Është gjithmonë bukur dhe frymëzuese kur flasim për talentet bullgare në mbarë botën. Dhe është edhe më frymëzuese kur bëhet fjalë për fëmijët. Në një ceremoni të veçantë në Sofje, Agjencia Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Shtetit vlerësoi fituesit e tre garave të saj për fëmijë nga komunitetet bullgare jashtë vendit.
"Fëmijët që e pikturojnë Bullgarinë me furçë ose e përshkruajnë atë me stilolaps sot, mund të jenë ndërtuesit e saj të nesërmen", tha drejtuesja e Agjencisë, Rajna Manxhukova, para të ftuarve të mbledhur nga vende të ndryshme të botës.
Juria duhej të përcaktonte veprën më me ndikim midis 188 krijesave letrare, 244 vizatimeve dhe 130 shfaqjeve muzikore. Talente të reja nga komunitetet bullgare jashtë vendit, përfshirë SHBA-në, Gjermaninë, Francën, Greqinë, Turqinë, Qipron, Republikën Çeke, Ukrainën, Skocinë, Moldavinë etj., morën pjesë në tre konkurset e këtij viti.
"Interesi për këto konkurse nuk është zvogëluar gjatë viteve, numri i pjesëmarrësve është rritur dhe merita për këtë i takon nxitësit kryesor - ekipit të Agjencisë Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Shtetit dhe Rajna Manxhukovës – tha në përshëndetjen e saj drejtuar të pranishmëve Tatjana Doseva, drejtoreshë e Pallatit Kombëtar të Fëmijëve, e cila hapi sallat e tij për ceremoninë e ndarjes së çmimeve. - Këto konkurse janë një mundësi e jashtëzakonshme për talentet e reja nga të gjitha komunitetet bullgare në mbarë botën për të ndarë aftësitë e tyre, për të treguar talentin e tyre dhe për t'u ndjerë më afër Bullgarisë."
Fëmijë nga 15 vende morën pjesë në konkursin e këngës. Ai mban emrin e këngëtares së shquar popullore Ljubka Rondova dhe zë një vend të rëndësishëm në zemrën e koordinatores së tij Iva Krumova, një eksperte në Agjencinë Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Shtetit. Arsyeja është se edhe ajo është këngëtare dhe vjen nga një familje valltarësh:
"Prindërit e mi ishin valltarë në ansamblin "Pirin", kështu që unë u rrita me folklorin dhe për këtë arsye ai është pjesë e aktiviteteve të mia në Agjenci. Dy vjet më parë, ne kryem një analizë në shkallë të gjerë të ansambleve folklorike jashtë vendit, në lidhje me gjendjen dhe nevojat e tyre" - tregon Iva Krumova dhe sqaron:
"Konkursi ynë është online, duke qenë se fëmijët janë nga e gjithë bota. Ata na dërgojnë videot e tyre dhe ne shohim interpretues të moshës 5-6 vjeç që janë jashtëzakonisht artistikë, si dhe të tjerë që janë më të rezervuar, por ajo që dua t'u them atyre është se nuk duhet të ndalojnë së kënduari dhe gjithçka do të bjerë në vendin e vet kur të fitojnë shumë përvojë, të fillojnë të buzëqeshin dhe të ndalojnë së shqetësuari."
8-vjeçarja Anna Simeonova nga shkolla bullgare "Vasill Levski" në Mbretërinë e Bashkuar është ndër fitueset në konkursin e këngës "Ljubka Rondova".
Një pushim emocionues në bregdetin bullgar të Detit të Zi është çmimi i madh për fituesit e tre konkurseve. Vitet e fundit, Agjencia Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Shtetit e ka bërë traditë organizimin e një kampi krijues për këta fëmijë në zemër të malit Stranxha - në fshatin Brodillovo. Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë, Rajna Manxhukova, na kujtoi pse janë të nevojshme këto konkurse:
"Në vitin 1995, kur, me idenë e intelektualit Stefan Geçev, nisëm konkursin e parë letrar të quajtur "Njih fisin dhe gjuhën tënde", ideja jonë ishte t'u drejtoheshim bullgarëve më të rinj jashtë shtetit, sepse ata nuk kanë zgjedhur të jenë jashtë shtetit. Kjo ka qenë zgjedhja e prindërve të tyre, por ne mund t'i ndihmojmë ata të zgjedhin nëse do të mbeten të lidhur me Bullgarinë apo jo. Këto konkurse bashkojnë kreativitetin e fëmijëve dhe u japin atyre mundësinë të shprehen. Por ato bëjnë shumë më tepër, ato arritën një qëllim të madh - u treguan institucioneve bullgare se sa fëmijë ka jashtë shtetit dhe se ata, pavarësisht nëse janë atje, janë e ardhmja e Bullgarisë."
