Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Ngjarjet me adresë ballkanike

Fillon ndërtimi i një termocentrali të fuqishëm me gaz në Aleksandrupolis

Kryeministri grek Kiriakos Micotakis prezantoi programin e qeverisë për zhvillimin e Maqedonisë Lindore dhe Trakisë deri në vitin 2030. Plani përfshin më shumë se 360 ​​projekte me një buxhet prej 6.8 miliardë euro. Financimi i këtyre projekteve është i siguruar, tha kryeministri.  Aleksandrupolis luan një rol kyç në planin gjeopolitik dhe energjetik për zhvillimin e rajonit, tha Micotakis në fjalimin e tij në hapjen e një projekti për ndërtimin e një termocentrali me gaz. Njësia e energjisë do të ketë një kapacitet prej 840 megavat dhe do të ndërtohet bashkërisht nga Korporata Energjetike Publike - DEH – 51 për qind, DEPA Commercial – 29 për qind dhe Copelouzos Group – 20 për qind. Ndërtimi do të kushtojë 400 milionë euro, do të krijojë 800 vende pune dhe do të jetë gati për 32 muaj, duke u furnizuar me energji nga terminali i gazit të lëngshëm në ndërtim, në të cilin Bullgaria merr pjesë me 20 për qind, njofton BTA.

BE do të financojë një hekurudhë me shpejtësi të lartë nga Beogradi deri në Nish

Në shkurt, Serbia dhe BE do të nënshkruajnë financimin e 600 milionë eurove në ndërtimin e një linje hekurudhore të shpejtë nga Beogradi në Nish, njoftoi zëvendëskryeministri serb dhe ministër i financave Sinisha Mali. “Trenat do të ecin me shpejtësi jo vetëm në veri, por edhe në jug. Sot tashmë kemi një linjë hekurudhore me shpejtësi të lartë nga Beogradi në Novi Sad. Brenda dy viteve do të ketë edhe një seksion nga Novi Sadi deri në kufirin hungarez”, tha Mali. Aktualisht po ndërtojmë 10 autostrada, shtoi zv.kryeministri, duke theksuar se kjo po ndodh kur tregu global i kapitalit është gjithnjë e më i vështirë për shkak të normave të larta të interesit, por Serbia po e përballon deri tani dhe ka arritur të sigurojë marrëveshje shumë më të favorshme kredie me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar, shkruan gazeta “Novosti”.

Moska mund të përfitojë nga konfliktet e ngrira në Ballkanin Perëndimor

Rusia mund të nisë një luftë në Ballkan për të larguar vëmendjen nga Ukraina, tha presidenti maqedonas Stevo Pendarovski në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar në Davos. “Ne kemi dy pika kritike në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Këto janë Republika Srëpska në Bosnje dhe Hercegovinë dhe gjithashtu në Kosovën Veriore. Ata janë të tillë prej vitesh, jo vetëm që nga fillimi i luftës kundër Ukrainës. Regjimi i Vlladimir Putinit po përpiqet të provokojë njerëzit atje për të hedhur në erë integritetin e dy vendeve”, tha Pendarovski. Sipas kreut të shtetit të Maqedonisë së Veriut, Ballkani Perëndimor është vendi më i mundshëm për të shkëputur vëmendjen e Perëndimit nga Ukraina sesa Baltiku apo vendet e tjera të BE-së dhe NATO-së, sepse pikat kritike të konflikteve të ngrira janë jashtë strukturave euro-atlantike, njoftoi MIA.

E zgjatën edhe 20 vjet funksionimin e Centralit Atomik Elektrik “Krëshko”

Termocentrali i vetëm bërthamor i Sllovenisë – “Krëshko" - mori një leje mjedisore për të zgjatur jetën e tij me 20 vjet deri në vitin 2043, shkruan faqja sloveniatimes.com. Procedura e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis u krye pas rinovimit dhe modernizimit të planifikuar në vitin 2022. Vlerësimi ekologjik përfshin një rishikim të sigurisë së përmirësuar sizmike, mbrojtjes nga fatkeqësitë mjedisore, rezistencës ndaj ndryshimeve klimatike dhe faktorëve të jashtëm. Gjithashtu u vlerësua ndikimi në ujë dhe ngrohja e rrymave lumore në Slloveninë Lindore. Termocentrali, i cili u vu në shfrytëzim në vitin 1983, fillimisht u planifikua të kishte një jetë prej 40 vjetësh dhe të skadonte në vitin 2023. I vendosur në rajonin Krëshko, pranë kufirit kroat, termocentrali është në pronësi të përbashkët të Sllovenisë dhe Kroacisë.

Rumania pezullon përkohësisht eksportin e antibiotikëve dhe ilaçeve kundër etheve

Pas lejes nga Komisioni Evropian, Rumania po pezullon përkohësisht eksportin e disa antibiotikëve. Masa hyn në fuqi për një periudhë tre mujore, njoftoi Ministria e Shëndetësisë në Bukuresht. Kufizimi përfshin edhe preparatet antipiretikë ibuprofen dhe paracetamol. Autoritetet saktësojnë se po i ndërmarrin këto veprime në mënyrë që nevojat e pacientëve rumunë të mbulohen në kuadrin e krizës aktuale shëndetësore. Ndalimi nuk ndikon në eksportin e barnave të tjera të prodhuara nga kompanitë rumune, njofton Digi24.ro.

Përpilues: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova

Foto: DIMITRIS PAPAMITSOS/EUROKINISSI, mfin.gov.rs, ЕPА/BGNES, nek.si, formarefarma.ro


Më shumë nga rubrika

Ngjarjet me adresë ballkanike

Greqia mori këstin e katërt prej gati 1 miliard euro në kuadër të PRQ-së Komisioni Evropian i pagoi Greqisë këstin e katërt sipas Planit të Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë (PRQ) me vlerë 998.6 milionë euro. Këtë e raporton televizioni shtetëror..

botuar më 24-10-19 7.35.PD
Rumen Radev

Bullgaria duhet të rivendosë rolin e saj udhëheqës në Ballkan

Presidenti Rumen Radev u bëri thirrje politikanëve dhe partive që të zgjidhin problemet e tyre familjare dhe ta kthejnë Bullgarinë në Ballkan "në një plan më të gjerë rajonal". “Është koha që të nxjerrim kokën nga rëra, të mos merremi më me..

rinovuar më 24-10-17 4.46.MD
Марчел Чолаку и Николае Чука

Ngjarjet me adresë ballkanike

Një mosmarrëveshje parazgjedhore përçau partitë në pushtet të koalicionit të madh në Rumani Dy muaj përpara zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në Rumani, socialdemokratët në pushtet dhe liberalët hynë në një mosmarrëveshje. Kjo ndodhi për..

botuar më 24-10-12 10.05.PD