Pas Çlirimit të Bullgarisë në vitin 1878, vendi ynë filloi të zhvillohet me ritme të shpejta për të kompensuar mungesën pesëshekullore nga harta historike e botës. Të rinjtë bullgarë diplomoheshin në universitete prestigjioze evropiane dhe ktheheshin për të kontribuar në prosperitetin e shpejtë të atdheut të tyre. Shumë prej tyre u bënë pionierë në fushën e tyre - i tillë ishte Stajko Stajkov, i cili hodhi themelet e klimatologjisë në Bullgari.
Ai lindi në 1882 në Strellça, një qytet plot shpirt revolucionar dhe etje për ndriçim. Babai i tij, Dimitër Popstajkov, u diplomua në shkollën e Mitropolisë së Plovdivit me mësues Joakim Gruev. Aty bashkënxënës të tij në klasë ishin Todor Kableshkov dhe Ivan Vazov . Më vonë mori pjesë në Kryengritjen e Prillit të vitit 1876. Nëna e tij vinte nga një familje e shquar dhe vëllai i saj Ivan Balltov kryesonte komitetin revolucionar lokal.
Duke rritur në një mjedis të tillë, Stajko Stajkov bënte përshtypjen e një të riu të aftë dhe të etur për dije. Sapo mbaroi Shkollën e Mesme të Mbrëmjes për Meshkuj në Sofje, hyri në Stacionin Qendror Meteorologjik dhe kjo përcaktoi fatin e tij të mëtejshëm.
“Stajko Stajkovit i dukej shumë interesante puna e tij, tregonte interes të madh për studimin dhe analizimin e veçorive klimatike të vendit tonë – tregon Nikoleta Petkova, drejtoreshë e Muzeut Historik në Strellça. – Filloi të mësonte frëngjisht, gjermanisht, anglisht, italisht, madje edhe japonisht, sepse një pjesë e madhe e botimeve shkencore ishin në këtë gjuhë. Fillimisht u punësua në pozicionin “matës” për të regjistruar ndryshimet e parametrave të motit. Një nga miqtë e tij në Stacionin Qendror të Motit ishte poeti Dimço Debeljanov, i cili gjithashtu ishte në po këtë pozicion. Ai shkruante shumë poezi humoriste për jetën atje. Në vitin 1906, Stajko Stajkov u regjistrua student në Fakultetin e Fizikës dhe Matematikës të Universitetit të Sofjes. Fatkeqësisht, në fillim të vitit 1907, për shkak të së ashtuquajturës kriza universitare me dekret të Princit Ferdinand institucioni arsimor u mbyll për gjashtë muaj dhe të gjithë profesorët u pushuan nga puna.”
Prapëseprapë, familja e tij vendosi të shesë shtëpinë e familjes në Pazarxhik dhe me paratë e marra në prill të po atij viti, Stajko Stajkov filloi shkollimin në "Friedrich-Wilhelm" - universitetin më të vjetër të Berlinit, i njohur sot si "Universiteti Humboldt". Në vitin 1914 iu dha titulli "Doktor i Filozofisë" dhe mbrojti me sukses një disertacion me temën "Kontributet e klimatologjisë së Bullgarisë - shpërndarjet e temperaturës", dhe punimet e tij për klimatologjinë, meteorologjinë dhe sizmologjinë u botuan në revista shkencore më të autoritetshme bullgare, gjermane dhe italiane. E megjithëse pas diplomimit iu ofrua të qëndronte në Gjermani, ai u kthye në vendlindje, ku punonte deri në fund në Stacionin Qendror të Meteorologjisë.
Që në vitin 1904, Stajko Stajkov bëri botimin e tij të parë shkencor "Një fenomen i ri atmosferik" në një revistë gjermane. Në të njëjtin vit ai vendosi sizmografin e parë bullgar në Sofje dhe filloi të merret me leximin e të dhënave. E tij është edhe merita për krijimin e të ashtuquajturës qelizë të motit të Stajkov, të cilën ai e bëri vetë nga druri i ngopur i pishës për të vendosur termometrat. Shkencëtari bullgar është gjithashtu autor i një formule për përcaktimin e thellësisë së hipoqendrës dhe zbulues i lidhjes midis distancës së epiqendrës dhe dy llojeve të para të valëve vëllimore në tërmete.