Stefan Stupak jeton në Paris, por rrënjët e tij bullgare arrijnë deri në... Ukrainë, dhe vepra e tij ishte ndër ato që u vlerësuan me çmimin e parë në konkursin letrar "Stefan Geçev":
"Në veprën time, doja të tregoja se sa e fortë mund të jetë lidhja midis një babai dhe një vajze, dhe gjithashtu se është e rëndësishme që të gjithë të punojnë mirë në shoqëri dhe t'i njohin njerëzit më thellë, në mënyrë që të dimë se kujt mund t'i besojmë vërtet", na tha me emocion Stefan Stupak, një nxënës në shkollën bullgare të së dielës "Ivan Vazov" në kryeqytetin francez. Një tjetër çmim i parë i shkon shkollës - për punën e 14-vjeçarit Demir Esentjurk. 8-vjeçarja Selen Esentjurk mori një çmim inkurajues, dhe 18-vjeçarja Jana-Sofia Petrova fitoi çmimin e dytë.
Tema e konkursit tradicionalisht është e lidhur me Bullgarinë dhe, sipas mësueses dhe zëvendësdrejtoreshës së shkollës, Janeta Dimitrova, nxënësit janë mjaft të mirë në shkrimin për vendin tonë, pasi ata shkruajnë një punim me shkrim mbi këtë temë të paktën një herë në vit. Gjatë vitit shkollor aktual, shkolla në Paris mori pjesë me nxënësit e saj në 13 konkurse për letërsi, muzikë, vizatim, recitim dhe fotografi dhe tashmë ka fituar 130 çmime.
Fëmijët nga klubi i gazetarisë në shkollë kanë krijuar tekstin e një kënge që e interpreton e gjithë shkolla. Muzika është krijuar nga kompozitori i ri bullgar Georgi Zajkov. Ideja për të lindi vitin e kaluar, kur shkolla festoi 10-vjetorin e saj.
"Përveç traditave dhe kulturës sonë, gjuha bullgare është rrënja jonë, të cilën duhet ta ruajmë, sepse kushdo që ka rrënjë të forta ka edhe krahë të fortë me të cilët mund të fluturojë kudo që të dëshirojë."
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Foto: Facebook/Agjencia Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Shtetit, BTA, Joan Kolev
Profesioni i kuzhinierit po bëhet gjithnjë e më prestigjioz, dhe njerëzit që merren me të duhet ta duan vërtetë, sepse orët e punës janë të shumta, ngarkesa dhe përgjegjësitë – gjithashtu. Mbrojtësi qiellor i kuzhinierëve është Shën Lorenci – një..
Si çdo vit, të shtunën e dytë të muajit gusht fillon sezoni i gjuetisë për thëllëzën, pëllumbin e egër, turtullin dhe në përgjithësi për speciet shtegtuese të egra. Sipas rregullave të përcaktuara, gjuetia kryhet vetëm gjatë ditës – një orë para lindjes..
Agjencia e Punësimit po aplikon në kuadër të programit "Zhvillimi i Burimeve Njerëzore", pjesë e masës "Unë Zgjedh Bullgarinë". Qëllimi i operacionit është krijimi i kushteve dhe stimujve për vendosjen e përhershme në Bullgari të bullgarëve që..
Si çdo vit, të shtunën e dytë të muajit gusht fillon sezoni i gjuetisë për thëllëzën, pëllumbin e egër, turtullin dhe në përgjithësi për speciet..
Profesioni i kuzhinierit po bëhet gjithnjë e më prestigjioz, dhe njerëzit që merren me të duhet ta duan vërtetë, sepse orët e punës janë të..