Të dielën e tetë pas Ngjalljes së Krishtit, ne kremtojmë një nga festat më të rëndësishme për mësimin e krishterë, Rrëshajën. Në këtë ditë, Fryma e Shenjtë - Personi i Tretë i Trinisë së Shenjtë - zbret në tokë për t'iu shfaqur dymbëdhjetë apostujve, të mbledhur për lutje së bashku me Nënën e Shenjtë të Zotit në dhomën e sipërme të Sionit. Ata ishin pikërisht aty ku Jezu Krishti themeloi Sakramentin e Eukaristisë në Darkën e Fundit përpara se të kryqëzohej. Ndërsa ata po luteshin, papritmas u dëgjua një zhurmë dhe flakët u shfaqën sipër secilit prej dishepujve të Krishtit. Falë Frymës së Shenjtë, ata filluan të flasin në gjuhë të ndryshme dhe prania e Zotit u shpreh në plotësinë e saj dhe kështu arriti në mendjet dhe zemrat e të pranishmëve. Pasi panë këtë mrekulli, më shumë se 3000 njerëz që erdhën nga vende të ndryshme në Jerusalem u pagëzuan në të njëjtën ditë. Dhe apostujt e shenjtë, të mbushur me fuqinë e Frymës së Shenjtë, shkuan në botë për të predikuar Fjalën e Perëndisë.
"Atëherë lindi Kisha dhe që atëherë filloi kjo vepër e madhe shpëtimi - ndriçimi dhe shenjtërimi i njeriut", vuri në dukje Mitropoliti i Vidinit Daniill, në një intervistë të veçantë për Radio Bullgarinë.
“Përmes Frymës së Shenjtë ne mësojmë se çfarë është Zoti – thekson Mitropoliti Daniill. - Kjo është gjëja kryesore e madhe që kemi marrë - dhurata e Frymës së Shenjtë, dhurata e dhuratave, më e çmuara nga gjërat më të çmuara. Aftësia për të pranuar Zotin. Ne nuk e shpikëm këtë, Zoti e tha. Zoti e bëri të tillë. Apostujt e shenjtë fillimisht e dëgjuan këtë nga Zoti, më pas Ai "ua hapi mendjen" për të kuptuar shkrimet profetike, ku thuhet se Zoti do të derdhë Frymën e Tij mbi çdo mish dhe në ditën e Rrëshajëve ky Sakrament i Madh u përmbush mbi ta. Shën Apostulli Pal thotë: "Hiri shpëtues i Perëndisë iu shfaq të gjithë njerëzve, dhe na mëson të mohojmë pabesinë dhe lakmitë e botës, sepse ne rrojmë me urtësi, me drejtësi dhe me perëndishmëri në këtë jetë.”
Është ky hir që kemi marrë nëpërmjet Frymës së Shenjtë që i mëson besimtarët e vërtetë të krishterë të shmangin gënjeshtrat, vjedhjet, zilinë dhe grindjet. Sepse Fryma e Shenjtë nuk mund të jetojë mes pasioneve të ulëta dhe ligësisë dhe tërhiqet. Sipas Mitropolitit Daniill, Zoti na krijoi me vullnet të lirë dhe e respekton këtë vullnet. Zoti është dashuri, dhe dashuria është aty ku ka vetëm vullnet të lirë dhe na takon ne ta ndjekim Atë.
“Dhe kështu, në Rrëshajë, njerëzimi merr përsëri këtë dhuratë të madhe të bashkimit me Zotin nëpërmjet hirit të Zotit, që paraardhësit tanë Adami dhe Eva humbën në parajsë – thekson Mitropoliti i Vidinit Daniill. - Hiri i Frymës së Shenjtë bën një shtëpi në ne, pastron zemrat tona, përgatit shpirtin dhe trupin tonë për t'u bërë një enë për Zotin.Kjo është gjëja e madhe. Prandaj, mesazhi i festës së sotme nuk është vetëm një mesazh - është më tepër një amanet. Ne kemi marrë diçka në këtë ditë - Dhurata e Shpirtit të Shenjtë që na mëson Kush dhe çfarë është Zoti. Ai është një Frymë dhe askush nuk mund ta rrëfejë Jezu Krishtin, se është Biri i Perëndisë, përveçse nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Pra, për 2000 vjet, kjo dhuratë u jepet besimtarëve. Menjëherë pas Pagëzimit të Shenjtë, prifti e lyen të pagëzuarin me miron e shenjtë. Me pranimin e këtij Sakramenti, Fryma e Shenjtë hyn në person. Ashtu si te apostujt në Rrëshajë, edhe Fryma e Shenjtë vjen te njeriu dhe depërton në thellësitë më të mëdha të qenies sonë, dhe që atëherë e tutje Zoti e bën shtëpinë e Tij në ne. Është një çështje tjetër nëse ne përpiqemi për këtë unitet me Zotin, nëse e kuptojmë atë që kemi marrë, nëse dimë të ruajmë hirin në ne apo jetojmë sikur të mos kemi marrë asgjë, gjë që ndodh shumë shpesh dhe është kudo.”
