Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Tema nga radio rrjeti evropian "Euranet Plus": A po ndikojnë importet kineze të peshkut në tregjet tona?

Pse janë të rëndësishme kuotat për kapjen e harengës së vogël dhe shojzës së detit në Detin e Zi si për Evropën, ashtu edhe për Bullgarinë?

Cilat janë rregullat e reja evropiane të kontrollit të peshkimit?

Foto: EPA/BGNES

Parlamenti Evropian bëri thirrje për më shumë qartësi se çfarë lloj ushqimesh deti nga Kina mund të blejmë në Evropë, si dhe për kontroll më të rreptë të peshkimit. 

Së shpejti do të hyjnë në fuqi rregullat e reja, si dhe kuotat e reja evropiane për harengën e vogël dhe shojzën e detit, të cilat peshkatarët tanë në Detin e Zi do të duhet t'i zbatojnë nga Viti i Ri.

Komisioni Evropian këmbëngul se kuotat për kapjen e harengës së vogël në Detin e Zi nuk duhet të ndryshohen për vitin 2024. Propozimet e tij për harengën e vogël, si dhe për shojzën e detit - do të diskutohen në dhjetor në Këshillin e Bashkimit Evropian.

Kuotat e vitit të ardhshëm për peshkimin e shojzës së detit do të bëhen të qarta tani në nëntor, pasi ato përcaktohen nga Komisioni i Përgjithshëm i Peshkimit për Mesdheun (GFCM).

"Organizata kujdeset për kapjen e qëndrueshme në Detin e Zi", shpjegoi për BNR ekspertja dhe pedagogja e së drejtës detare, docentja Vanja Stamatova.

Pse kuota e harengës së vogël është e njëjtë?


Sepse ne nuk i arrijmë dot kufijtë apo atë që na vendos Komisioni Europian çdo vit për harengën e vogël”, shpjegoi për BNR Emill Milev, kryetari i Shoqatës së Peshkimit “Lindja e Detit të Zi”.

“Shojzën e detit e kapim me sukses. Çdo vit bëhet vlerësim dhe kur ka përmirësim, kuota e shojzës së detit rritet”, shtoi ai.

Beteja për kuota më të mëdha për shojzën e detit


“Çdo shtet merr një kuotë! Aktualisht kuota e Bullgarisë për shojzën e detit është 75 tonë. Për harengën e vogël ajo është mbi 2 mijë tonë, të cilat ne nuk mund t'i plotësojmë dhe prandaj atje nuk ka “betejë”, theksoi docentja Stamatova.

"Ju e dini se sa vlen shojza e detit dhe sa kushton harenga e vogël!" Kjo është arsyeja e betejës – shojza e detit është një peshk i shtrenjtë! Dhe shojza e detit haset më rrallë në dallim të harengës së vogël”.

Që nga viti 2017 kanë filluar të analizojnë peshkimin e shojzës së detit, sepse ai ka filluar të ulet. Por fitorja e Bullgarisë që nga viti 2019 është se deri në vitin 2019 kemi pasur 57 tonë kuotë, dhe që nga viti 2019 kemi 75 tonë, pra kuota jonë është rritur”.

Ne gjithmonë luftojmë për kuota më të mëdha, por është mjaft e vështirë – kishim 40, 50, 55 tonë. Po shkojmë lart, ka përmirësim të stokut dhe shpresojmë që një ditë të arrijmë 150-200 tonë”, tha Milev nga Shoqata e Peshkimit:

Shojza e detit është një peshk i orientuar drejt eksportit, i cili eksportohet kryesisht në Turqi. Deti ynë është mjaft i varfër. Një pjesë e madhe e peshkimit komercial dimëror në periudhën janar-prill është lidhur me këtë lloj peshkimi dhe kuotat tona janë të vogla - nga 800 kilogramë deri në 1 ton për një anije. Bëhet fjalë për një xhiro 20-25 mijë leva, e cila është e pamjaftueshme që një anije të ekzistojë për tre muaj”.

Harengën e vogël e shesim kryesisht në tregun tonë. Tregu rumun është gjithashtu një konsumator mjaft i madh”, shtoi ai për harengën e vogël.

