Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

150 vjet nga vdekja e Apostullit të Lirisë

Fshati Vojnjagovo ruan kujtimin e dhaskalit të tij Vasill Levski

7
Foto: Vatra Kulturore „Vasill Levski 1900“

Levski, Apostolli, Dhjaku Ignatij... Këta janë vetëm disa nga emrat me të cilët Vasill Ivanov Kunçev (18 korrik 1837 - 18 shkurt 1873), heroi kombëtar i Bullgarisë, u bë simbol i luftës sonë për liri dhe pavarësi. Ai njihet edhe si Dhaskali, por pakkush e di se Levski filloi të quhet kështu për shkak të punës së tij si mësues në fshatin Vojnjagovo, jo shumë larg nga vendlindja e tij – qyteti Karllovo.

“Këtu ai ka qenë mësues dhe banorët e fshatit e quajnë “Dhaskali” për të shprehur dashurinë dhe respektin e tyre – thotë Conka Damjanova, sekretare në Vatrën Kulturore “Vasill Levski 1900” në fshat. – Ai jetonte me gëzimet dhe trishtimet e bashkëfshatarëve, ishte i pranishëm në të gjitha dasmat, pagëzimet, ishte nga njerëzit më të respektuar. Jo rastësisht Vasill Levski e zgjodhi Vojnjagovon. Si fëmijë ka ardhur këtu sepse xhaxhai i tij kishte një dyqan në fshat dhe e vizitonte shumë shpesh. Kur një tjetër xhaxha i tij, i cili ishte hieromonk, mori vesh se banorët e Vojnjagovos po kërkonin një mësues, i bëri propozim Vasilit.”

I riu jepte mësim në fshat për gati 2 vjet - nga maji 1864 deri në fund të marsit 1866. 19 nxënësit e tij, nga të cilët më i riu ishte 6 vjeç dhe më i madhi 26 vjeç, mësuan jo vetëm shkrim e këndim, por edhe dashuri për atdheun dhe lirinë, dhe tolerancën për të tjerët.

“Ai bëri një eksperiment duke vendosur një qen, një kotele dhe një qengj së bashku në një kafaz. Në fillim ishte një luftë e tmerrshme, por më vonë këto tre kafshë filluan të jetojnë së bashku. Në këtë mënyrë ai u tregoi nxënësve të tij se të gjithë popujt, pa dallim besimi dhe gjuhe, mund të jetojnë së bashku. Ai kurrë nuk përdori dhunë apo ndëshkim, por në mënyrë paqësore i bënte fëmijët të mësonin atë që ai dëshironte - vazhdon rrëfimin e saj Conka Damjanova. – Dhaskali vuri dy dërrasa në klasë. Në "dërrasën e nderit", e cila ishte në ngjyrë të bardhë, ai shkruante emrat e atyre fëmijëve që ishin të zellshëm, dhe në "dërrasën e zezë të qortimit" - atyre që nuk dëgjonin. Ai u tha atyre se nëse do të shihte emrin e ndonjë fëmije të shkruar dy herë në tabelën e qortimit, ky fëmijë nuk do të ishte më nxënës i tij. Emri i asnjë fëmije, thonë ata, nuk u vendos kurrë atje.”


Në Vojnjagovo tregohet edhe historia e dashurisë së Apostullit të ardhshëm të Lirisë për bukuroshen Jova. Vajza 16-vjeçare ishte një nga vajzat më të bukura të fshatit. Kur Vasill Levski u largua nga Vojnjagovo, i ndjekur nga turqit, i premtoi të dashurës: “Kur të vijë liria, Jove, do të kthehem këtu dhe do të të bëj edhe ty mësuese!”. Jova e priste për 3 vjet, por u detyrua nga prindërit të martohet. Kur i riu mësoi për këtë, ai u takua me të dashurën e tij, i dhuroi një gjerdan të bukur me perla dhe i tha: "Më fal, Jove, liria u vonua".

