Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Petër Zhotev ëndërron të zbulojë një kurë për kancerin dhe bioteknologji për të luftuar ndryshimet klimatike

Shkencëtari i ardhshëm po mbledh fonde për studimet e tij në Kembrixh

Foto: arkiv personal

Shërimi i njerëzve dhe shpëtimi i planetit mund të jetë një ëndërr e realizuar - veçanërisht kur je 19 vjeç dhe kufiri i ambicieve të tua tejkalon hapësira të paarritshme për syrin dhe imagjinatën.

Prej disa vitesh Petër Zhotev mbledh njohuri për realitetin që na rrethon, duke shfrytëzuar mundësitë e mëdha të shkencës. "Biologjia është shumë interesante sepse na lejon të shikojmë në brendësinë e një qelize të gjallë, të shohim se çfarë ndodh në të në nivel molekular dhe kështu të kuptojmë më mirë botën në të cilën jetojmë", thotë maturanti i Shkollës së Mesme të Matematikës në Sofje.

Petër Zhotev është pranuar në Kolegjin prestigjioz Trinity në Kembrixh, ku do të studiojë shkencat e natyrës për tre vjet.

Shkencëtari i ardhshëm u apasionua pas shkencave natyrore në klasën e 7-të, kur mësuesja e tij e biologjisë Miglena Georgieva e inkurajoi atë të merrte pjesë në një konkurs kombëtar me këtë temë. Ai duhej të mësonte më herët materialin për klasat e 8-ta dhe të 9-ta që të ishte i barabartë me nxënësit më të mëdhenj. Kështu ai fitoi medaljen e tij të parë të argjendtë, e cila do t'i ndriçonte rrugën këtij djali në kërkim të profesionit të tij të ardhshëm – rrugë e cila kishte qenë e padukshme për të deri tani.

Më shumë arritje pasuan në vijim, mes tyre një medalje argjendi në Olimpiadën Evropiane të Shkencës dhe një prezantim i projektit të tij në Konkursin Evropian për Shkencëtarët e Rinj. “Numri i medaljeve nuk është gjëja më e rëndësishme, por përvoja e grumbulluar, sepse në gara jo vetëm mëson gjëra të reja në lidhje me fushën tënde shkencore, por takohesh edhe me njerëz të nacionaliteteve të ndryshme dhe fiton aftësi të punës në grup”, shton Petër Zhotev.

I riu i talentuar mori pjesë në Olimpiadën Ndërkombëtare të Biologjisë në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe fitoi medaljen e artë.

Dhe për të arritur qëllimin e tij, së bashku me pjesëmarrësit e tjerë iu nënshtruan trajnimit me profesorë nga Universiteti i Sofjes “Shën Kliment Ohridski”.

Ja se çfarë tha Petër Zhotev para mikrofonit të Radio Bullgarisë pak para se të fitojë medaljen e artë:

“Katër biologët më të mirë nga secili vend pjesëmarrës kualifikohen për Olimpiadën – shpjegon ai. - Por fillimisht më duhej të kaloja tre raundet e Olimpiadës Kombëtare të Biologjisë dhe më pas të kaloja një përzgjedhje shtesë në Universitetin e Sofjes. Sa i përket medaljes së artë, po, unë pres të përmirësoj rezultatin tim dhe do të synoj vendin e parë, edhe pse sigurisht që nuk mund të garantoj asgjë.”

Petër Zhotev për një vit ishte pjesë së bashku me shkencëtarët e Akademisë Bullgare të Shkencave në zhvillimin e një projekti të rëndësishëm shkencor lidhur me blegtorinë.

Ideja është që kafshët shtëpiake – dele, lopë etj., të zgjedhin gjininë e brezit ende para lindjes – thotë ai. - Dhe duke qenë se individët femra janë më të dobishme për prodhimin e qumështit, kjo do të çonte në rritjen e efikasitetit në bujqësi. Kjo teknologji aktualisht është duke u testuar te kafshët dhe nëse eksperimentet janë të suksesshme, ne do ta patentojmë atë. Unë vetë isha i përfshirë në pjesën laboratorike të testimit nëse një substancë e caktuar mund të ndajë spermatozoidet e kafshëve në ato që do të prodhojnë pasardhës meshkuj dhe në ato që do të prodhojnë pasardhës femra. Kjo fazë ishte e suksesshme, kështu që ne kaluam në testimin e kafshëve, i cili tani kontrollohet nga shkencëtarët e Akademisë Bullgare të Shkencave.”

I diplomuari i ardhshëm i Kembrixhit shpreson që një ditë të merret me biologji molekulare dhe gjenetikë për të kontribuar në krijimin e ilaçeve të reja kundër sëmundjeve të tilla si kanceri, si dhe në gjetjen e bioteknologjive të reja për të ndihmuar në luftimin e ndryshimeve klimatike dhe ndotjes. Ai ende nuk është i sigurt se ku do t'i përmbushë ëndrrat e tij shkencore, por betohet se herët a vonë do t'ia kthejë Bullgarisë atë që ka mësuar në shenjë mirënjohjeje për njerëzit që i kanë dhënë dorën. Ndërkohë, duke ndjekur shembullin e motivuesve të tij - "të gjithë shkencëtarët, eksploruesit që nisen drejt të panjohurën dhe të paeksploruarën", ai do të përpiqet të marrë më të mirën nga studimet e tij në Kembrixh.

Nuk do të thoja që i kam vënë vetes një kufi. Tani për tani, motoja ime është lart e më lart”, thotë i diplomuari i ardhshëm i Kolegjit Trinity nga kanë dalë shkencëtarë të shkëlqyer si Isaac Newton dhe Charles Darwin, si dhe 121 laureatë të vlerësuar me çmimin Nobel.

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello

Foto: arkiv personal




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Darren Carter

Një ish-ushtarak britanik i thur rima Bullgarisë

Pasi i kushtoi 23 vite të jetës së tij Marinës Mbretërore, britaniku Darren Carter vendosi të tërhiqej në vitin 2013. Ai pranon se për vite me radhë ka lundruar pa qëllim nëpër “ujërat e trazuar të jetës” – nga puna në punë, nga vendi në vend. Derisa..

botuar më 24-10-13 10.05.PD

Një bullgar nga zona e Vracës mund të jetë njeriu më jetëgjatë në botë

Kodet e identitetit janë baza e gjenealogjisë - një shkencë që merret me prejardhjen e brezave, me origjinën njerëzore, me lidhjet farefisnore. Kodet e identitetit na dallojnë si njerëz - është i bindur për këtë asistenti kryesor Rosen Gacin nga..

botuar më 24-10-04 7.40.PD

Asgjë nuk është e pamundur në muzikë

Më 1 tetor, bota feston gjuhën universale të muzikës. Vështirë se dikush dyshon në aftësinë e këtij arti për të shëruar shpirtrat dhe për t'u dhënë krahë mendimeve, por sot do të shtojmë edhe një histori tjetër që e vërteton këtë - atë të bateristit të..

botuar më 24-10-01 7.30.PD