Lidhur me peshkimin e shojzës së detit në periudha të caktuara të vitit, docentja Stamatova sqaroi se "çdo vend vendos një ndalim të vet për peshkimin e shojzën e detit":

Ndalim ka edhe në Bullgari – nga 10 prilli deri më 10 qershor. Parimisht ndalimi është në të njëjtën kohë, por çdo vit jepet urdhër nga kur deri kur dhe në këto dy muaj nuk mund të peshkohet shojzë deti në Detin e Zi në Bullgari”.

Eksperti i së drejtës detare shpjegoi edhe procedurën e shpërndarjes së kuotave mes peshkatarëve në vendin tonë:

Kemi 75 tonë për Detin e Zi për Bullgarinë – 54 tonë shpërndahen në dy shoqatat e mëdha të peshkimit, në të cilat janë anëtarë peshkatarë me anije peshkimi – këto janë “BG Fish” dhe “Lindja e Detit të Zi”. Ata i dorëzojnë Agjencisë Ekzekutive të Peshkimit dhe Akuakulturave një listë me anije që duan të peshkojnë shojzë deti dhe Agjencia në fjalë kontrollon që anijet të plotësojnë kërkesat. Në fakt Agjencia Ekzekutive e Peshkimit dhe Akuakulturave u jep një kuotë shoqatave, dhe ato brenda përcaktojnë se cilit peshkatar sa kuotë t'i japë”.

Pjesa e mbetur prej 54 deri në 75 tonë është për peshkatarët individualë – ata me varka më të vogla, ose të tillë që nuk janë anëtarë të këtyre shoqatave. Kontrollohen sërish të gjitha dokumentet dhe kjo është procedura e peshkimit të shojzës së detit”, tha ish-drejtoresha ekzekutive e Agjencisë Ekzekutive të Peshkimit dhe Akuakulturës Vanja Stamatova.


Docentja Stamatova saktësoi edhe se si monitorohet peshkimi në vendin tonë:

Të gjitha varkat kanë regjistra elektronikë. Për anijet e mëdha, aktualisht ka qendra monitorimi në Varna dhe Burgas. Aty mund të shihni se cila anije kur largohet dhe kur hyn. Ato të voglat raportojnë peshkimin e tyre vetëm me një ditar elektronik. Për momentin ato nuk monitorohen me satelit - peshkatari i vogël del dhe në fund të ditës tregon një ditar elektronik, por ekrani nuk tregon kur ka dalë dhe kur ka ardhur në shtëpi”.

Kërkesat e reja evropiane për kontrollin e peshkimit

Pikërisht me synimin për të shmangur mashtrimin dhe për të mbledhur të dhëna më të sakta për menaxhimin më të mirë të burimeve detare, Parlamenti Evropian miratoi rregulla të reja për kontrollin e peshkimit.

Disa prej tyre janë fakt në Bullgari prej vitesh - për shembull regjistrimi dhe deklarimi i peshkimit në mënyrë elektronike.

Më parë të gjithë peshkatarët përdornim letër. Për vitin e tretë raportojmë peshkimin tonë vetëm në ditar elektronik – në fakt çdo gjë e raportojmë në mënyrë elektronike”, konfirmoi Emill Milev.

Sigurisht që i ka dobësitë e veta! Sistemi përmirësohet çdo vit dhe kjo krijon disa probleme, por shpresojmë që ato do të pastrohen. Si për shembull problemet me futjen, humbjen e të dhënave, por me sa duket kjo është normale për një sistem të ri”, vuri në dukje kryetari i “Lindja e Detit të Zi”, sipas të cilit digjitalizimi nuk ka ulur barrën administrative për peshkatarët.

Sipas fjalëve të tij, problemi është në vetë sistemin dhe “një sistem kur po ndërtohet është mirë se në të gjithë procesin e krijimit të tij të marrin pjesë edhe peshkatarët – kjo nga pikëpamja e mënyrave të futjes së të dhënave dhe lehtësimit të punës”:

Kur bëhet nga punonjësit, nga administratorët – na krijon probleme neve, peshkatarëve. Ne jemi mësuar 20 vjet për të regjistruar në letër dhe në një moment ata krijojnë një sistem për ne që është diçka krejtësisht ndryshe nga ajo që kemi bërë për vite. Dhe këtu filluan problemet!

Disa peshkatarë ia dalin, të tjerë jo – varet se kush është i mirë me përdorimin e teknikës! Por sido që të jetë, kjo është kërkesë e Bashkimit Evropian, e Komisionit, ndaj duam apo s'duam ky sistem duhet të funksionojë – ndryshe nuk mundet!” - tha docentja Stamatova për Sistemin Informativ të Statistikave që përdoret në vendin tonë.

