Kanë mbetur edhe pak ditë deri në zgjedhjet për deputetë në Parlamentin e 10-të Europian, si dhe për përfaqësues në Asamblenë e 50-të Kombëtare në vendin tonë.
Fundi i fushatave zgjedhore është gjithashtu afër - koha kur kandidatët për pushtet luftojnë për vëmendjen e votuesve të tyre të ardhshëm në kërkim të besimit të tyre. Dhe veçanërisht të të rinjve evropianë, 64 për qind e të cilëve synojnë të votojnë këtë javë. Këtë e tregojnë të dhënat e një sondazhi të Eurobarometrit të publikuar në muajin maj, nga ku shihet qartë se një nga çdo pesë persona në vendin tonë nuk do të votojnë.
"Ky Parlament do të marrë vendime për çështje të rëndësishme për jetën tonë të përditshme. Mos lejoni askënd të vendosë për ju! Nëse nuk e bëni ju, dikush tjetër do ta bëjë dhe mund të mos ju pëlqejë ajo që do të shihni. Madje ka të ngjarë që Evropa të gjendet në një situatë më të keqe sesa ajo në të cilën është sot”, paralajmëroi Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Mezzola.
"Të gjitha zgjedhjet janë të rëndësishme, por nëse ka një votë kyçe, është pikërisht kjo! Të gjithë qytetarët evropianë do të pyeten se në çfarë drejtimi duan ta shohin lëvizjen e Evropës dhe vendit të tyre. Ata do të kenë mundësinë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në PE, për të marrë vendime në emër të tyre për tema të tilla si siguria, bujqësia, klima, migrimi, kushtet e punës dhe të jetesës”, shtoi ajo.
• Megjithatë, a janë këto temat të cilat i dëgjojnë gjatë fushatës të rinjtë në vendin tonë?
“Për mendimin tim, siguria zë një vend të konsiderueshëm në këtë fushatë evropiane, si dhe e ardhmja e Bashkimit Evropian dhe ku do të shkojë ai në vitet e ardhshme. Dhe çfarë efektesh, natyrisht, do të kenë në zgjedhjet tona veprimet politike të pjesës tjetër të botës. Një fokus tjetër është ekonomia dhe pranimi ynë në zonën Shengen”, tha Jan Spasov, i cili këtë vit e mbaroi shkollën dhe do të votojë për herë të parë në zgjedhjet evropiane.
“Flitet shumë për krizën energjetike dhe marrëveshjen e gjelbër, për çështjen e migrantëve dhe se si Evropa mund të përcaktojë se kush është mik dhe kush është armik”, shtoi studentja në degën e marrëdhënieve ndërkombëtare Biljana Gospodinova.
“Vihet theksi tek ekonomia, ka një theks te transparenca, si dhe në proceset si në nivel evropian, ashtu edhe në nivel kombëtar – në mënyrë që politikat evropiane, të cilat më pas zbatohen në nivel kombëtar, të kuptohen më mirë nga qytetarët në Bullgari”, shtoi Aleksandra Gajtanxhieva nga Shoqata Studentore për Studimin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare.
“Një gjë që më bën përshtypje është se shumica e palëve po theksojnë stabilitetin. Padyshim që mund ta ndjeni ndryshimin që nga viti 2019 me të gjitha krizat që kemi kaluar, si shëndetësore ashtu edhe ekonomike. Theksohet shumë se do të përpiqemi të punojmë për arritjen e një mjedisi më të qëndrueshëm për të jetuar”.
• A ka tema të rëndësishme për të rinjtë, por që janë jashtë retorikës parazgjedhore?
“Disa nga temat që na interesojnë ne të rinjtë janë të neglizhuara”, tha nxënësi i deritanishëm:
"Unë do të thosha ndryshimin e klimës - nuk i kam dëgjuar palët të flasin shumë për këtë çështje shumë të ngutshme. Kështu që mendoj se është diçka që duhet trajtuar më shumë, sepse për këtë interesohet brezi i ri."
• A është ky një trend edhe jashtë vendit?