“Në fillim askush nuk dinte për këtë dashuri, sepse gratë e moshuara të Vojnjagovos u betuan që të mos zbulonin asgjë nga jeta e Dhaskalit të tyre – saktëson Conka Damjanova. - Por pasi kaluan 100 vjet vendosën që duhet ta tregojnë këtë histori të bukur që të mbetet për brezat e ardhshëm.”

Kur lajmi i varjes së Vasill Levskit arriti në Vojnjagovo, zilja e kishës ra për një javë të tërë. Jova u vesh me rroba të zeza, të cilat i mbante për shumë vite, gratë hoqën shamitë e tyre shumëngjyrëshe duke i zëvendësuar me shami të zeza. Dhe po vazhdojnë t'i mbajnë ato edhe sot e kësaj dite…

E vetmja shkollë në Bullgari ku jepte mësim Levski u restaurua në vitin 1957 dhe u kthye në muze. Streha e vjetër e kishës u shkatërrua, por në vend të saj u ndërtua një godinë e re, e cila strehon Vatrën Kulturore dhe koleksionin muzeor për historinë e fshatit. Është ruajtur stilolapsi i Dhaskalit dhe librat mbi të cilët ka dhënë mësim. Aty ndodhet edhe figura e tij prej dylli, e dhuruar nga artisti Dimitër Bakërxhiev me rastin e 180 vjetorit të lindjes së Apostullit.

“Vojnjagovo ruan shumë kujtime të mira nga Levski – vazhdon Conka Damjanova. - Më 6 maj, ditën e Shën Gjergjit, ne kremtojmë përvjetorin e emërimit të tij mësues. Atëherë mbushet kisha, mbushet edhe oborri i shkollës. Ne i japim nderim dhe përpiqemi t'ua përcjellim brezave të ardhshëm besëlidhjet e tij, dashurinë për të dhe për atdheun”.


Kujtimi i Levskit është i gjallë në Vojnjagovo dhe përmes këngëve të tij të dashura. Një prej tyre është “Nedko li, Nede”, interpretuar nga grupi folklorik i fëmijëve në Vatrën Kulturore “Vasill Levski 1900” në fshatin Vojnjagovo.

Shikoni gjithashtu:

Publikimi është në kuadër të një projekti të realizuar me mbështetjen financiare të Ministrisë së Kulturës, sipas Programit Kombëtar për përkujtimin e 150 vjetorit të vdekjes së Vasill Levskit.


Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Foto: Vatra Kulturore „Vasill Levski 1900“




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Romain Gary (1914-1980)

Shkrimtar, diplomat dhe humanist - Romain Gary dhe jehona e qëndrimit të tij në Bullgarinë e pasluftës

Shkrimtar, hero i Luftës së Dytë Botërore, aviator, gazetar, regjisor dhe diplomat - personaliteti i Romain Gary (1914-1980) është shumështresor dhe enigmatik. Dhe Bullgaria zë një vend të veçantë në jetën dhe veprën e një prej autorëve francezë më të..

botuar më 24-10-21 2.05.MD

Falsifikimi i vlerave historike dhe kulturore "ndot" shkencën

A ndodh që nëpër muze të ketë edhe disa eksponate të falsifikuara aq mirë sa nuk dallohen fare nga origjinalet - ka zëra dhe spekulime për këtë temë, por për momentin një seri e tërë falsifikimesh historike janë pjesë e një ekspozite në Muzeun Kombëtar..

botuar më 24-10-19 9.10.PD

Në Odesos, u zbulua një statujë e ruajtur plotësisht nga shekulli II - III

Një statujë unike nga periudha romake e qytetit Odesos, e datuar paraprakisht në fund të shekullit II dhe gjysmën e parë të shekullit III, u gjet gjatë gërmimeve në zonën e stacionit hekurudhor në Varna, njoftuan arkeologët nga Muzeu Historik..

botuar më 24-10-15 6.52.MD