Masat e reja, të cilat do të hyjnë në fuqi 20 ditë pasi të botohen në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian, kërkojnë që të gjitha varkat të kenë një pajisje monitorimi në bord, duke lejuar autoritetet kombëtare t'i lokalizojnë dhe t'i identifikojnë ato në intervale të rregullta.

“E reja është se për momentin ka pajisje monitorimi vetëm në anijet e mëdha mbi 12 metra”, tha docentja Vanja Stamatova, duke saktësuar se:

Ne i quajmë këtu ‘varka’, por në Bashkimin Evropian gjithçka është ‘anije’ – deri në 10 metra, deri në 12 metra dhe mbi 12 metra. Nuk ka fjalë "varkë" atje të gjitha janë "anije", d.m.th "vessels" në anglisht, dhe tani ata duan që të ketë pajise të tilla edhe në varkat e peshkatarëve të vegjël".

"Ka një periudhe tranzicioni deri në vitin 2030. Deri në këtë vit çdo vend mund ta vonojë vendosjen e këtyre pajisjeve për monitorim. Këta peshkatarë të vegjël me siguri do të protestojnë", parashikoi ekspertja.


Gjithashtu u theksua një risi tjetër - për varkat për pushim, të cilat gjithashtu do të duhet të deklarojnë peshkimin e tyre.

“Në këto varka gjithashtu do të vendoset një sistem i tillë i monitorimit të peshkimit, kështu qe, nëse kapin diçka, ata do të duhet të dërgojnë informacion në Komisionin Evropian”, shpjegoi docentja Stamatova, duke iu referuar rezolutës së miratuar nga eurodeputetët.

“E gjitha ka të bëjë me mbledhjen e të dhënave. Në Bullgari ka mjaft varka për peshkim rekreativ, ose siç thonë për turizëm, të cilat kapin peshq, qoftë edhe për konsum personal. Por është mirë që shteti ta disponojë këtë informacion, kur e bën vlerësimin e stokut, që të hyjnë të gjitha informacionet – jo vetëm ato nga peshkimi komercial, por edhe nga peshkimi rekreativ”, tha Emill Milev.

Rregullat parashikojnë gjithashtu ruajtjen e përqindjes së devijimit të lejuar të peshkimit.

Bëhet fjalë për këto 10%, sepse gjithmonë ka ndonjë mospërputhje mes deklaratave. Për shembull nëse në momentin e peshkimit në det deklarohet 1 ton peshk, dhe pas kësaj shkarkojmë 1 ton e 100, kjo është normale, sepse nuk mund peshohet dhe vlerësohet saktë në det”, shpjegoi Emil Milev.

Është planifikuar edhe instalimi i video-mbikëqyrjes, u bë e qartë nga debati në PE.

Monitorimi i peshkut të freskët dhe të ngrirë, si dhe i peshkut të përpunuar është i rëndësishëm. Kamerat në bord do të jenë të detyrueshme për anijet me gjatësi mbi 18 metra, si dhe mbikëqyrja me video”, tha raportuesja dhe eurodeputetja nga Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve nga Spanja, Clara Aguilera.

"Futja e monitorimit në distancë dhe e kamerave në bord më në fund do t'i japë fund hedhjes së paligjshme të peshkut, si dhe do të stimulojë metodat selektive të peshkimit në përputhje me politikat evropiane," shtoi Komisioneri Evropian për Buxhetin dhe Administratën Johannes Hahn.

Kamera në bord tashmë do të monitorojë atë që po ndodh në bord, por në fakt duhet të jetë fotografuar me shumë kujdes, sepse ajo që lexova është se nuk duhet të xhirohen njerëzit. Në fund të fundit, ky është informacion personal - xhirimet janë një temë prekëse”, theksoi doç. Vanja Stamatova për video-monitorimin, për të cilin kundërshtuan edhe disa eurodeputetë.

Vendosja e kamerave për të monitoruar peshkatarët është shkelje! Është turp! Një goditje tjetër për ta”, tha eurodeputetja italiane nga “Identiteti dhe Demokracia” Rosanna Conte.

"Le të jemi të saktë - ata që do të ndiejnë më shumë peshën e masave janë peshkatarët e vegjël, joindustrialë," shtoi eurodeputeti portugez nga "E majta" Joao Pimenta-López.

