Importet e grurit të Ukrainës kanë tërhequr një vijë të trashë ndarëse midis Brukselit, disa vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe Kievit. Pasi Komisioni Evropian vendosi më 15 shtator të mos zgjasë kufizimet në importet e grurit nga Ukraina në Poloni, Hungari, Sllovaki, Bullgari dhe Rumani, tre prej këtyre vendeve vendosën menjëherë një ndalim të njëanshëm dhe shtetet e tjera anëtare, si Kievi, i kritikuan ata se veprojnë në kundërshtim me ligjin dhe në favor të Rusisë. Polonia, Hungaria dhe Sllovakia e justifikuan masën me arsyetimin se ajo mbron fermerët e tyre nga importet e lira.
Nga ana tjetër, Brukseli e justifikoi vendimin e tij për t'i dhënë fund ndalimit me faktin se, që nga futja e tij në pranverë, shkaqet e vështirësive të përjetuara nga pesë vendet fqinje të Ukrainës tashmë janë zhdukur. Brukseli deklaroi gjithashtu se mallrat bujqësore të importuara nga Ukraina plotësojnë të gjitha kërkesat evropiane. Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian Valdis Dombrovskis theksoi:
“Sa i përket ndalimit të ushqimit ukrainas në pesë shtete anëtare, aktualisht nuk po shohim shtrembërim të tregut në këto pesë vende, kështu që ne nuk do ta zgjasim ndalimin. Duhet të theksohet se kjo është një masë paraprake ekstreme, jo diçka që duhet të funksionojë pafundësisht.”
Vendimi u mor pasi Ukraina propozoi një regjimi licencimi për eksportet bujqësore për të shmangur vështirësitë e reja dhe përmbytjen e tregjeve të vendeve fqinje.
“Do të ketë masa të tilla nga pala ukrainase dhe padyshim që ne, nga Komisioni Evropian, do të vazhdojmë ta monitorojmë situatën. Nëse ka një shtrembërim në treg, nëse ka nevojë të justifikuar për mbrojtje urgjente, kjo mbetet si një mundësi. E rëndësishme për momentin është që të gjitha shtetet të punojnë në frymën e kompromisit, të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të gjejnë një zgjidhje të problemit. Dhe sigurisht, do të ishte më mirë që shtetet anëtare të përmbahen nga masat e njëanshme", tha Dombrovskis.
Polonia, Hungaria dhe Sllovakia jo vetëm që nuk e ndoqën këshillën e Dombrovskis, por vendosën një kufizim të njëanshëm një ditë pas heqjes së ndalimit.
Hungaria njoftoi menjëherë se do të mbyllte kufirin e saj për 24 produkte ukrainase. Kryeministri Viktor Orbán shkroi në rrjetin social “X”:
"Është koha t'i marrim gjërat në duart tona! Produktet bujqësore ukrainase të destinuara për në Afrikë po i vërshojnë tregjet e Evropës Qendrore. Burokratët në Bruksel i injorojnë problemet e fermerëve evropianë."
Tensionet u rritën pasi Ukraina deklaroi se do ta paraqesë një ankesë kundër tre vendeve në Organizatën Botërore të Tregtisë, ndërsa presidenti Volodimir Zelenski i tha Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së se disa vende po demonstrojnë një solidaritet me Ukrainën por në fakt e mbështesin në mënyrë indirekte Rusinë. Pasoi një reagim nga presidenti polak Andrzej Duda:
"Ka qarqe biznesi që kanë interesa në Ukrainë dhe dëshirojnë të shesin drithin sa më shpejt të jetë e mundur dhe me çmimin më të ulët të mundshëm. Ne duhet të mbrohemi nga kjo. Është mirë që Ukraina të kujtojë se po merr ndihmë nga ne dhe po ashtu se ne jemi një vend tranzit për prodhimin ukrainas.”
Kryeministri polak Mateusz Morawiecki shkoi edhe më tej, duke thënë se Varshava - aleati kryesor i Ukrainës që nga fillimi i luftës - nuk do ta furnizonte më me armë Kievin.
