimit të shkollës së mesme në Canberra, i riu Pajami aplikoi për stomatologji. Por e ngelën në provimin pranues për në universitet. “Dentistja jonë e familjes në Camberra ishte bullgare dhe atëherë ajo më këshilloi të studioja për stomatologji në Bullgari. Por unë nuk dija asgjë për këtë vend. Pyeta edhe miqtë e mi dhe ata mendonin a ishte në Rusi apo diku atje?” - kujton Pajami.
Kështu, një dimër të ftohtë 8 vite më parë, Pajami u gjend në Sofje dhe në momentin e parë ra në ... depresion. “I ftohtë i madh, rrugica të errëta, rrugë të tmerrshme, alfabet i ndryshëm. Nuk dija të lexoja, nuk kuptoja asgjë, shumica e njerëzve nuk dinin anglisht, tronditja kulturore ishte shumë e fortë”, kujton dentisti i ri. Më pas filloi të merrte mësime private në Institutin për Studentë të Huaj dhe mësoi bullgarishten në vetëm 6 muaj. Në Universitetin Mjekësor të Sofjes, Pajami e gjen veten në një mjedis kozmopolit. Rezulton se shumë të huaj, si ai, kanë zgjedhur të studiojnë në Bullgari.
“Studimi, veçanërisht për stomatologjinë këtu, është në një nivel shumë të lartë”, - thotë Pajami, i cili aktualisht është i specializuar në ortodonci. Çfarë mendon ai për bullgarët? Përgjigja e tij mund t'ju habisë:
“Si fillim këtu njerëzit janë më të ftohtë, më vështirë krijojnë miqësi. Nuk është si në Australia apo Perëndim – kur ecën nëpër rrugë dhe të buzëqeshin. Unë kështu jam mësuar të buzëqesh, ndërsa njerëzit këtu mendojnë "Ky nuk është mirë, çfarë ilaçesh merr?". Mirëpo, sapo e kalon këtë pengesë, ata bëhen shumë të afërt me ty, tamam si një familje. Gjëja tjetër është se bullgarët nuk dinë të gëzohen me lumturinë e të tjerëve dhe gjithmonë kërkojnë të krahasohen me fqinjët e tyre. Por brezi i ri ka filluar të ndryshojë dhe nuk është më kështu”.
Me sa duket, doktor Pajam Forgani është i vetëdijshëm për veçoritë e mentalitetit bullgar. Ai pohon se këtu ndihet më mirë se në vendlindjen e tij në Australi, udhëton pothuajse çdo fundjavë nëpër Bullgari, komunikon me njerëzit. “Këtu çdo qytet apo fshat ka monumente, eko-shtigje, tempuj. Dhe kështu mund të njohësh historinë e bullgarëve. Një histori shumë e vështirë, prandaj jeni kaq të fortë”, - thotë Pajami.
Por pse jemi kaq skeptikë dhe gjithmonë të pakënaqur?
“Për mendimin tim, këto janë shenja që ka lënë historia bullgare. Gjatë socializmit bullgarët mashtroheshin shumë, prandaj dyshojnë në gjithçka që dëgjojnë. Edhe sot e kësaj dite, ata pranojnë se të gjithë i gënjejnë, gjithçka është një mashtrim. Por njerëzit duhet të fillojnë t'i besojnë njëri-tjetrit, të jenë më të bashkuar. Situata aktuale në Bullgari është vërtet e vështirë, por ju keni kaluar kohë më të vështira. Dhe ajo që ju mungon është solidariteti. Sepse ankesat në Facebook dhe ankimet nëpër klube me një gotë raki nuk do të ndihmojnë. Bullgari gjithmonë thotë “Gjithçka varet nga politikanët, nga shteti...”, por sipas meje ndryshimi duhet të fillojë nga ne, nga mentaliteti ynë”.
Ka shumë fuqi shpirtërore në Bullgari, mjafton të vizitosh liqenet e Rillës, Rupite apo shtëpinë e Vangës për ta ndjerë këtë fuqi, thotë Dr. Pajam Forgani dhe e mbyll duke thënë: “Kur takon njerëz në mal, të cilët në qytet janë zakonisht të vrenjtur dhe të pakënaqur, atje ata të buzëqeshin dhe janë të gëzuar – kjo tregon që ka një lloj energjie në ajër, ka diçka të thellë, diçka shpirtërore në Bullgari që ne duhet ta vlerësojmë dhe ta mbrojmë."
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Foto: arkiv i Pajam Forganit
Çdo vit në prag të festës së vëllezërve të shenjtë Kiril dhe Metodi, të alfabetit, arsimit dhe kulturës bullgare dhe letërsisë sllave - 24 maj, një delegacion bullgar i kryesuar nga kryetari i Kuvendit ose kreu i shtetit priten në audiencë nga kreu i..
Casa Bulgara ose Shtëpia Bullgare zë një vend kryesor në guidat e kuzhinës në São Paulo - qyteti më i madh në Brazil me mbi 12 milionë banorë. Mëngjesorja ka gati gjysmë shekulli që ndodhet në të njëjtën adresë dhe është në pronësi të 75-vjeçares..
Ichak Finci ka lindur më 25 prill, pjesë e të ashtuquajturit “brezi i artë” i aktorëve bullgarë. Për udhëtimin e tij 91-vjeçar në tokë, Icko Finci le gjurmë të dallueshme në jetën teatrale, filmike dhe kulturore bullgare. Ai ka lindur në Sofje,..