Pas një mbledhjeje që zgjati afro 24 orë, deputetët më në fund miratuan buxhetin për këtë vit. Kuadri financiar llogaritet me një deficit prej 3 për qind - në bazë të përllogaritur, duke ruajtur një pjesë të madhe të programit të kapitalit të propozuar fillimisht. Buxheti pritet të publikohet në Fletoren e Shtetit brenda datës 1 gusht.Ndër ndryshimet e miratuara është rritja e pagave të punonjësve të policisë, ushtarakëve, atyre që punojnë në Agjencinë Kombëtare të të Ardhurave, dogana, Agjencinë Shtetërore për Sigurinë Kombëtare, Ndihmën Emergjente, Inspektimet Shëndetësore Rajonale, burgje, rojën e gjykatave dhe disa struktura të tjera publike nga 1 gushti. Shpenzimet e reja të miratuara nga deputetët arrijnë në mbi 375.6 milionë leva dhe do të jenë në llogari të më pak shpenzimeve kapitale. Dita nuk kaloi pa probleme, gjë që bëri të nevojshme një takim urgjent të liderëve të GERB dhe PP-DB - Bojko Borisov, Kiril Petkov dhe Hristo Ivanov. Arsyeja ishte, që në komisionin parlamentar financiar deputetët e partisë së Borisovit bojkotuan propozimet e ministrit të financave Asen Vasilev për pjesën e të ardhurave të thesarit. Kjo bëri që ministri i financave të deklaronte se nuk e mbështet më projektbuxhetin e shtetit. Megjithatë, pas takimit të lidershipit u bë e qartë se të gjitha propozimet e Asen Vasilev për masat e të ardhurave do të pranohen me korrigjime të caktuara dhe Bullgaria do të ketë një buxhet që do t’u shërbejë qytetarëve bullgarë. Tekstet e diskutueshme për GERB-in kishin të bënin me dëshirën e Asen Vasilev që kompanitë me staf prej 50 e më shumë persona të detyrohen të paguajnë pagat e punonjësve vetëm me transfertë bankare. Ky detyrim duhej të zbatohet edhe për punëdhënësit që ofrojnë shërbime restoranti dhe hotelerie, pavarësisht se sa njerëz punojnë për ta. Kritikat kryesore ishin se kjo nuk do të çonte në eliminimin e fenomenit “rroga në zarf”, por do të rëndonte biznesin dhe se në qytetet e vogla nuk ka as ATM dhe as terminale POS dhe tarifat bankare janë shumë të larta dhe do të çojnë në varfërimin e punonjësve me paga më të ulëta. Megjithatë, kufizimi mbeti për kompanitë me 100 dhe më shumë punonjës. Deputetët miratuan edhe taksimin e fitimeve të tepërta të kompanive energjetike për të rimbushur fondin “Siguria e Sistemit Energjetik”. Qëllimi është që biznesi të kompensohet me fondet e tij nëse çmimi i energjisë elektrike kalon 200 leva për megavat orë.
Në fund ministri i financave Asen Vasilev deklaroi:
“Buxheti është brenda parametrave të përcaktuar fillimisht me një deficit 3 për qind, një program serioz kapital dhe rishpërndarje të një pjese të kostove kapitale për pagesë shtesë, të cilën parlamenti e bëri në shumën rreth 300 milionë leva. Një pjesë e madhe e masave fiskale u mbajtën gjithashtu në mënyrë që të mblidhen të ardhurat.”
Makroekonomisti Georgi Ganev , i cili është anëtar i grupit parlamentar të “Po e vazhdojmë ndryshimin - Bullgaria Demokratike” dhe anëtar i komisionit të buxhetit në Kuvendin Popullor, në një intervistë për BNR-Plovdiv tha:
“Buxheti 2023 është zgjidhja e mundshme e arsyeshme në situatën në të cilën ndodhemi. E dimë që ajo nuk është aspak e thjeshtë. Dhe e gjithë kjo për shkak të vendimit të kabinetit zyrtar, të mos paraqesë buxhet të rregullt kur ishte koha ligjore, përkatësisht – fundin e tetorit të vitit paraprak.”
Sipas ekonomistit Krasen Stançev, miratimi i buxhetit ishte imperativ për të mos shpërbërë qeverinë.
“Problemi nuk është deficiti 3 për qind dhe sigurimi i tij, por problemi është se që nga viti 2012 kufizimi për Bullgarinë, që korrespondon me stabilitetin e të gjithë sistemit, është 2 për qind deficit buxhetor. Ka edhe gjëra të tjera që lidhen me stabilitetin e sistemit”, vuri në dukje Stançev për BNR.
Sipas tij, ky është një “buxhet për 3 muaj” dhe në përputhje me rrethanat, disa gjëra duhet të parashikohen deri në fund të vitit 2025 (me synimin e vënies së euros në qarkullim), ndër të cilat janë shpenzimet relativisht të ulëta të qeverisë, borxhi relativisht i ulët etj. Megjithatë, ai nuk ka asnjë shqetësim për buxhetin aktual.
“E sigurta në këtë buxhet janë shpenzimet”, theksoi ekonomisti. Lidhur me masat e propozuara për pjesën e të ardhurave, ai shpjegoi se nëse të ardhurat rezultojnë më të vogla, mund të çojë në marrjen e një kredie për financimin e detyrimeve korente.
Përpilues: Joan Kolev
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Foto: BTA, BGNES
Punëdhënësit po kundërshtojnë në gjykatë rritjen e pagës minimale. Asociacioni i Kapitalit Industrial në Bullgari njoftoi se paraqitën një ankesë në Gjykatën e Lartë Administrative. Rreth 430 000 njerëz në vend marrin pagën minimale. Ka dy arsye për..
Nëse kriza politike vazhdon, përfitimet e humbura do të arrijnë një prag nga i cili biznesi bullgar në mënyrë të pakthyeshme do të fillojë të humbasë aftësinë konkurruese për shkak të deficiteve në rritje në arsim, kujdesin shëndetësor,..
Ne po shkojmë drejt opsionit që të mos kemi një buxhet të miratuar shpejt për vitin 2025, tha për BNR Llëçezar Bogdanov, kryeekonomist nga Instituti për Ekonominë e Tregut. Gjatë prezantimit të opsionit alternativ të institutit për buxhetin e shtetit,..