"Jashtë kam vënë re më shumë veprime ndaj mjedisit dhe ndryshimeve klimatike - diçka që nuk është aq e dukshme në vendin tonë. Por sigurisht që ata kanë fushata më të mira në disa fusha si integrimi i të rinjve", beson eko-aktivisti Jan Spasov, me të cilin u pajtua edhe Aleksandra Gajtanxhieva:
“Si të rinj, natyrshëm, jemi shumë të shqetësuar për aftësinë për konkurrencë dhe punësimin, tema, të cilat do të donim të dëgjonim jo vetëm në fushatën zgjedhore, por edhe në punën e njerëzve që do të na përfaqësojnë në PE. Dhe, kuptohet, do to donim sa më shumë përfshirje të të rinjve, kështu që zëri ynë si të rinj të dëgjohet”.
“Një problem tjetër është integrimi i të rinjve në mjedisin e punës”, shtoi Jan Spasov.
“Problemi më i madh është se ne prekim shumë tema, por vetëm kalojmë mbi sipërfaqen e tyre, pa u thelluar”, tha Biljana Gospodinova për fushatën, e cila, sipas Gajtanxhievës nuk u drejtohet mjaftueshëm votuesve të rinj:
“Sepse bëhen shumë premtime edhe për arsimim, edhe për dhënien e më shumë mundësive, por ato nuk janë me fokus të veçantë tek të rinjtë”.
"Një nga temat që na intereson ne të rinjtë është arsimi ynë në Bullgari, i cili duket se po bie në cilësi çdo vit. Kjo duhet të shqyrtohet, sidomos duke pasur parasysh që zgjedhjet janë 2 në 1”, tha gjithashtu Jan Spasov.
• A e zhvendosi fokusin nga zgjedhjet europiane dhe, rrjedhimisht, nga temat e rëndësishme për të rinjtë, votimi parlamentar që do të zhvillohet në vendin tonë më 9 qershor?
"Mendoj se jo, sepse temat që prekin Evropën janë tema që prekin edhe Bullgarinë. Unë personalisht mora pjesë kohët e fundit në një debat që ishte edhe mes dy kandidatëve për PE. Ishte para studentëve dhe mendoj se temat për të cilat debatohej, janë relevante si për Bullgarinë, ashtu edhe për BE-në”, tha Gospodinova për debatet, i fundit i të cilave është këtë javë, të organizuar nga Forumi Rinor Kombëtar, kryetari i të cilit Atanas Radev i tha BNR se:
"Fushata parazgjedhore për zgjedhjet evropiane ka marrë përparësi. Zgjedhjet parlamentare janë disi në prapavijë, fushata e tyre është disi më e dobët. Ndoshta ky është njëfarë aluzioni për zgjedhje të reja pas kësaj, nuk e di".
Ndër organizatorët është Shoqata Studentore për Studimin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, anëtare e së cilës është Aleksandra Gajtanxhieva:
"Sigurisht, fokusi është zhvendosur për shkak të disa grindjeve të brendshme të partive në nivel kombëtar. Edhe vetë fushata për zgjedhjet parlamentare nuk është shumë e fortë, duke marrë parasysh numrin e zgjedhjeve që u zhvilluan në vendin tonë kohët e fundit. Por, për fat të keq, zgjedhjeve evropiane gjithashtu nuk u kushtohet aq shumë vëmendje, megjithëse prej të paktën një viti ka organizata që kanë filluar të shpjegojnë se sa e rëndësishme është votimi në zgjedhjet evropiane. Fatkeqësisht vetë partitë, të cilët gjithashtu duhet të jenë të interesuar për këtë, janë përqendruar në zgjedhjet kombëtare."
“Një problem me të cilin hasem është apatia e shoqërisë sonë për të votuar. Nuk mendoj se aktiviteti do të kalojë 40 për qind këtë vit, që për mua personalisht nuk është një tregues i mirë”, parashikon Jan Spasov.
• Si mund të aktivizohen më shumë njerëz për të ardhur në qendrat e votimit?
"Përgjigja më e lehtë që mund t'ju jap janë fushatat, megjithëse ato nuk janë aq efektive sa duhet. Kështu që unë do të thoja se duhet përmirësuar besimi në sistemin tonë zgjedhor dhe të vihet theksi te ideja se vota jonë ka rëndësi, gjë që është e vërtetë, por sikurse shumica e njerëzve nuk e kuptojnë këtë dhe mendojnë se opinioni i tyre në përgjithësi nuk ka rëndësi,” shtoi ai.