Sipas masave të reja, operatorët do të duhet ta ruajnë informacionin nga i gjithë zinxhiri i furnizimit: nga deti deri në pjatë.

Qëllimi - siguria ushqimore, konkurrenca më e drejtë dhe lufta kundër peshkimit të paligjshëm, të padeklaruar dhe të parregulluar.

"Rregullorja do të sigurojë gjithashtu kontroll më të mirë të importeve përmes sistemit CATCH," shtoi eurodeputeti spanjoll i Partisë Popullore Evropiane Francisco-José Millan Mon për sistemin e importit.

Nëpërmjet tij ndahen certifikatat e peshkimit, të cilat duhet të shoqërojnë çdo dërgesë të produkteve të peshkut që hyn në territorin e BE-së.

Ideja është të ndërpritet furnizimi i resurseve detare të fituara në mënyrë të paligjshme për të cilat ka dyshime se kanë ardhur nga Kina.


PE bëri thirrje për më shumë qartësi për importin e peshkut nga Kina

Kjo është arsyeja se pse, përmes një rezolute të Parlamentit Evropian, ata kërkuan edhe transparencë më të madhe nga Pekini.

Gjithashtu kërkohet informacion se sa produkte të kapura nga anijet kineze janë në tregjet evropiane.

Askush nuk e di se sa anije peshkimi ka Kina! Ata lundrojnë në dete të ndryshme, peshkojnë pa pajisje monitorimi, bëjnë eksporte të paligjshme,” pohoi docentja Stamatova dhe shtoi:

Në fakt, deri më tani, Bashkimi Evropian sikurse kishte frikë, sepse vërtet Kina e furnizon Evropën me shumë peshk dhe është hera e parë kur Bashkimi Evropian po merr masa të tilla.”

Çfarë lloj prodhimesh peshku nga Kina ka në tregun bullgar dhe a është i ndikuar ai nga ato?

Shumë lloje peshqish hyjnë në Bullgari nga Kina. Është normale që çdo import të ndikojë në treg”, tha Emill Milev nga “Lindja e Detit të Zi”.

“Tregu bullgar ka një konsum të ulët të peshkut - e dimë se konsumojmë 5-6 kilogramë për frymë të popullsisë. Dhe kur një pjesë e tyre zëvendësohet me peshk të importuar, është normale që kjo të ndikojë në tregun bullgar dhe peshkatarët”.

Produktet që vijnë nga Kina janë me çmime shumë më të ulëta dhe njerëzit riorientohen. Në tregun tonë nuk ka rëndësi cilësia, ka rëndësi çmimi!”, theksoi kryetari i Shoqatës së Peshkimit.

Foto: EPA/BGNES, Pllamen Gençev-Radio Vidin, BGNES

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva

Ky material është përgatitur në kuadër të rrjetit radio evropian “Euranet Plus”. Mund ta dëgjoni atë me tingullin e tij origjinal në bullgarisht KËTU.



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Pse Sofja është kryeqyteti i përshtatshëm për Tubimin Panortodoks

Me iniciativën e Kishës Ortodokse Bullgare, më 30 shtator dhe 1 tetor të vitit 1998, në Sofje u mblodh një Tubim Panortodoks për të ndihmuar kapërcimin e përçarjes midis klerikëve tanë. Atëherë, megjithë nxitjet e Patrikut të Stambollit Bartolomeu,..

botuar më 24-11-22 7.45.PD

Bullgaria është e para në BE që realizoi inteligjencën artificiale të nivelit të lartë në gjuhën e saj

Shteti ynë bëhet vendi i parë në BE që ka inteligjencë artificiale në një nivel të lartë teknologjik në gjuhën e tij, krijuar nga një organizatë shkencore me financim shtetëror. Inteligjenca artificiale e gjeneratës së re, e krijuar për të punuar në..

botuar më 24-11-20 2.59.MD
Ursula von der Leyen

Ekipi i ri i Ursula von der Leyen: a do të arrihet një "marrëveshje paketë" për të miratuar të gjithë komisionerët e BE-së

Eurodeputetët dëgjuan 26 kandidatët për komisionerë në Komisionin e ri të Ursula von der Leyen në komisionet përkatëse. Megjithatë, përfundimi i procedurës nuk çoi në një marrëveshje mes forcave politike për Komisionin e ardhshëm Evropian dhe ambicia është..

botuar më 24-11-20 9.20.PD