“Në punimet e tij mbi tërmetin shkatërrues në qytetin bullgar Gorna Orjahovica në vitin 1913, botuar pas vdekjes në vitin 1917, doktori Stajko Stajkov bëri një analizë të mrekullueshme teorike të të dhënave përshkruese nga zonat e prekura – thotë Nikoleta Petkova. – Kjo analizë u dërgua në stacionet meteorologjike në Evropë dhe u pranua si pikë referimi për studimin e një tërmeti të tillë. Punimet e tij kryesore ishin në fushën e klimatologjisë - ai vizatoi izotermat e para të Bullgarisë, e ndau vendin në katër rajone klimatike dhe përcaktoi gradientin vertikal të temperaturës. Dhe kur në vitin 1915, si rezultat i luftës, u ngrit çështja e ushqimit, ai paraqiti një raport të gjerë në Këshillin e Ministrave për të korrat dhe në çfarë mënyre mund të rriten.”
Fatkeqësisht, shumë nga njëzet e pesë punimet shkencore të Dr. Stajko Stajkov u botuan pas vdekjes, sepse shtabi i ushtrisë e urdhëroi atë të paraqitej si rekrut në Regjimentin e 27-të të Këmbësorisë. Që në fillim të veprimeve luftarake u dërgua për zbulim, por ra në pritë dhe natën e 4 nëntorit 1915 – vetëm 33 vjeç – u vra afër fshatit Ormanli të Strumicës gjatë Luftës së Parë Botërore.
“Mirëdashës, i sjellshëm dhe i durueshëm” – kështu njerëzit që kanë prekur Stajko Stajkovin e përshkruanin këtë shkencëtar të talentuar të ikur pa kohë. Gjatë viteve të mjerueshme të studimeve në Gjermani, kolegët e tij në Stacionin Qendror Meteorologjik punonin jashtë orarit për t'i siguruar të dhënat e nevojshme për disertacionin e tij dhe madje mblidhnin para për orën kronometri “Zenith”, të dobishme për punë. Kur ai vdiq në front, shokët e tij arritën ta mbledhin trupin, ta varrosin në varrezat e oficerëve - megjithëse ai nuk e arriti atë gradë dhe t'i ngrenë një monument mermeri. Kujtimi i dr. Stajko Skajkov u nderua nga komuniteti shkencor edhe me një raport të prof. Kasner nga Universiteti i Berlinit, i cili ia prezantoi Shoqatës Gjermane Meteorologjike, anëtare e së cilës ishte bullgari.
Dr. Stajko Stajkov, gjatë kohës së shkurtër që punoi, arriti ta ngrejë meteorologjinë, sizmologjinë dhe klimatologjinë bullgare në nivelin e shkencës evropiane.
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Pas Çlirimit të Bullgarisë nga sundimi osman(1878), arkitektë nga Evropa u dyndën në Sofje, kryeqytetin e ri bullgar të shpallur në vitin 1879, për t'i dhënë asaj një pamje moderne dhe një organizim funksional. Në vitet 90-të të shekullit XX,..
Pasi i kushtoi 23 vite të jetës së tij Marinës Mbretërore, britaniku Darren Carter vendosi të tërhiqej në vitin 2013. Ai pranon se për vite me radhë ka lundruar pa qëllim nëpër “ujërat e trazuar të jetës” – nga puna në punë, nga vendi në vend. Derisa..
Kodet e identitetit janë baza e gjenealogjisë - një shkencë që merret me prejardhjen e brezave, me origjinën njerëzore, me lidhjet farefisnore. Kodet e identitetit na dallojnë si njerëz - është i bindur për këtë asistenti kryesor Rosen Gacin nga..