“Nuk mund ta mohoj që shumë prej nesh kanë filluar të ndihen të zhgënjyer dhe sikur zëri ynë nuk ka rëndësi. Sidomos në Bullgari, pikërisht për shkak të krizës parlamentare që po vazhdon disa vite. Por mendoj se kjo po ndodh edhe jashtë vendit. Pasi një elitë politike tashmë e zgjedhur nuk i përmbush premtimet e saj, kjo gjithmonë mund ta dëshpërojë, veçanërisht të riun, i cili është me shumë shpresa dhe nuk është aq i përgatitur për ashpërsinë e jetës”, tha Gospodinova.
“Do të ketë zgjedhje, nëse nuk gaboj, edhe në Holandë, sepse qeveria atje është gjithashtu e paqëndrueshme për shkak të problemeve të tyre të brendshme me migracionin”, e dha Gajtanxhieva si një shembull këtë vend, ku, në ditën e zgjedhjeve evropiane, votuesit do të përballen me një zgjedhje tjetër”:
“Por në vende si Holanda dhe në Francë, ata sigurisht i shpallën kandidatët e tyre për eurodeputetë shumë më herët - qysh vitin e kaluar. Pra, këta njerëz kanë pasur kohë të mjaftueshme për të promovuar veten, ndërsa këtu kandidatët u shpallën pak më shumë se një muaj para datës 9 qershor. Dhe deri në momentin e fundit thuajse nuk dihej se kush do të ishte në lista”.
"Ndoshta një muaj nuk është i mjaftueshëm për t'u thelluar në këtë çështje, në vetë debatin parazgjedhor, kështu qe të jemi në gjendje të marrim një vendim të vetëdijshëm, duke pasur parasysh se ka shumë kandidatë," vuri në dukje gjithashtu Gospodinova, duke theksuar se:
“Më bën përshtypje se në lista ka emra jashtëzakonisht të njohur. Megjithatë, nuk janë përfshirë shumë persona që kanë qenë tashmë eurodeputetë, por persona që kanë marrë pjesë në jetën e brendshme politike të vendit tonë. Kjo e bën disi më të lehtë zgjedhjen tonë, pasi emrat e tyre janë më të njohur për të rinjtë në Bullgari”.
• A e njihni veten në disa prej kandidatëve për përfaqësues të Bullgarisë në Parlamentin Evropian?
"Duke qenë se disa prej tyre nuk aplikojnë për herë të parë, dhe unë kam pasur mundësinë të njihem me programet dhe me punën e tyre - duhet të më kanë bërë përshtypje disa prej aplikantëve. Por ende duhet të mendoj për zgjedhjen time dhe me shumë mundësi më 9 qershor më në fund do ta marr këtë vendim, thjesht sepse për mua është shumë e rëndësishme të votoj në të dyja llojet e zgjedhjeve”, theksoi Aleksandra Gajtanxhieva.
"Mundohem të marr vendimin që është më racional. Mund të them që nuk e gjej veten në asnjë kandidat, si pikëpamje, ndoshta edhe si vlera, por shpresoj që të gjithë së bashku, ne do të zgjedhim 17 përfaqësues nga Bullgaria, do të punojnë dhe do të arrijnë të balancohen njëri tjetrin”, tha Biljana Gospodinova.
“Kam disa kandidatë të preferuar, ndër të cilët duhet të zgjedh. Ata i mbështesin idetë e mia dhe shpresoj t'i shoh në Bruksel”, shtoi Jan Spasov.
• Nëse do të mund të imagjinonim se ju mund t'u jepni atyre disa drejtime për të tashmen e tyre si deputetë - cili do të ishte ky drejtim?
"Unë do të doja që opinioni bullgar të dëgjohet më shumë. Ne kemi shumë për t'i dhënë Evropës. Kështu që unë do të doja për të ardhmen, kur të merret ndonjë vendim, kur të merret pjesë në ndonjë diskutim - që këta kandidatë të angazhohen me çdo një temë dhe të jenë vërtet ambasadorë të mirë mes nesh dhe Evropës, kjo do të ishte këshilla ime – të jenë të vetëdijshëm dhe të mbrojnë mendimin e tyre të informuar, por në një mënyrë korrekte”, tha Biljana Gospodinova.
