Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Komuniteti bullgar në zonën e Uashingtonit është i bashkuar pavarësisht largësive

Qendra e Komunitetit Bullgar në Uashington

Na bashkon ndjenja e humbur e atdheut, thotë bashkatdhetari ynë nga Uashingtoni, Prof. Asen Asenov, i cili e kalon kohën duke bërë studime mbi bullgarët përtej oqeanit. Pas ndryshimeve demokratike në Bullgari, vala e emigrantëve në Amerikë tërhoqi zvarrë shumë specialistë vendas, mes tyre edhe Prof. Asenovin. "Kjo është një tragjedi e madhe për Bullgarinë dhe një dhuratë e madhe për Shtetet e Bashkuara", thotë ai. Nuk ka statistika të sakta për numrin e bullgarëve që janë vendosur në SHBA. Ka shumë arsye për këtë - si për shkak të shpërndarjes së tyre ashtu edhe për shkak të legjislacionit të të dy vendeve.

"Sfida e parë është të përcaktohet se kush është bullgar. Nëse një fëmijë lind nga prindër bullgarë në SHBA, legjislacioni amerikan e konsideron atë amerikan, kurse legjislacioni bullgar e trajton si bullgar, vetëm nëse ka aplikuar për shtetësinë bullgare - shpjegoi Prof. Asen Asenov në një intervistë për Radio Bullgarinë - ai është gjithashtu një nga themeluesit e Qendrës së Komunitetit Bullgar në Uashington. - Sipas disa të dhënave, në SHBA ka mbi 400 000 bullgarë, që mendoj se është një numër i mbivlerësuar. Zyrtarisht besohet të jetë midis 120-130 000 njerëz, por ndoshta rreth 250-300 000. Për zonën e Uashingtonit (rreth 100 kilometra përreth) mendoj se jemi rreth 10-15 000 njerëz."

Asen Asenov

Përveç se është i përhapur gjithandej, komuniteti ynë në Tokën e Mundësive të Pafundme është gjithashtu shumë i larmishëm në interesat dhe aftësitë e tij.

"Në fund të viteve 90 të shekullit të kaluar mijëra bullgarë erdhën në SHBA dhe një nga gjërat që na bashkoi ishte ndjenja e humbur për atdheun, lidhjet me miqtë, kulturën, gjuhën. Rreth vitit 2000, interneti nuk ishte zhvilluar ende aq sa duhet për të parë televizion bullgar, filma bullgarë dhe për të pasur një lidhje më të gjallë me atdheun. Telekomunikacioni ishte mjaft i kushtueshëm dhe i kufizuar. Takimet e drejtpërdrejta të emigrantëve, të cilët erdhën këtu të stresuar nga mungesa e kontakteve, zhvillimi profesional u bënë një nga arsyet e krijimit të Qendrës së Komunitetit Bullgar për zonën e Uashingtonit - kujton Asenov. - Në vitin 2002 u themelua edhe shkolla bullgare “Shën Kliment Ohridski”. Më pas u shfaq ansambli i muzikës popullore "Specat djegës" me pjesëmarrjen e Cveti Doseva, Valeri Georgiev dhe muzikantë të tjerë që mbanin gjallë shpirtin bullgar. Fëmijët në shkollë atëherë ishin nga 30 deri në 40 dhe nuk do ta harroj kurrë energjinë me të cilën u krijua kjo shkollë nga entuziastët që morën përsipër këtë mision."

E hapur në vitin 2002 me bashkëpunimin dhe mbështetjen financiare të shumë bashkatdhetarëve - mjekëve, muzikantëve dhe juristëve, të cilët u kthyen në bërhtamën e saj socio-ekonomike, Qendra e Komunitetit Bullgar organizon 12 festivale filmi, 14 takime vjetore bullgare, që bashkojnë bullgarët – duke filluar që nga foshnjat edhe deri te të rriturit mbi 90 vjeç, koncerte të shumta të artistëve bullgarë dhe grupeve të kërcimit.

“Qëllimi është që këta njerëz të vijnë në shfaqjet tona, të krijojnë kontakte, të ruajnë kulturën e tyre. Për më tepër - ata punojnë dhe jetojnë mes amerikanëve dhe ne duam që ata të ftojnë miqtë e tyre të shohin pasurinë e kulturës sonë, muzikës, valleve, historisë, kuzhinës bullgare - të shohin universin e shpirtit bullgar. Ky ka qenë misioni i Qendrës së Komunitetit Bullgar për 23 vjet”, shpjegon Prof. Asenov.

Bullgarët nga Uashingtoni morën pjesë edhe në Festivalin Kulturor Botëror, i cili u mbajt në kryeqytetin amerikan në fund të shtatorit. Aty disa trupa folklorike nga SHBA-ja, së bashku me gajdexhinj dhe burra të maskuar (kukeri), prezantuan zonat e ndryshme folklorike të vendit tonë.

Jashtë rolit të tij aktiv shoqëror brenda komunitetit tonë, Aseni është një specialist i vlerësuar në fushën e ekonomisë:

“Në fund të viteve 1980 dhe në fillim të viteve 1990, unë isha mësues në Universitetin e Ekonomisë Kombëtare dhe Botërore në Sofje, por ndryshimi i ngadaltë dhe dëshira për zhvillim profesional më bëri të vij në SHBA – ndan ai arsyet e zgjedhjeve të tij që e cuan të jetojë përtej oqeanit. - Në vitin 2006 u bëra pedagog në Universitetin Amerikan në Uashington. Puna ime kryesore kërkimore për 6 vitet e fundit ka qenë në Institutin Kombëtar të Shëndetit në SHBA. Unë punoj atje si ekonomist dhe mund të them se është instituti më i mirëfinancuar dhe më i njohur i kërkimeve biomjekësore. Në të punojnë studiues nga e gjithë bota, përfshirë Bullgarinë. Puna ime atje është të përgatis analiza financiare dhe vlerësime të ndikimit të të gjitha investimeve të qeverisë amerikane në kërkimet biomjekësore.”

Foto: Qendra e Komunitetit Bullgar në Uashington, Borisllava Borisova, BNR

Përktheu në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Veneta Terzieva dhe Valentin Grigorov

Veneta dhe Valentin nga Berlini për iluminizmin modern si një rrugë drejt lumturisë

"Gëzimi që shihni në sytë e njerëzve që keni ndihmuar nuk mund të përshkruhet me fjalë, duhet të përjetohet!" Kjo u nda nga Veneta Terzieva dhe Valentin Grigorov në Ditën e Iluministëve të Popullit më 1 nëntor. Të dy kanë ndihmuar bullgarë të..

botuar më 25-11-05 7.10.PD

Nga 1 janari, një kartë identiteti me një periudhë vlefshmërie prej 10 vitesh do të kushtojë 15.34 euro

Nga 1 janari 2026, tarifa për lëshimin e një karte identiteti me një periudhë vlefshmërie prej 10 vitesh për një person të moshës 18 deri në 70 vjeç do të jetë 15.34 euro (30 leva), sipas një Dekreti të Këshillit të Ministrave për ndryshimin e..

botuar më 25-11-04 6.19.MD

Në hap me kohën, Sinodi lëshon një aplikacion ortodoks për të rinjtë

Me bekimin e Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Bullgare, në faqen zyrtare të Patrikanës që nga data 1 nëntor është i disponueshëm një aplikacion celular për besimtarët. Në versionin e parë, aplikacioni përfshin seksione kryesore si: “Bibla –..

botuar më 25-11-03 10.09.PD