Ai ka performuar në disa nga skenat më të mëdha botërore. Thotë se nuk është nga ata muzikantë që kanë emocione para shfaqjes, por kur qëndron përballë publikut të tij vendas, të Varnës, gjërat ndryshojnë. E gjithë “pesha” e famës dhe krenarisë ndihet duke luajtur përballë familjes, të afërmve dhe miqve të fëmijërisë. Dhe pikërisht këtë e përjetoi në fillim të javës Mirosllav Petkov, trumbetari i parë i Orkestrës Mbretërore Concertgebouw të Amsterdamit (Royal Concertgebouw Orchestra). Galeria e Arteve e qytetit të vendlindjes së tij Varna organizoi një koncert nga projekti "New Music Stage", në të cilin muzikanti virtuoz dhe pianistja Viktorija Vasilenko i dhuruan publikut mjeshtëri dhe emocione. Një pikë kulmore e programit ishte premiera botërore e sonatës për trumbetë dhe piano "Alfa dhe Omega", shkruar nga një tjetër qytetar i Varnës me njohje ndërkombëtare - Martin Georgiev, dirigjent i baletit të Royal Opera House Covent Garden.
"Vepra ka një bazë të krishterë dhe bazohet në librin e fundit të Biblës – Zbulesa e Gjonit", tha Mirosllav Petkov për Radio Bullgarinë. Një sonatë me nëntë pjesë të mbushura me simbolizëm, të luajtur për herë të parë në një koncert plot kontraste. Në unison me historinë e jetës së bullgarit të talentuar.
“Prindërit e mi kanë profesione mjaft normale, të cilat i vlerësoj shumë, sepse kjo më kthen gjithmonë në të ashtuquajturën jetë reale. Dhe megjithëse nuk janë muzikantë profesionistë, prindërit e mi kanë patjetër një vesh muzikor”, pranon Mirosllav Petkov.
Nëna e tij e “dëgjoi” talentin e tij dhe në moshën 11-vjeçare e regjistroi në Shkollën Kombëtare të Arteve “Dobri Hristov” në Varna. Por nëse duhet të jemi edhe më specifik - dashuria e vërtetë mes Miros së vogël dhe trumbetës nis përmes ekranit blu dhe miqve të dashur vizatimorë të fëmijëve të viteve '90.
“Kam parë shumë filma vizatimorë ku kishte muzikë reale dhe të luajtur me shumë mjeshtëri, me muzikë të theksuar të instrumenteve frymore. Më pas, trumbeta më bëri përshtypje më të madhe si tingull dhe vendosa që doja të luaja në këtë instrument”, kujton muzikanti.
Pavarësisht këtij takimi të parë tragjikomik, vetëm pas një viti në shkollën e muzikës, Miro u bë pjesëmarrës i suksesshëm në një sërë garash kombëtare dhe ndërkombëtare. Sot ai luan në lloje të ndryshme trumbetash dhe thotë se marrëdhënia dhe qëndrimi me secilën prej tyre është i ndryshëm. “Çdo instrument ka karakter të ndryshëm. Është si të komunikosh ndryshe me miqtë në situata të caktuara”, na thotë ai. Krahason tingullin e trumbetës me zërin e sopranos. Ai ende ruan dhe luan një nga trumbetat e tij të para nga shkolla. Një dhuratë shumë e veçantë është edhe trumbeta Piccolo, të cilën e ka marrë nga prima e muzikës pop bullgare, Lili Ivanova. Dhe disi natyrshëm nota patriotike lindin në bisedën tonë. Edhe pse vetëm 18 vjeç ai shkoi për të studiuar në Universitetin e Muzikës në Detmold të Gjermanisë (Hochschule für Musik në Detmold) si student i Prof. Max Sommerhalder, Mirosllav sqaron i emocionuar:
“Fillimisht shkova në Sofje sepse isha kundër studimeve jashtë vendit. Thashë me vete - të gjithë shkojnë jashtë, dhe unë do të qëndroj në Bullgari dhe do të zhvillohem këtu. Mbas gjashtë muajsh m'u bë e qartë se si i ri në kërkim të zhvillimit, duhej të largohesha për të zgjeruar horizontet e mia. Ishte e rëndësishme për mua të shkoja të shikoja një kulturë tjetër, njerëz të tjerë. Dhe kështu ndodhi. Unë shkova në Gjermani.”