Ky njoftim u zbut më pas nga presidenti Duda, i cili tha se Kryeministri ka pasur parasysh që Polonia nuk do t'i jepej Ukrainës armë prej furnizimeve të reja. U dha një garanci se Varshava do të vazhdojë ta ndihmojë Ukrainën, por "jo me koston e destabilizimit të tregut polak".
Analistët po shohin argumente të brendshme politike pas përshkallëzimit të problemit të importit, duke përfshirë zgjedhjet e ardhshme në Poloni dhe Sllovaki dhe dëshirën për të tërhequr votat e fermerëve.
Ndërkohë, Komisioni Evropian paralajmëroi se mund të ndërmarrë procedime penale për shkak të masave të njëanshme të vendosura. Kishte edhe kritika nga disa vende anëtare ndaj të tjerëve. Spanja, e cila mban presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian, i konsideron të paligjshme veprimet e Polonisë, Hungarisë dhe Sllovakisë. Ministri i Bujqësisë Luis Planas Puchades deklaroi:
"Për mendimin tim fakti që çdo vend anëtar ndërmerr veprime të njëanshme që kufizojnë aksesin në tregun e përbashkët, bie në kundërshtim me ligjin. Por Komisioni Evropian duhet të marrë vendimin."
Berlini dhe Parisi kritikuan gjithashtu importet e kufizuara. "Ky është "solidaritet për orë". Kur është e përshtatshme, ka solidaritet, dhe kur nuk është, nuk ka solidaritet. Më vjen shumë keq, sepse i vetmi person që përfiton nga kjo është presidenti rus Vladimir Putin. Dhe tani ai po fërkon duart”, komentoi ministri gjerman i bujqësisë Cem Özdemir.
“Sfidat që duhet të na bashkojnë po përdoren si armë gjeopolitike. Arma energjetike është përdorur dhe tani është radha e armës ushqimore, të cilën Rusia po e shfrytëzon për shantazhe krejtësisht të paskrupullta”, theksoi ministrja franceze e punëve të jashtme, Francë, Catherine Colonna:
Një përparim i pjesshëm në këtë rast erdhi pasi Ukraina dhe Sllovakia ranë dakord për një sistem licencimi të tregtisë së grurit. Pasi ai fillon së funksionuari, Bratislava do të heqë ndalimin.
Kievi nga ana e vet ka rënë dakord të ndalojë ankesën në Organizatën Botërore të Tregtisë kundër Sllovakisë, ndërsa sa i përket Polonisë ka pranuar të punojë me Poloninë derisa të arrihet një zgjidhje në mosmarrëveshje.
Rumania, e cila është bërë një vend tranzit për më shumë se 60% të drithit ukrainas që nga fillimi i bllokadës ruse të Detit të Zi në korrik, ka njoftuar se nuk do të importojë drithë për 30 ditë - periudha në të cilën duhet të përgatitet një sistem licencimi, me ndihmën e të cilit tregu rumun nuk do të preket.
Vetëm Bullgaria nga pesë vendet hoqi dorë nga ndalimi me vendim të parlamentit dhe në vendin tonë kjo çoi në protesta të mëdha nga fermerët. Si rrjedhojë e kësaj u zhvilluan bisedime dhe u arrit një rezolutë - nuk do të ketë importe luledielli nga Ukraina derisa të bihet dakord për një kuotë. Futet një regjim licence për importin e grurit, misrit dhe farave të rapit. Shkurtohen afatet për pagesën e subvencioneve bujqësore.
Tihomir Bezllov nga Qendra për Studimin e Demokracisë komentoi rebelimin e Polonisë, Hungarisë dhe Sllovakisë dhe ku po shkon politika bujqësore evropiane:
"Ka zgjedhje në Poloni dhe Sllovaki. Kjo i detyron pushtetarët që të përpiqen të mos humbasin fermerët e vegjël. Është interesante se çfarë do të ndodhë pas zgjedhjeve në këto vende, sepse ka mekanizma për ndëshkimin e vendeve që shkelin, në këtë rast, politikën e tregtisë së jashtme të BE-së. Me siguri pas zgjedhjeve Polonia do të ndryshojë politikën e saj. Ajo arriti në konfrontime të ashpra me Ukrainën, të cilën e mbështeste në mënyrë shumë aktive. Tani po merren masa për ndalimin e furnizimit me armë të paguara nga buxheti polak. Është e dukshme se vendet kufitare kanë probleme serioze për të konkurruar me prodhimin bujqësor ukrainas. Supozoj se po kërkohen negociata, kompromise dhe përjashtime nga politika e përgjithshme.”
