Importet e litiumit nga Serbia do të ndihmojnë BE-në të zvogëlojë varësinë e saj nga Kina
Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe nënkryetari i Komisionit Evropian i ngarkuar për energjinë Maros Ševçović do të vizitojnë Beogradin më 19 korrik për nënshkrimin e një marrëveshjeje midis BE-së dhe Serbisë për importin e mineraleve, përfshirë litiumin, të cilat janë kyçe për tranzicionin digjital dhe të gjelbër, njoftuan botimi serb Danas dhe BTA. Në një dokument të publikuar në uebsajtin e BE-së, ka një pjesë të veçantë ku thuhet se menaxhimi strategjik dhe politik i marrëveshjes do të udhëhiqet nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe Ševçović, të cilët do të mbajnë kontakte të rregullta, transmeton Danas. Publikimi saktëson se vizita e kancelarit gjerman dhe nënshkrimi i dokumenteve vjen disa ditë pasi Gjykata Kushtetuese anuloi vendimin e qeverisë së mëparshme të Serbisë për ndalimin e projektit për hapjen e minierës së litiumit në Loznicë nga kompania Rio Tinto. Projekti i minierës së litiumit ka shumë kundërshtarë në vend dhe ka shkaktuar protesta më shumë se një herë. Portali Politico thekson se Gjermania, si prodhuesi më i madh i makinave në BE, është shumë i interesuar të sigurojë litiumin, veçanërisht në Evropë, për të ulur varësinë nga Kina.
Google planifikon të investojë deri në 2 miliardë në një qendër të dhënash në Rumani
Qeveria rumune dhe gjiganti amerikan Google kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi në teknologjitë cloud, sigurinë kibernetike dhe shërbime të tjera dixhitale, raporton Digi24. Kompania planifikon të ndërtojë një qendër të dhënash në vend, në të cilën mund të investojë deri në 2 miliardë dollarë. Nënshkrimi i dokumentit është në kuadrin e projekteve të Rumanisë për zhvillimin e infrastrukturës dixhitale, inovacionit dhe kërkimit. "Ne kemi projekte ambicioze për reformën e administratës publike, që parashikojnë përdorimin e teknologjive moderne, si inteligjenca artificiale, përmirësimi i efikasitetit operacional, rritja e sigurisë dixhitale dhe promovimi i inovacionit në sektorin publik. Jemi në fazën përfundimtare me modernizimin e sistemit tatimor për zbulimin e abuzimeve dhe rritjen e arkëtimeve”, theksoi kryeministri Marcel Çolaku. Në negociatat me gjigantin amerikan, qeveria ka këmbëngulur që qendra e të dhënave të ketë një rol rajonal, çka do të thotë se do të konkurrojë me atë të Polonisë, ku 4 vite më parë kompania vendosi të investojë deri në 2 miliardë dollarë për të zgjeruar prania në segmentin e shërbimeve cloud computing.
Athina do të taksojë fitimet e jashtëzakonshme nga çmimet e larta të energjisë elektrike
Greqia do të vendosë një taksë të njëhershme për fitimet e jashtëzakonshme të prodhuesve të energjisë të realizuara në gusht dhe shtator dhe do t'i përdorë të ardhurat për të subvencionuar faturat e energjisë shtëpiake, njoftoi për Sky TV kryeministri Kyriakos Mitsotakis. Qeveria në Athinë po merr masa urgjente kundër çmimit të lartë të energjisë elektrike. Çmimi për megavat orë arrin në 500 euro, ndërsa çmimet e shitjes me shumicë janë rritur me 60%. Zëdhënësja e qeverisë bëri të ditur se po diskutohet edhe vendosja e një kufiri për çmimin e shitjes me shumicë, raporton korrespondentja e BNR në Greqi, Katja Peeva. Analizat e tregut tregojnë se për shkak të eksportit aktiv të energjisë elektrike në Ukrainë, ku Rusia ka shkatërruar objektet kryesore të energjisë, çmimet e energjisë elektrike janë rritur në të gjitha vendet evropiane.
Qytetarët e Qipros do të mund të udhëtojnë në SHBA pa vizë
Parlamenti qipriot ratifikoi marrëveshjen midis Qipros dhe SHBA-së për bashkëpunimin në përdorimin e informacionit për udhëtimet, nënshkruar në Uashington më 17 qershor. Dokumenti është një kusht për pjesëmarrjen e Qipros në programin e udhëtimit pa viza të SHBA, njoftoi Mediapool. Gjithsej 22 deputetë votuan “pro”, një ishte kundër dhe nëntë abstenuan. SHBA do t'i sigurojë Qipros sistemin/platformën e nevojshme softuerike për mbledhjen dhe analizën e të dhënave të pasagjerëve, pa pagesë. Nëse respektohen të gjitha afatet e dakorduara, përfshirja e Qipros në programin e udhëtimit pa viza pritet rreth fillimit të vitit 2025. Aktualisht, Bullgaria, Rumania dhe Qiproja janë të vetmet vende në BE, qytetarët e të cilëve kërkojnë vizë kur udhëtojnë në SHBA.
Përpiloi: Miglena Ivanova
Foto: Google.com, BGNES, KE, Pixabay
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Greqia mori këstin e katërt prej gati 1 miliard euro në kuadër të PRQ-së Komisioni Evropian i pagoi Greqisë këstin e katërt sipas Planit të Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë (PRQ) me vlerë 998.6 milionë euro. Këtë e raporton televizioni shtetëror..
Presidenti Rumen Radev u bëri thirrje politikanëve dhe partive që të zgjidhin problemet e tyre familjare dhe ta kthejnë Bullgarinë në Ballkan "në një plan më të gjerë rajonal". “Është koha që të nxjerrim kokën nga rëra, të mos merremi më me..
Një mosmarrëveshje parazgjedhore përçau partitë në pushtet të koalicionit të madh në Rumani Dy muaj përpara zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në Rumani, socialdemokratët në pushtet dhe liberalët hynë në një mosmarrëveshje. Kjo ndodhi për..
Nënkryetarja e Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Vesna Bendevska, paraqiti në Prokurorinë e Manastirit, se Klubi Kulturor Bullgar “Ivan Mihajllov” në..