Pas diplomimit, Miro filloi të ndërtonte një karrierë të vërtetë ndërkombëtare, duke fituar çmime në disa nga konkurset më prestigjioze të trumbetës në botë, duke përfshirë: Konkursin Yamaha International Trumpet Contest, Gjermani; ARD Musikwettbewerb, Gjermani; Jeju International Brass Competition, Koreja e Jugut, etj. Nga viti 2012 deri në vitin 2016 ai ishte trumbetisti i parë i Nationaltheater Mannheim, Gjermani.
Të gjithë kuptimin e rëndësisë së këtij eklekticizmi kulturor sot Miro e përkthehen në gjuhën e muzikës. Në veprat e tij, shpesh përzien muzikën klasike, xhazin dhe folklorin. Ai është i bindur se folklori autentik, jo vetëm bullgar, është një urë lidhëse për të kuptuar stilet e tjera muzikore. Sepse muzika është e lidhur – thotë ai – vjen nga njerëzit dhe është për njerëzit.
“Folklori është mënyra e jetesës dhe përfaqëson shpirtin e njerëzve. Për mua si bullgar është e rëndësishme ta shfaq këtë stil jashtë, sepse e shoh që u pëlqen të tjerëve. Edhe pse jo gjithmonë e kapin ritmin, ata ndjejnë energjinë e folklorit tonë dhe kjo është e mjaftueshme”.
Sot, Petkov është në prag të sezonit të tij të tetë si trumbetar kryesor i një prej orkestrave më të mira në botë - Orkestrës Mbretërore Concertgebouw në Amsterdam. Ai e kombinon punën e tij atje me një karrierë solo ndërkombëtare dhe një aktivitet mësimor si profesor trumbete në Konservatorin e Amsterdamit (Conservatorium van Amsterdam). Sigurisht, çmimi i suksesit është i lartë, pranon bullgari. Shpesh herë angazhimet janë në kurriz të jetës personale, festave, pushimeve. Ditët e tua janë të mbushura vetëm me muzikë. “Duket si një sport olimpik, për të cilin njeriu përgatitet vetëm për të arritur rezultatet e kërkuara. Diçka e tillë është kjo jetë”, thotë Miro duke buzëqeshur.
“Suksesi im më i madh është se kam qenë në gjendje të jem rreth njerëzve që më kanë frymëzuar dhe më kanë shtyrë të jem gjithnjë e më i mirë në atë që bëj – të gjitha çmimet e tjera vijnë dhe shkojnë. Ato janë motivim i madh për të rinjtë, por arti nuk është garë për vendin e parë, të dytë apo të tretë. Nëse dikush fillon të merret seriozisht me të, ajo bëhet një mënyrë jetese. Dhe mënyra e jetesës, për mua personalisht, lidhet me atë se me çfarë njerëzish e rrethon veten për të mbetur një artist i gjallë dhe për të krijuar gjëra të reja”.
Përgatiti në shqip dhe përktheu: Kostandina Bello
Vetëm disa kilometra në perëndim të kufirit midis Greqisë dhe Shqipërisë dhe rreth 40 kilometra nga qendra rajonale e Korçës ndodhet qyteti shqiptar i Bilishtit. Pjesë e popullsisë intelektuale atje është edhe Llazo Nestori - përfaqësues i pakicës..
Më 27 tetor mbushen 165 vjet nga lindja e akademikut Aleksandër Teodorov-Ballan, i cili ishte teoricieni i parë i gjuhës letrare, fonetikës dhe gramatikës bullgare. Ai lindi në vitin 1859 në fshatin Kubej të Besarabisë. U diplomua në shkollën e..
Pas Çlirimit të Bullgarisë nga sundimi osman(1878), arkitektë nga Evropa u dyndën në Sofje, kryeqytetin e ri bullgar të shpallur në vitin 1879, për t'i dhënë asaj një pamje moderne dhe një organizim funksional. Në vitet 90-të të shekullit XX,..