Në Bullgari vërehet një përqendrim i jashtëzakonshëm i pronësisë së tokës, që është një trend negativ, thekson eksperti. Vlera e shtuar jashtëzakonisht e ulët në bujqësi në vendin tonë gjithashtu është një faktor negativ: "Drithërat, këto janë kulturat më të lira. Një krahasim – për nga prodhimi i drithërave, Bullgaria është e para në BE me 65%, e fundit është Holanda me 1%. Bullgaria ka eksportuar drithëra për 5 miliardë euro në 2021, dhe Holanda - për më shumë se 90 miliardë.”
“Modeli evropian për dhënien e subvencioneve përdorte si bazë “sipërfaqen”. Ky model shpopullon edhe më shumë vendin dhe çon në një përqendrim shumë të shpejtë”, shpjegoi Bezllov. Ai theksoi se BE-ja përpiqet ta ndryshojë këtë trend negativ duke vendosur tavane për subvencionin:
“Problemi është se nuk ka politika në nivel kombëtar dhe më e keqja është se nuk do të largoheni nga ky përqendrim, tashmë kriminal në shumë drejtime, sepse vazhdoni të merrni para nga subvencionimi europian, edhe pse e tejkaloni tavanin prej 300 000. Sivjet tavani u ul në 100 000.
Subvencionet më të mëdha në Bullgari të marra nga kompanitë që janë të përqendruara rreth një familjeje, janë 48 milionë. Në vitin 2015 kur vendosën tavanin prej 300 000, ato ishin 30 milionë. Për të marrë 30 milionë, duhet të krijosh 100 kompani që të mos e kalosh tavanin. Duke i krijuar këto 100 kompani, ju në fakt krijoni një organizatë kriminale me qëllim kryerjen e një vepre penale. Tani, nëse merrrni të njëjtat 30 milionë dhe keni një tavan prej 100 000, duhet të krijoni 300 kompani të tilla dhe këtë e ka të qartë Fondi Shtetëror “Bujqësia”.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Ky material është përgatitur në kuadër të rrjetit radio evropian “Euranet Plus”. Mund ta dëgjoni atë me tingullin e tij origjinal në bullgarisht KËTU.
Në prag të Lindjes së ndritur të Krishtit – Natën e Buzmit, Shenjtëria e Tij Patriku Bullgar Daniill dhe Mitropolit i Sofjes iu drejtua të gjithë fëmijëve të Kishës sonë Ortodokse. “Në lutje të qeta, të mbledhur rreth vatrës së ngrohtë të shtëpisë,..
Mbrëmjen e 25 dhjetorit në Teatrin Kombëtar “Ivan Vazov” nën patronazhin e kreut të shtetit do të zhvillohet edicioni i njëzet e dytë i shfaqjes bamirëse “Krishtlindjet Bullgare”. Nisma është nën moton “Të japim shpresë një fëmije në vështirësi”, dhe..
Nata e Buzmit është një nga ato festat e qeta familjare, të mbushura me shpresë për ditët në vijim. Në kufirin mes të shkuarës dhe të tashmes, bullgarët ortodoksë, kudo që janë të shpërndarë nëpër botë, mblidhen për të pritur Krishtlindjet...
Plaku i Krishtlindjeve do të shpërndajë dhurata për kafshët në Kopshtin Zoologjik të Burgasit më 25 dhjetor. Planifikohet një turne festiv nëpër..
Optimizëm i kujdesshëm për Sirinë - ky është pozicioni që ka mbizotëruar deri më tani në BE që nga rënia e regjimit të Bashar Asadit. Shumica e politikanëve..
Skulptura "Lindja e Krishtit prej rëre në Burgas", të cilën artistët britanikë Paul dhe Remy Hogarth po e skulpturojnë në qendër të Burgasit para syve të..