BE ka disa nga ligjet më të forta të klimës për të reduktuar emetimet e gazeve serrë. Sot ato janë me një të tretën më pak se në vitin 1990, edhe pse gjatë së njëjtës periudhë PBB-ja mesatare u rrit me më shumë se 60 për qind. BE është gjithashtu donatori më i madh i financave për të trajtuar ndryshimet klimatike. Megjithatë, BE-ja është vetëm një pjesëz i puzzle-it, pasi emetimet nga kontinenti janë vetëm rreth 7 për qind e emetimeve globale.
Me rreth 80 000 pjesëmarrës, Konventa e OKB-së për Ndryshimet Klimatike e këtij viti është samiti më i madh i këtij lloji. Arritja e dakordësisë për një marrëveshje kuadër për të siguruar të ardhmen e botës dhe për të parandaluar dëmtimet serioze nga ndryshimet klimatike, si dhe për mbrojtjen e biodiversitetit, janë vetëm disa nga shpresat e shprehura në forumin, i cili kishte një prani të fortë evropiane.
Planet e Bashkimit Evropian janë që në vend të subvencionimit të lëndëve djegëse fosile - naftës, gazit natyror dhe qymyrit, të krijohen mundësi të reja ekonomike dhe vende pune, falë teknologjive të energjisë së rinovueshme, dhe të investohet në to, duke përmirësuar njëkohësisht cilësinë e ajrit. Eurodeputeti i Partisë Popullore Evropiane gjermane Peter Lise, i cili është edhe kryenegociatori i Parlamentit Evropian për reformën e sistemit të tregtimit të emetimeve, shpjegoi se inflacioni aktual është për shkak të vonesës së investimeve në energjinë e rinovueshme dhe se Fondi Social i Klimës do të ofrojë mbështetje për njerëzit vulnerabël gjatë tranzicionit të gjelbër.
Në negociatat për klimën në Dubaj morën pjesë Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel:
“Duhet të reformojmë sistemin financiar ndërkombëtar. Ne kemi nevojë për një treg të fortë të obligacioneve të gjelbra dhe një vlerësim më të mirë të emisioneve të karbonit. Nuk ka dyshim – e ardhmja e energjisë do të jetë e pastër.”
Në forum, Ursula von der Leyen nisi një iniciativë globale që përfshin 118 vende për të trefishuar kapacitetin e energjisë së rinovueshme në të paktën 11 teravat dhe dyfishimin e masave të efikasitetit të energjisë nga rreth dy përqind në vit në katër përqind deri në fund të dekadës aktuale.
“Për disa vende, kostoja e kapitalit për burimet e rinovueshme është jashtëzakonisht e lartë. Pra, ne duhet të zhbllokojmë mbështetjen e nevojshme financiare për vendet që kanë nevojë. Kështu që kam kënaqësinë të njoftoj se gjatë dy viteve të ardhshme, BE do të investojë 2.3 miliardë euro nga buxheti evropian për të mbështetur tranzicionin energjetik për vendet tona fqinje dhe në mbarë botën."
Desisllava Mikova nga "Greenpeace Bulgaria" vlerësoi mesazhet dhe iniciativat e Bashkimit Evropian në Konferencën e Palëve në Konventën Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike /COP28/ në Dubai:
“Bashkimi Evropian me të vërtetë ka demonstruar lidership të vlefshëm në skenën globale. Çështja është se pas deklarimeve dhe bashkimeve të tilla, puna e vërtetë fillon kur politikanët dhe delegatët kthehen në vendet e tyre. Një gjë janë premtimet, tjetër gjë zbatimi i tyre. Ne shohim, për shembull, në vendin tonë, Bullgari, që ka pasur një rritje të madhe në instalimin e kapaciteteve të reja të energjisë së rinovueshme në dy vitet e fundit, veçanërisht energjinë diellore. Megjithatë, duhet të theksojmë se qasja e qytetarëve, e familjeve individuale, në vendime të tilla nuk është ende mjaftueshëm e inkurajuar. Ka një potencial të madh në rajonet e urbanizuara të Bullgarisë, në qytete, potencial ky i cili është ende i parealizuar, për shembull sa u përket instalimeve në çati për prodhimin e energjisë për nevojat e veta. Në këtë kuptim, shumë vende në Evropë janë dukshëm përpara Bullgarisë, kanë legjislacion shumë të zhvilluar dhe ne mund të nxjerrim shumë përvojë prej tyre Një masë e mundshme do të ishte që bashkia dhe komunitetet lokale, njerëzit vendas, të kenë mundësi të marrin pjesë në projekte të tilla, të diskutojnë projekte të tilla që në fillimet e tyre.”
KE po planifikon të financojë ndërtimin e tubacioneve të hidrogjenit, duke përfshirë një tubacion të tillë midis Selanikut dhe Sofjes, dhe në COP28 Bullgaria dhe më shumë se 20 vende të tjera miratuan një deklaratë për të trefishuar pjesën e energjisë bërthamore. Cili është komenti juaj për këto nisma?
