Më, 14 dhjetor, në orën 18:00 (me orën e Evropës Qendrore), ekipi i Fondacionit "Rodope më të egra" zhvilloi online premierën botërore të dokumentarit "Cikli i jetës në Rodope", vepër e regjisorit francez Emmanuel Rondeau. Ky është titulli i dytë pas "A new path for the Velebit Mountains" për masivin malor Velebit në Kroaci nga seria e dokumentarëve të iniciativës pan-evropiane për ringjalljen e natyrës së egër në Evropë – Rewilding Europe. Fondacioni bullgar ka qenë pjesë e organizatës ndërkombëtare të mbrojtjes së natyrës tashmë prej 9 vitesh. Historia 12-minutëshe është filmuar vitin e kaluar në Rodopet Lindore, kryesisht në zonën e qytetit Maxharovo dhe fokusohet në përpjekjet për kthimin e pamjes së egër të Rodopeve Lindore dhe ndërlidhjen e saj me njerëzit dhe bizneset atje.
"Misioni kryesor i filmit është të tregojë punën tonë shumëvjeçare në rajon, e cila synon rikthimin e specieve të zhdukura dhe të rralla, si shkaba, bizoni, kuajt e egër dhe drerët – shpjegoi për BNR Andreana Trifonova, kreu i ekipit të Fondacionit "Rodope më të egra". – Dhe gjithashtu për të treguar marrëdhëniet e tyre me njerëzit vendas, zhvillimin e biznesit dhe turizmit."
Autori i filmave në serinë Rewilding Europe, Emmanuel Rondeau, është një shkrimtar, fotoreporter, producent i vlerësuar ndërkombëtarisht dhe ka krijuar projekte për Nat Geo Wild, Animal Planet dhe BBC Natural History. Ai është një person që ka fotografuar në vende shumë të vështira për t'u arritur në pothuajse të gjitha cepat e Tokës.
"Ai nuk është vetëm regjisor. Ai është i frymëzuar nga ideja për të mbrojtur natyrën e egër, për të frymëzuar publikun, për ta prekur emocionalisht dhe provokuar", theksoi Trifonova në një intervistë me kolegen tonë Diana Donçeva.
Sipas saj, për Rondeau natyra e mbrojtur në Rodope përfaqëson një mjet afatgjatë për zhvillimin e qëndrueshëm vendas të komuniteteve. Ai vetë së fundmi ka pranuar se vetë malet Rodope janë shumë të veçanta për sa i përket biodiversitetit, por beson se veçantia e njerëzve që ka takuar gjatë xhirimeve e ka bërë vërtet këtë film të veçantë. Vendndodhja kryesore e xhirimeve për ekipin ishte zona e Maxharovos. Qyteti ndodhet në Rodopet Lindore në brigjet e lumit Arda dhe është qyteti i dytë më i vogël në Bullgari pas qytetit Mellnik.
"Kjo është një zonë që në kohën e socializmit kishte shumë të zhvilluar minierat dhe industrinë minerare. Pas ndryshimeve në vitin 1989, ky aktivitet u ndërpre dhe rezultoi se vendasit atje mbetën pa aktivitet ekonomik dhe filluan të emigrojnë. Por në në të njëjtën kohë Maxharovo kthehet në një qendër tërheqëse për njerëzit dhe bizneset që mbështeten në natyrën unike të ruajtur në zonë. Pikërisht këtu mund të shohim një biodiversitet jashtëzakonisht të pasur që lidhet me disa lloje shkabash, bimësh dhe kafshësh shumë të rralla dhe të mbrojtura, të cilat përfaqësojnë praktikisht bazën për zhvillimin e qëndrueshëm të aktiviteteve ekonomike në harmoni me natyrën”.
Zhvillimi në këtë drejtim ka qenë veçanërisht i dukshëm vitet e fundit. Meritë për këtë kanë ambientalistët edhe fondacioni "Natyra më e egër", të cilët zhvillojnë potencialin dhe mbështesin ruajtjen dhe mbrojtjen e florës dhe faunës dhe së bashku me banorët vendas i kthejnë ato në një atraksion aktiv turistik.
"Vitet e fundit, gjithnjë e më shumë turistë të specializuar në fotografimin e natyrës së egër, vëzhgimin e kafshëve të egra dhe ornitologë vizitojnë Rodopet Lindore. Dhe autoritetet lokale e kanë kuptuar vërtet se ky është një mjet shumë serioz për të mbajtur njerëzit në rajon dhe për të tërhequr investime."
Pas Kroacisë dhe Bullgarisë, Emmanuel Rondeau dhe Rewilding Europe vazhdojnë punën për filmin e radhës të serisë. "Rondeau aktualisht është duke xhiruar me kolegët tanë në Spanjë dhe filmi do të jetë gati në vitin 2024", thotë Andreana Trifonova, drejtuese e fondacionit bullgar "Rodope më të egra". Deri atëherë, "Cikli i jetës në Rodope" vazhdon dhe mund ta shihni në kanalet zyrtare në YouTube të Rewilding Europe dhe Fondacionit "Rodope më të egra".
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Pas suksesit të festivalit "Ne jemi fëmijët e lumit" në shtator, një fondacion qytetarësh përsëri bëhet partner me rajonin e Plovdivit "Centralen". Këtë herë rasti është një ekspozitë e veçantë që shfaq vizatime të fëmijëve të frymëzuar nga natyra...
Milena Selimi, përkthyesja e romanit “Kohëstrehim” të autorit bullgar Georgi Gospodinov, e cila është edhe përfaqësuese e bullgarëve në Komitetin për Pakicat Kombëtare në Shqipëri, mori çmimin për përkthimin më të mirë për vitin 2024 në Panairin e 27-të..
Kur një person ecën nëpër Montana dhe Bellogradçik, herët a vonë ai do të ndeshet me kabinat elektrike të lyera me ndjenjën e gëzimit dhe pastërtisë, që duket sikur burojnë nga fëmijëria. Dhe për një çast të vetëm ai do ta gjejë veten në një oaz të..