Ministri i financave Asen Vasilev prezantoi projektbuxhetin për vitin aktual. Nga ana e tij, kryeministri Nikollaj Denkov shprehu shpresën se përfaqësuesit e popullit nga forca e parë parlamentare GERB-SDS do ta mbështesin atë, pasi duket i realizueshëm dhe realist. Por, nuk mendojnë kështu përfaqësuesit e popullit nga BSP-ja opozitare, të cilët paralajmëruan se do të përgatisin një plan-llogari alternative. Sipas tyre, buxheti është antisocial dhe përfshin të hyra nga Plani i Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë. Megjithatë, për t’i marrë ato, është e nevojshme të miratohet legjislacioni përkatës:
“Janë 10 ligje që lidhen me Planin e Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë që ende nuk janë të miratuar dhe shohim që pushtetarët u fokusuan më së shumti në emërimet, postet dhe shpërndarjen e porcioneve në pushtet” – tha kryetarja e socialistëve Kornelija Ninova.
Cilat janë parametrat e projektbuxhetit për vitin 2023?
I zhvilluar në kuadrin e kritereve të Maastrihtit, qeveria i propozon shtetit një buxhet të rregullt për vitin 2023 me një deficit deri në 3 për qind të PBB-së, duke supozuar pa rritje taksash dhe pa shkurtime në pagesat sociale. Rritja e PBB-së parashikohet të jetë 1.8 për qind, ndërsa për vitin e ardhshëm 3.3 për qind. Inflacioni do të ulet në 5.6 për qind, dhe mesatarja vjetore do të jetë në nivelin 8.7 për qind, parashikon ministri i financave. Politika tatimore në periudhën 2023-2025 pritet të fokusohet në përmirësimin e mbledhjes së të hyrave dhe uljen e barrës administrative për qytetarët dhe bizneset. Deri në fund të këtij viti, pritet që të ketë 4.7 miliardë leva më shumë të ardhura se në vitin 2022, duke përfshirë 1.7 miliardë leva më shumë nga TVSH-ja. Ruhet paga minimale prej 780 leva, duke e rritur shumën për vitin e dytë të lejes për amësinë nga 710 në 780 leva. Fondet për të gjitha programet e tjera sociale janë të ruajtur dhe një pjesë e tyre janë të rritur në përputhje me inflacionin dhe rritjen e pagës minimale. Janë të planifikuara fonde edhe për rritjen e pensioneve me 12 për qind nga fillimi i korrikut.
Një nga ndryshimet kryesore me projektbuxhetin e propozuar nga qeveria e përkohshme e Gëllëb Donev është shkurtimi i më shumë se 3 miliardë levave të shpenzimeve të planifikuara për mirëmbajtjen dhe kostot kapitale për projektet që nuk kanë filluar.
“Pashë një rritje të kuotës së kuponëve për ushqim – kjo ishte një gjë e domosdoshme, që do të bëhej problem nëse nuk do të bëhej. Kjo është ndoshta e vetmja gjë që mund ta përkufizoj si një reformë e dobishme”, shpjegoi për bTV ekonomisti Stojan Pançev. Sipas tij, në projektbuxhet nuk ka reformë dhe synimi kryesor është mbulimi i kriterit të deficitit prej 3 për qind, i cili është një nga kushtet për anëtarësimin e Bullgarisë në Eurozonë.
Nuk është normale që buxheti t’i nënshtrohet para së gjithash këtij kriteri - është kategorik ekonomisti dhe anëtar i komisionit buxhetor në Kuvendin Popullor Rumen Geçev nga BSP:
“Kuptimi i deficitit buxhetor mund të perceptohet kur ky tregues lidhet me disa tregues të tjerë kyç. Nga deficitet buxhetore nuk mund të dallosh për asnjë vend nëse ka standard të lartë apo të ulët. Përveç kësaj, u dëgjua se ministri i financave kërkon të heqë 100 për qind të fitimeve të kompanive shtetërore. Pra, rezulton se, pa prekur sektorin privat, do ta zgjidhim çështjen e të ardhurave në buxhet, duke vënë në gjunjë atë shtetëror dhe duke mos i lënë asnjë fond për riinvestim dhe rinovim.”
