Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Shkëlqesia e Tij Radko Vllajkov: Marrëdhëniet bullgaro-rumune duhet të zhvillohen me shpejtësi evropiane

Sipas diplomatit bullgar, gjëja më normale është që bullgarët dhe rumunët të jenë bashkë dhe të ecin përpara së bashku

Radko Vllajkov
Foto: mfa.bg

Nga shkurti i vitit 2022 Shkëlqesia e Tij Radko Vllajkov është Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Bullgarisë në Rumani. Ai ka qenë zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme nga viti 1994 deri në vitin 2001. Ndër misionet dhe emërimet e tij janë koordinator i posaçëm për çështjet e administratës publike në Ministrinë e Punëve të Jashtme (2015-2016) dhe ambasadori i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës së Bullgarisë në Republika e Serbisë. Ai flet anglisht, gjermanisht, çekisht dhe rusisht.

Ambasadori Vllajkov e dha këtë intervistë për Radio Bullgarinë gjatë bisedimeve joformale mbas tavolinës së rrumbullakët “Bullgaria dhe Rumania - një vit partneritet strategjik. Rruga përpara”, e cila u zhvillua më 14 mars 2024 në Institutin Diplomatik Rumun në Bukuresht.
Zoti Vlaikov, si i vlerësoni rezultatet dhe dinamikën e marrëdhënieve bullgaro-rumune në vitin e parë që nga shpallja e partneritetit strategjik midis Bullgarisë dhe Rumanisë?

“Natyrisht, ne duhet të jemi të kënaqur para së gjithash me shpejtësinë me të cilën u arrit marrëveshja e partneritetit strategjik midis Bullgarisë dhe Rumanisë, e cila u nënshkrua nga dy presidentët më 15 mars 2023. Kjo shpejtësi u nxit nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës. Atëhere Bullgaria dhe Rumania e kuptuam nevojën për të ecur me të vërtetë shumë më stabilë dhe krah për krah njëri-tjetrit në një rrugë të përbashkët. Viti i parë mund të karakterizohej si shumë inkurajues, duke treguar realisht kuptimin e këtij partneriteti strategjik për sa i përket gjërave që janë arritur, veçanërisht në sferën e sigurisë, të përgjegjësisë së përbashkët që kemi në Detin e Zi, të iniciativave të përbashkëta dypalëshe ashtu edhe brenda NATO-s. Kemi një progres të jashtëzakonshëm në lidhjet e ndërsjellta. 

Çështje që janë shtyrë prej shumë vitesh janë zgjidhur duke gjetur një vullnet politik për urën e dytë midis Ruses dhe Giurgevos mbi lumin Danub dhe me përfundimin e projektit të Danubit të shpejtë, si dhe me kthimin në projektin e hidrocentralit të Danubit në zonën e Turnu Magurele dhe Nikopolit. Shumë gjëra janë arritur. Dhe atо dhanë një bazë për të ardhmen.“ 

Deri në çfarë mase është e natyrshme që bullgarët dhe rumunët të bëjnë gjëra së bashku sot?

"Gjëja më normale është që bullgarët dhe rumunët të jenë bashkë - në siguri, në biznes, në lidhje me njëri-tjetrin, të jenë bashkë në kulturë, në shkencë, në çdo sferë të jetës njerëzore. Normaliteti i kësaj lloj marrëdhënieje vjen nga afërsia që ne e kemi si mentalitet të njerëzve në të dy vendet, si një fat të përbashkët në Bashkimin Evropian. Fakti është se së bashku duhet të arrijmë të ecim me hapin e vendeve të tjera anëtare dhe së bashku duhet t'i arrijmë ato. Mendoj se në këtë drejtim Bullgaria dhe Rumania mund të jenë shumë të dobishme me nisma të përbashkëta, me biznes të përbashkët, me prodhime të përbashkëta etj.“

Çfarë do të ndodhte me marrëdhëniet bullgaro-rumune nëse përkrahësit e një sovraniteti më të madh në rajon dhe në BE fitojnë ndikim të rëndësishëm pas zgjedhjeve të ardhshme në 2024?