Menjëherë pas pagëzimit në ujë, prifti lyen të pagëzuarin dhe vulos me miron e shenjtë organet e shqisave dhe pjesët kryesore të trupit - ballin, sytë, veshët, vrimat e hundës, gojën, duart dhe këmbët, gjoksin dhe kështu personi i pagëzuar bëhet fëmijë i Zotit, nëpërmjet kësaj lindjeje nga Fryma e Shenjtë. Nga ana e vet, pas Pagëzimit, si të krishterë ortodoksë, duhet të përpiqemi të mbajmë urdhërimet e Krishtit dhe të jemi të kujdesshëm ndaj vetvetes - mendimeve, dëshirave, fjalëve, veprimeve tona.
“Çdo njeri bën gabime - thotë Mitropoliti Daniill. - Çdo njeri bën gabime në jetën e tij, por për këtë ka pendim. Nëpërmjet tij bëhet i mundur pastrimi i plotë i zemrës nga pasionet. Ne marrim dhuratën e Frymës së Shenjtë në pagëzimin e shenjtë, por për të marrë këtë hir, zemërgurësia jonë duhet të shndërrohet në dashuri, egoizmi dhe besimi ynë në gjërat tokësore të shndërrohen në besim te Zoti. Zilia dhe urrejtja jonë le të shndërrohet në dashuri. Dhe ky është një transformim i mirëfilltë, sepse kur këto pasione janë tek një person, ato ndikojnë edhe në imazhin fizik. Për shembull, kur një person zemërohet, imazhi i tij errësohet. Kur ka zili, zilia e shtrembëron fytyrën e njeriut, ai bën përpjekje që të tjerët të mos vërejnë këtë, por pasioni që vepron në zemër ndikon edhe në imazhin fizik. Nëpërmjet besimit, luftës së vazhdueshme shpirtërore, pendimit, rrëfimit, Kungimit të Shenjtë, veprave të bamirësisë, pak nga pak zemra e njeriut pastrohet dhe imazhi i tij shndërrohet. Jeta që na ka dhënë Zoti ka për qëllim të mbushë gjithë qenien tonë, në mënyrë që të mos ndjejmë mungesë. Kjo është dhurata e madhe që morëm në Rrëshajë. Zoti na ndihmoftë të ndriçohemi, të dimë atë që kemi marrë, të thithim dhe të fitojmë plotësisht hirin që na është dhënë.”
Një ditë pas Rrëshajëve, Kisha Ortodokse kremton festën e Shpirtit të Shenjtë, ose Ditën e Shpirtit, siç e quan populli ynë. Ekziston gjithashtu një besim se kjo është koha kur Zoti mbledh shpirtrat e të vdekurve. Për festën, për mënyrën se si të ruajmë dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe për zgjedhjen e ardhshme të patrikut bullgar - prisni vazhdimin e intervistës me Mitropolitin e Vidinit Daniill më 24 qershor.
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: BTA, BGNES, facebook.com/Vidinska.mitropoliya, bg-patriarshia.bg, bogonosci.bg
Shteti ynë bëhet vendi i parë në BE që ka inteligjencë artificiale në një nivel të lartë teknologjik në gjuhën e tij, krijuar nga një organizatë shkencore me financim shtetëror. Inteligjenca artificiale e gjeneratës së re, e krijuar për të punuar në..
Eurodeputetët dëgjuan 26 kandidatët për komisionerë në Komisionin e ri të Ursula von der Leyen në komisionet përkatëse. Megjithatë, përfundimi i procedurës nuk çoi në një marrëveshje mes forcave politike për Komisionin e ardhshëm Evropian dhe ambicia është..
Minoriteti kombëtar bullgar në Shqipëri është një nga më të mëdhenjtë në vend, sipas të dhënave nga censi i fundit zyrtar i popullsisë atje. 7 057 persona janë deklaruar si bullgarë, në krahasim me 23 000 që janë identifikuar si grekë, 12 000 si..
Shteti ynë bëhet vendi i parë në BE që ka inteligjencë artificiale në një nivel të lartë teknologjik në gjuhën e tij, krijuar nga një organizatë..
Eurodeputetët dëgjuan 26 kandidatët për komisionerë në Komisionin e ri të Ursula von der Leyen në komisionet përkatëse. Megjithatë, përfundimi i procedurës..