"Ajo që ndoshta u ka munguar eurodeputetëve të mëparshëm ishte përqendrimi më i madh tek imazhi i Bashkimit Evropian në nivel ndërkombëtar. Më ka munguar pak prania e eurodeputetëve bullgarë në nivel global", shtoi Aleksandra Gajtanxhieva.
• Si e imagjinoni Evropën pa 5 vitesh? Si e imagjinoni Bullgarinë?
“Të jemi në gjendje të përmbushim kriteret për hyrjen në Eurozonë, në mënyrë që Bullgaria të mund të rimëkëmbet realisht ekonomikisht dhe gjithashtu, natyrisht, të bëhemi anëtarë në Shengen – bëhet fjalë për anëtarësimin e plotë në zonën Shengen, në mënyrë që edhe ne të kalojmë kufijtë tokësorë me lehtësi”, shtoi ajo.
"Po përfytyroj një Evropë më të sigurt, më të gjelbër dhe më të bashkuar, sepse mendoj se Evropa e bashkuar është e fortë dhe do të jetë në gjendje të përballojë vështirësitë në të ardhmen. Shpresoj që së bashku të mund t’i përballojmë vështirësitë pa pasur probleme me anëtarët individualë, siç shihet shpesh në dy-tre vitet e fundit”, shtoi Jan Spasov.
"Unë do të doja ta shihja Evropën pak më të bashkuar, me zgjidhje të përbashkëta. Dhe shpresoj të jemi në gjendje t’i fshijmë këto dallime të mëdha që janë midis kombeve tona në mënyrë që të mund të ecim përpara. Shpresoj që pikëpamjet dhe parashikimet pesimiste në një plan thjesht politik që ekzistojnë në Evropë të mos bëhen fakt, dhe të mund të përgënjeshtrojmë të gjitha këto sulme, se Evropa do të shembet”, tha Biljana Gospodinova.
"Desha të shoh një Evropë të rivendosur pas të gjitha krizave, një Evropë më të qëndrueshme, por ne nuk mund të anashkalojmë faktin që aktualisht gjeopolitikisht jemi në një botë kaq të paqëndrueshme. Zgjedhjet në SHBA kanë një rëndësi të madhe për Evropën. Është shumë e rëndësishme se si do të zhvillohen ngjarjet në Iran, në Lindjen e Mesme, lufta në Ukrainë, natyrisht. Kështu që është e rëndësishme që Evropa të mund të orientohet mirë në këtë situatë, në të cilën po ndodhemi, dhe me të vërtetë të mbrojë pozitat e saj dhe qëndrimet e qytetarëve të saj”, tha Aleksandra Gajtanxhieva.
Ky material është përgatitur në kuadër të radio rrjetit evropian “Euranet Plus”. Mund ta dëgjoni atë me tingullin e tij origjinal në bullgarisht KËTU.
Foto: www.europarl.europa.eu, EPA/BGNES, BNR, BTA, arkiv, arkiv personal, sofia.europarl.europa.eu
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Minoriteti kombëtar bullgar në Shqipëri është një nga më të mëdhenjtë në vend, sipas të dhënave nga censi i fundit zyrtar i popullsisë atje. 7 057 persona janë deklaruar si bullgarë, në krahasim me 23 000 që janë identifikuar si grekë, 12 000 si..
Një pemë e Krishtlindjeve me dekorime bullgare është vendosur në një vend qendror në Muzeun e Industrisë në Çikago. Për të pestin vit radhazi, bashkatdhetarët nga qyteti amerikan bënë dekorimin luksoz të pemës bullgare të Krishtlindjes me mbi 30 mijë drita..
Në vitin 2023 në Shqipëri u zhvillua regjistrimi i parë i popullsisë pas njohjes zyrtare të pakicës kombëtare bullgare në vitin 2017, sipas të cilit 7057 persona janë vetëdeklaruar bullgarë. Në Shqipëri ka mbi 7 mijë bullgarë “Dy javë më parë,..