"Shqetësimi i të gjithë politikanëve pro-evropianë në Bashkimin Evropian nga një perspektivë e tillë është shumë i madh. Frika vjen nga fakti se në të njëjtën kohë forcat populliste anti-evropiane në vende të ndryshme kanë filluar të marrin vrull. Këtu duhet t‘i përgjigjigjemi dhe pyetjes pse ndodh kështu, pse ndodhin në të njëjtën kohë fenomene të tilla negative. Kjo ndodh sepse përpjekjet e një force të tretë nga veriu synojnë pikërisht të zhgënjejnë njerëzit e Bashkimit Evropian, t'i dekurajojnë ata. Ndonjëherë, sigurisht, ka disa arsye për këtë. Kështu për shembull, Bullgaria dhe Rumania kanë ende kontroll mbi kufijtë tokësorë të Shengenit, dhe kjo përdoret në një mënyrë shumë të zgjuar për të përhapur propagandë, për të manipuluar popullatën - se ata nuk duan që ne të hyjmë në Bashkimin Evropian, pse duhet të shkojmë atje?

Kjo, natyrisht, nuk është kategorikisht e vërtetë. Unë personalisht jam një person thellësisht i bindur me orientim evropian. I tillë kam qenë gjithmonë, si qytetar dhe si profesionist. Dhe unë besoj thellësisht se avantazhet e Bashkimit Evropian janë të tilla që njerëzit nuk do të donin të hiqnin dorë prej tyre. Roli i politikanëve është shumë i rëndësishëm në këtë pikë, ata duhet të shpjegojnë pikërisht këtë avantazh të Bashkimit Evropian, t'u shpjegojnë njerëzve të thjeshtë, njerëzve të biznesit, gjithë shoqërisë se çfarë do të ndodhte nëse Bashkimi Evropian ndryshon karakterin e tij, nëse BE-ja humbet fuqinë tërheqëse të një komuniteti për lëvizjen e lirë të njerëzve, të kapitalit, të mallrave? Jam thellësisht i bindur se arsyeja do të mbizotërojë, dhe ndoshta jo vetëm sepse e dua këtë gjë, por sepse ende mund t'i analizoj gjërat. Unë besoj thellësisht se forcat pro-evropiane në të gjithë Bashkimin Evropian do të ngrihen dhe ai jo vetëm që do të ruajë thelbin e tij, por edhe do të forcohet sepse po përballet me një rrezik”, theksoi ambasadori bullgar në Rumani, Sh.T. Radko Vllajkov në intervistën për Radio Bullgarinë.
Lexoni më tepër:
Foto: Ambasada e Republikës së Bullgarisë në Rumani, Instituti Diplomatik Bullgar, Instituti Diplomatik Rumun (Institutul Diplomatic Român)
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Ngjarjet me adresë ballkanike

Shqipëria dhe Mali i Zi realizuan progres në integrimin evropian gjatë vitit 2024 Udhëheqësit e BE-së u takuan më 18 dhjetor me homologët e tyre nga Ballkani Perëndimor. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, bëri thirrje..

botuar më 24-12-21 9.50.PD
Kryeministri bullgar në detyrë Dimitër Gllavçev dhe presidenti i Ukrainës Volodimir Zelenski

BNR njoftoi përmbajtjen e marrëveshjes bullgaro-ukrainase të sigurisë

Radioja Kombëtare Bullgare (BNR) - “Horizont” disponin projekt-marrëveshjen për bashkëpunim 10-vjeçar në fushën e sigurisë mes Bullgarisë dhe Ukrainës. Dokumenti prej 20 faqesh, nënshkrimi i të cilit u shty, përcakton se Bullgaria do të sigurojë trajnime..

botuar më 24-12-20 12.03.MD

Ngjarjet me adresë ballkanike

Në Rumani, një koalicion do të mbrojë rrugën evropiane të vendit Presidenti rumun Klaus Iohannis mblodhi parlamentin e ri të vendit më 20 dhjetor. Zgjedhjet parlamentare, të cilat u zhvilluan më 1 dhjetor, u fituan nga socialdemokratët në..

botuar më 24-12-14 9.30.PD