Dhe jo në vend të fundit, sipas Geçevit, është fakti se diskutimi për buxhetin do të zhvillohet në një situatë ku dy koalicionet e partive qeverisëse nuk i besojnë njëri-tjetrit dhe, thënë në mënyrë figurative, “njëra dorë nuk e di se çfarë po bën tjetra”.
A do t’i japë qetësi popullit ky buxhet?
“Për momentin duket se premtimi politik po realizohet deri në fund të këtij viti, që me këtë buxhet të mos rriten taksat dhe të mos anulohen pagesat sociale – tha ekonomisti Lëçezar Bogdanov në një intervistë për BNR. - Megjithatë, çështja do të rikthehet në rendin e ditës në shtator dhe tetor, kur do të shqyrtohet perspektiva buxhetore për 3 vitet e ardhshme. Atëherë është e mundur të imponohen edhe ndryshime strukturore në financa dhe një rimendim i disa programeve të mëdha sociale. Nga ana tjetër, të ardhurat janë gjithmonë në rrezik dhe në këtë kuptim, unë e mirëpres idenë që arkëtimet duhet të rriten, por duhet ta bëjë një politikë të qëndrueshme, jo një masë paliative për disa muaj, e cila më pas do të anulohet.”
Në lidhje me synimin e Bullgarisë për t’u bërë pjesë e Eurozonës nga fillimi i vitit 2025 gjithashtu po diskutohet në mënyrë aktive mundësia e aplikimit të pagesës paralele me leva dhe euro. Ideja është e ministrit të financave, por, sipas tij, nuk është e mundur të ndodhë këtë vit. Zëvendëskryetarja e Dhomës së Tregtisë Bullgare Maria Minçeva komentoi:
“Kjo është sfidë kur bizneset nuk janë të përgatitur. Të paktën 6 muaj nevojiten për përgatitje praktike për ndryshime të tilla. Do të kërkohet një ndryshim në sistemet e kontabilitetit. E gjithë kjo kërkon kohë. Dhe ne nuk e dimë se cili është qëllimi i këtij propozimi.”
Minçeva komentoi edhe një ide tjetër të Asen Vasilev - për pagesën e pagave tërësisht me transferime bankare për ata që punojnë në biznesin e hotelerisë dhe restorantit:
“Nga njëra anë, në të gjithë vendin nuk ka mjaftueshëm ATM dhe një ide e tillë do të ndikojë negativisht tek personat me të ardhura më të ulëta dhe në punësimin sezonal. Para se të vendosen masa të tilla, duhet të sigurohet që njerëzit të kenë mundësinë të kenë paratë e tyre në terma realë.”
Nëse projektbuxheti do të pësojë ndonjë ndryshim varet nga përfaqësuesit e popullit – do të diskutohet në komisionin e buxhetit, e më pas në sallën plenare. Dhe ne do të vazhdojmë ta monitorojmë temën derisa të hyjë në fuqi, ndoshta në gusht.
Përpilues: Ioan Kolev
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Foto: BGNES, pixabay
Ne po shkojmë drejt opsionit që të mos kemi një buxhet të miratuar shpejt për vitin 2025, tha për BNR Llëçezar Bogdanov, kryeekonomist nga Instituti për Ekonominë e Tregut. Gjatë prezantimit të opsionit alternativ të institutit për buxhetin e shtetit,..
Në 15 vjet - nga 2005 deri në 2020, 75% e ekonomive bujqësore në vend janë zhdukur . Zvogëlimi është nga 500 000 në vitin 2005 në 132 000 deri në vitin 2020, njoftoi Prof. Dr. Bozhidar Ivanov - drejtor i Institutit të Ekonomisë Agrare, në kuadër..
Vetëm për 9 muajt e parë të vitit 2024, Banka Kombëtare Bullgare nxori në qarkullim në vend rreth 11 milionë kartëmonedha të reja nga 100 leva. Nëse në fillim të vitit kishte më shumë se 131 milionë monedha në qarkullim, në fund të shtatorit ato ishin..