Pas një pauze dhjetëvjeçare, ylli i estradës bullgare, Lili Ivanova, do të mbajë sërish një koncert të madh në Bruksel. Ngjarja është më 6 mars në orën 20:00 me orën lokale në sallën legjendare "Flagey" të kryeqytetit belg dhe është nën patronazhin e eurodeputetit bullgar nga Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë /DPS/ dhe bashkëkryetarit të "Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve për Evropën" në Parlamentin Evropian Illhan Kyçuk. Afërsia e datës me festën kombëtare të Bullgarisë, 3 mars, nuk është e rastësishme:
“Gjithmonë kam besuar se kultura i lidh njerëzit dhe ne i detyrohemi shumë, si shoqëri dhe si politikanë, komunitetit bullgar, i cili për arsye të ndryshme ka vendosur të emigrojë. Dhe më duket se pikërisht në lidhje me idenë e festës kombëtare dhe preferencave të vetë Lili Ivanovës e zgjodhëm së bashku datën 6 mars. Në fakt koncerti do të jetë vetëm një pjesë e gjithë vizitës së ylli të madh të muzikës bullgare në Bruksel” - sqaroi Kyçuk para redaktores muzikore të BNR Zheni Moneva.
Një prej eventeve është pritja e saj në bashkinë e madhe të Brukselit, ku Lili Ivanova do të marrë nderime që ende mbahen të fshehta. Aktivitetet e fondacionit me emrin e saj do të prezantohen edhe në Parlamentin Evropian, qëllimi i të cilit është popullarizimi i muzikës dhe kulturës bullgare. Që pas themelimit të fondacionit “Lili Ivanova” nga vetë këngëtarja në verën e vitit 2023 lindi ideja e vizitës së saj në zemër të Evropës, kujton politikani bullgar.
Ka një interes të madh nga ana e komunitetit bullgar, tha Kyçuk për BNR. Ai pret që në koncert të jenë të pranishëm shumë prej kolegëve të tij evropianë, përfshirë komisioneren evropiane bullgare Ilijana Ivanova, Valérie Hayer, e cila është kryetare e grupit liberal në PE, eurodeputetë nga vende të ndryshme, si dhe politikanë belgë që janë pjesë e grupit të miqësisë mes Bullgarisë dhe Mbretërisë së Belgjikës. Një ftesë e veçantë iu drejtua edhe përfaqësuesve dhe ambasadorëve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, ku Lili Ivanova njihet si zëri dhe fytyra e Bullgarisë.
Popullarizimi i ngjarjes në Evropë tashmë ka bashkuar komunitetin bullgar në Belgjikë, duke përfshirë këtu edhe organizatat joqeveritare dhe trupin diplomatik të vendit tonë në Holandë, Gjermani, Luksemburg dhe Belgjikë, tha Illhan Kyçuk, i cili është i bindur se kultura është një pjesë e rëndësishme e kodit bullgar:
“Atje, ku është Lili Ivanova, atje është Bullgaria – atje, ku është Bullgaria, atje është edhe Lili Ivanova. Asnjë diplomat bullgar nuk mund të kryejë një punë të tillë, siç mund ta bëjë Lili Ivanova me zërin e saj” – shtoi eurodeputeti bullgar.
Vetë salla "Flagey" është një monument i njohur arkitekturor dhe kulturor i Brukselit. Përfunduar në vitin 1938 në stilin “art déco”, ajo ofron një nga akustikat më të mira në botë, të preferuar për muzikën klasike, xhaz dhe moderne. Në skenën e saj kanë dhënë koncerte emra të mëdhenj, si Édith Piaf, Chuck Berry dhe Chet Baker. Në shtëpinë e Filarmonisë së Brukselit u regjistrua edhe muzika e filmit të Martin Scorsese "Aviatori". Më 6 mars do të interpretohen disa nga këngët më të dashura të yllit të muzikës bullgare me aranzhime të reja të Angell Djullgerov. Në skenë pranë Lili Ivanovës do të jenë muzikantët e saj nga “Li Orkestra”.
Shihni më tepër:
Përpiloi: Vesella Krësteva /bazuar në intervistat e Zheni Moneva, BNR-Horizont dhe Angelina Piskova, korrespontente e BNR në Bruksel/
Foto: lili.bg, BGNES, flagey.be
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Më 17 maj 2025, në orën 19:00, salla "Bullgaria" në Sofje do të jetë mikpritëse e vizitës së parë historike të Orkestrës së Filarmonisë së Kosovës. Me një koncert solemn, orkestra do të festojë 25-vjetorin e themelimit të saj. Dirigjenti do të..
Edhe pse e njohim Boris Ilievin prej shumë vitesh si këngëtar, ai vetëm tani ka aranzhuar dhjetë këngë të tij në albumin e tij të parë si autor "Për ty". Shumica e tyre bazohen në një ide muzikore të Boris Iliev, të cilën ai e zhvilloi më tej me Ivan..
Kënga e fundit e Vjara Pantaleevës, "Vetëm një kujtim", është një thirrje e guximshme dhe e sinqertë për ndryshim të gjërave që e rrethojnë. Përveçse si artiste, ajo është e shqetësuar edhe si prind i një fëmije 11-vjeçar për mjedisin në vendin tonë në..
Nën tingujt e paharrueshëm dhe interpretimet magjepsëse të veprave nga Beqiri, Alickaj, Verdi, Puccini dhe de Falla, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës..
Albumi i ri i 16-të në studio i këngëtarit Grafa "Sinergjia" është një koncept gjithëpërfshirës dhe shumë personal që lidh të kaluarën, të tashmen dhe..
Grupi i dashur i disa brezave, Mary Boys Band, përfshiu në festimin e 30-vjetorit të tij fillimin e një iniciative - të publikojë albumet e tyre në..