“Ka shumë pyetje. Ato kanë të bëjnë kryesisht me financimin, pasi ndërtimi i kapaciteteve të reja bërthamore është jashtëzakonisht i shtrenjtë dhe kërkon kohë. Vitet e fundit, të gjitha projektet e tilla nuk kanë ndodhur në kuadrin kohor dhe financiar në të cilin ishin parashikuar, domethënë u duhej më shumë kohë dhe më shumë para. Në të njëjtën kohë, nevoja për zgjidhje tani dhe në dekadën e ardhshme është vërtet e madhe dhe kjo është e mundur përmes një lloj tjetër zgjidhjesh, shumë më fleksibël, të cilat do të kishin rezultate më shpejt. Një lloj i tillë janë burimet e rinovueshme të energjisë dhe ruajtja e energjisë, si ngrohja diellore, e cila përdor temperaturat e larta të verës për të ngrohur ujin, i cili më pas mund të përdoret gjatë muajve të dimrit. Ky lloj zgjidhjesh sezonale, si dhe efiçenca e energjisë, janë zgjidhje që me më pak para do të japin një efekt të menjëhershëm.”
Cili mendoni se është problemi më i madh me të cilin përballet tranzicioni i gjelbër tani – financiar, teknologjik apo politik?
“Do të thosha se ai është para se gjithash politik, sepse ka zgjidhje teknologjike që mund t’i zbatojmë. Ekziston edhe një burim financiar që mund të mobilizohet, por mungon guximi politik për të zbatuar këto zgjidhje dhe për të thyer varësinë nga lobet e karburanteve fosile, të cilat janë mjaft të forta për momentin. Ekziston gjithashtu një mungesë e guximit politik për t'i dhënë fund subvencioneve për industritë ndotëse të karburanteve fosile.”
Frika e bullgarëve lidhur me tranzicionin e gjelbër duket se ka të bëjë kryesisht me varfërimin, më konkretisht me inflacionin dhe humbjen e vendeve të punës. A ka rrezik që evropianët të paguajnë këtë çmim të lartë, në sfondin e mosangazhimit të lojtarëve të tjerë të mëdhenj, si SHBA-ja dhe Kina?
“Unë do të sugjeroja që të shqyrtojmë jo vetëm se çfarë kërkon tranzicioni i gjelbër, por çfarë mund të përfitojmë prej tij, apo çfarë do të humbasim nëse nuk e realizojmë, sepse tashmë po jetojmë në kushtet e një krize klimatike. Vitin e kaluar e tregoi shumë qartë, duke përfshirë edhe në territorin e Bullgarisë, me reshjet shkatërruese përgjatë bregdetit jugor të Detit të Zi, të cilat morën edhe viktima, për shkak të ciklonit Daniel, i cili shkaktoi përmbytje edhe më shkatërruese në vendet fqinje, me zjarret e paprecedentë në jug të kufirit tonë - në Greqi ishte zjarri më i madh i pyjeve i regjistruar në Evropë.
Mundësia që na jep tranzicioni i gjelbër është pikërisht të planifikojmë se si të transformojmë ekonominë dhe energjinë tonë në mënyrë që të vazhdojmë të funksionojmë dhe komunitetet tona të jenë sa më rezistente ndaj fenomeneve të tilla dhe ndaj disa goditjeve si inflacioni. Ka shumë shembuj në Evropë, ku faturat e energjisë nuk kanë ndryshuar gjatë krizës energjetike të dy viteve të fundit pikërisht për shkak të prodhimit nga burimet e rinovueshme. Ky lloj prodhimi ka shumë përfitime dhe është e rëndësishme të flasim për to.”
Ky material është përgatitur në kuadër të radio rrjetit evropian “Euranet Plus”. Mund ta dëgjoni atë me tingullin e tij origjinal në bullgarisht KËTU.
Foto: arkiv, EPA/BGNES, naukamon.eu
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Rezultatet e referendumit për anëtarësimin e Moldavisë në BE, si një qëllim strategjik për t'u shkruar në kushtetutën e vendit, përforcuan pikëpamjen pro-evropiane të vendit, edhe pse me një dallim shumë të vogël nga euroskeptikët. Mirëpo, pritet..
Ambasada e Francës dhe Instituti Francez në Bullgari, në partneritet me Institutin Polar Francez "Paul-Emile Victor", Institutin Antarktik Bullgar, Universitetin e Sofjes "Shën Kliment Ohridski" dhe Televizionin Kombëtar Bullgar organizojnë një takim..
Bullgarët e Besarabisë janë "pjesë e pandashme e fuqisë kombëtare bullgare, e bashkësisë shpirtërore dhe kulturore bullgare. Ata do të mbeten sepse lidhja mes nesh dhe tyre është e pathyeshme" - shkroi numri i vetëm i gazetës "Besarabia Bullgare",..
Shteti ynë bëhet vendi i parë në BE që ka inteligjencë artificiale në një nivel të lartë teknologjik në gjuhën e tij, krijuar nga një organizatë..
Me iniciativën e Kishës Ortodokse Bullgare, më 30 shtator dhe 1 tetor të vitit 1998, në Sofje u mblodh një Tubim Panortodoks për të ndihmuar kapërcimin..