"Dhe çfarë natyra e mrekullueshme këtu. Çfarë bukurie në këtë parajsë të panjohur!” – kështu patriku i letërsisë bullgare Ivan Vazov i përshkruan përshtypjet e para nga qyteti i vjetër malor Berkovica, të shtrirë në Bullgarinë Veriperëndimore. Kjo është një nga zonat ende të ruajtura, të pa betonuara dhe që nuk i nënshtrohen turizmit masiv dhe Berkovica është emblema e gjithë kësaj për shkak të atmosferës autentike të qytetit dhe natyrës së ruajtur.
Qyteti është pikënisja për majën më të lartë të kësaj zone të malit Stara Pllanina - Kom (2016 m). Pikërisht nga vila e re malore "Kom", e cila ndodhet nja 16 km larg qendrës së qytetit Berkovica, fillon pjesa bullgare e magjistralit trans-evropian të këmbësorëve E-3. Por shëtitjet malore nuk janë e vetmja arsye për të vizituar këtë "parajsë të panjohur". Mjafton të ecësh nëpër rrugët e gjelbëruara dhe të hedhësh një sy në një nga muzetë për t'u transferuar pas në kohë.
Në qendër të qytetit Berkovica bie në sy i ashtuquajtura Shtëpia Ipeklijska, e cila u restaurua dhe u kthye në një muze tërheqëse të krijuesit Ivan Vazov. Këtu, midis viteve 1879 dhe 1880, poeti i ri kaloi një nga periudhat më të frytshme të jetës së tij.
Aty pranë ngrihet e ashtuquajtura Shtëpi Sërbinska nga fundi i shekullit XIX. Në të ndodhet Muzeu Etnografik. Koleksioni nuk është shumë i madh, por përmban ekspozita interesante që "marrin jetë" falë tregimit magjepsës të cicerones Diljana Genkova. Tashmë në sallën e parë të ekspozitës ndalemi përballë manekinëve të veshur me kostume Karakaçane. Pse Karakaçan? Sepse dikur ishte një komunitet i madh karakaçan në Berkovica, i cili merrej me rritjen e deleve. Në verë, kur bari digjej në rajonin e Detit të Bardhë dhe nuk kishte kullotë për kafshët, karakaçanët u zhvendosën në livadhet e harlisura në bjeshkët malore pranë qytetit Berkovica, mësojmë nga Diljana Genkova.
Po shikojmë për një kohë të gjatë kostumin martesor të gruas, i cili peshon sa 16 kg, përpara se të kalojmë në dhomën tjetër, e cila kishte një luks të paparë për ato kohë të vështira - një banjë të brendshme.
“Një nga objektet më interesante, si pjesë e konstruksionit të vetë shtëpisë, është banja e vjetër. Vizitorët admirojnë dhe habiten që në ato vite ekzistonte një gjë e tillë si një banjë shtëpie për larje. Interesante është se ajo është e pajisur me një sistem ngrohjeje uji nëpërmjet dy enëve të vendosura në mur. Ngrohja e ujit në to bëhej nëpërmjet një fluksi ajri të ngrohtë që furnizohej nga oxhaku i dhomës ngjitur, ku ndodhej kuzhina. Të mos harrojmë se në fund të shekullit të XIX-të në qytet nuk kishte ende ujësjellës dhe uji transportohej me kova nga pusi aty pranë” - thotë Diljana Genkova.
Në fund të shekullit të XIX-të dhe në fillim të shekullit të XX-të, Berkovica ishte një qendër artizanale dhe zanati më i zakonshëm ishte qeramika. Në muzeun etnografik, ne shohim shembuj të mrekullueshëm të qeramikës së kësaj krahine.
“Rreth 50-60 punishte qeramike kishte në qytetin Berkovica, 100-120 poçarë, mjeshtër dhe çirakë ishin të përfshirë në prodhimin e qeramikës - thotë Diljana Genkova. - Karakteristike është se qeramika e prodhuar në qytet ngjan shumë me atë të bërë në Businci. Zejtarët tanë shkuan në fshatin Businci për të mësuar zanatin dhe sollën prej andej shumë forma, ngjyrosje dhe përpunim të argjilës. Prandaj enët e tyre janë lyer me ngjyrë të verdhë dhe jeshile, të ngjashme me ato të punuara në Businci. Por një kryevepër në punën e poçarëve në Berkovica është e ashtuquajtura Kana e verës e djallit. Për të pirë prej saj, duhet të merret me mend se ku është gryka e saj dhe kjo nuk është aspak e lehtë.”
Kulla e sahatit e vitit 1764, dy kishat të lashta, galeria e arteve, rrënojat e kalasë së vonë antike Kaleto, shtëpitë e këndshme të miqve dhe kuzhina tipike veriore janë gjithashtu një pjesë e rëndësishme e mozaikut turistik të kësaj pjese të Bullgarisë të bekuar nga natyra.
Lexoni më shumë:
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: Veneta Nikollova
Vendi ynë është organizatore e Takimit Vjetor të Komitetit Evropian të Shoqatave të Operatorëve Turistik dhe Agjentëve të Udhëtimit - aktiviteti më i madh i institucionit që bashkon operatorët turistikë të Evropës. “Mikpritja e këtij takimi është një..
Në kërkim të besueshmërisë shkencore, studiuesit e qytetërimeve dhe kulturave të lashta hasin edhe lajme të rreme të krijuara nga të lashtët. Gjëja më kurioze është se edhe atëherë e kanë bërë... në emër të turizmit kulturor. Një nga këto lajme të..
Në fshatin Pçellarovo, i fshehur mes shpateve të Rodopeve Lindore, tregojnë një legjendë se në këtë zonë lulëzuan pyjet shekullore të lisit dhe arra, në zgavrat e të cilave jetonin bletë të egra. Bletaria ka qenë mjeti i jetesës së njerëzve që nga..