Vitin e kaluar, ndërsa ekonomia e Bashkimit Evropian vuante nga inflacioni galopant dhe rritja e ndenjur, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ngarkoi ish-guvernatorin e Bankës Qendrore Evropiane dhe ish-kryeministrin italian Mario Draghi me një raport se si BE-ja mund të rifitonte avantazhin e saj. Raporti i shumëpritur për rritjen e konkurrencës së Evropës u publikua një javë më parë pas një vonese disa mujore.
Një nga transformimet kryesore që propozohet është futja e një plani të përbashkët të dekarbonizimit. "Sfida më e madhe me të cilën përballemi globalisht është ndryshimi klimatik. Ne kemi nevojë për një partneritet për ta trajtuar atë. Edhe pse Evropa ka një nga kornizat më ambicioze legjislative në këtë drejtim, nuk mjafton", tha për BNR komisionerja e BE-së për Bashkëpunimin Ndërkombëtar Juta Urpilainen. Dhe sigurisht plani i paraqitur nga Mario Draghi dhe ekipi i tij është ambicioz.
Në vitin 2002, dallimi mes PBB-së së BE-së dhe PBB-së së SHBA-së ishte 15 për qind, por sot është 30 për qind, për shkak të diferencës në rritje dhe produktivitet. Për të trajtuar këtë problem, Draghi përshkroi 170 rekomandime dhe u bëri thirrje udhëheqësve evropianë të marrin vendime të ashpra për të ndalur rënien ekonomike dhe për të parandaluar konfliktet sociale.
"Ne duam që dekarbonizimi të jetë një burim i rritjes. Nëse të gjitha politikat janë në sinkron me qëllimet tona klimatike - dhe kjo është një "nëse" e madhe - dekarbonizimi do të jetë një mundësi për rritje. Por nëse dështojmë të koordinohemi, ekziston rreziku që ky dekarbonizim të jetë në kundërshtim me konkurrencën dhe rritjen”, tha Draghi.
Industrive të mëdha, si industria kimike, ajo metalurgjike dhe ajo e letrës, do t'u kushtojë rreth 500 miliardë euro për të kaluar në energjinë e gjelbër gjatë 15 viteve të ardhshme. Sektori i transportit, duke përfshirë sektorin detar dhe atë të aviacionit, do të kërkojë investime prej 100 miliardë euro në vit nga 2031 deri në 2050. Megjithatë, kjo sjell me vete jo vetëm kosto të mëdha, por edhe mundësi për të ulur çmimet e energjisë, për të garantuar sigurinë e energjisë dhe një mundësi për të luajtur një rol udhëheqës në zhvillimin e teknologjive të pastra.
Komisioni Evropian ka vlerësuar se deri në fund të kësaj dekade nevojiten 584 miliardë euro investime në rrjetet e transmetimit të energjisë elektrike për të përmbushur objektivat ambicioze të klimës. Vendet anëtare gjithashtu pritet të kenë kabllo që lejojnë që 15 për qind e energjisë elektrike të prodhuar të jetë në dispozicion për vendet fqinje. Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se "rrjetet ndërkufitare të energjisë elektrike" janë një shembull i "projekteve të rëndësishme të përbashkëta evropiane" që potencialisht mund të financohen nga një buxhet i rritur evropian:
"E vetmja mënyrë për të siguruar konkurrencën tonë afatgjatë është të mos përdorim më karburantet fosile dhe të orientohemi drejt një ekonomie të pastër dhe konkurruese... Të gjitha ndryshimet duhet të jenë të drejta.”
Vitin e kaluar, 22 për qind e konsumit total të energjisë në BE ka qenë nga burimet e rinovueshme. Megjithatë, vetëm kjo nuk mjafton. Nëse problemet urgjente nuk zgjidhen, "Evropa do të vdesë në një mënyrë të ngadaltë dhe të dhimbshme", paralajmëroi Mario Draghi:
"Evropa është një kontinent ku vlerat e Bashkimit Evropian janë prosperiteti, barazia, liria, paqja dhe demokracia në një botë të qëndrueshme. Dhe Bashkimi Evropian ekziston për të siguruar se evropianët mund të përfitojnë nga këto të drejta themelore. Nëse Evropa nuk mundet më t’ua ofrojë njerëzve këto të drejta, atëherë ajo do të humbasë arsyen e ekzistencës së saj. Dhe vlerat që përmenda, si klima dhe rritja, janë të lidhura drejtpërdrejt me vlerat tona themelore."
Çfarë përfundimesh duhen nxjerrë nga synimet dhe objektivat e përcaktuara në raportin e Mario Draghit për transformimin e energjisë dhe ekonominë e gjelbër? Përgjigja e Kallojan Stajkov - Kryeekonomist në Institutin për Menaxhimin e Energjisë:
"Më në fund, ne në fakt po shohim një pikëpamje më të thelluar për mënyrën në të cilën funksionojnë tregjet, si dhe disa propozime strukturore. Këto janë gjërat e mira të raportit. Disa nga rreziqet që dalin nga ky raport janë në disa drejtime. I pari është që të gjitha këto politika, duke përfshirë edhe politikat e gjelbra, marrin një vlerësim dhe ky vlerësim nuk është aspak i ulët. Vetëm ky raport parashikon që tani e tutje do të duhet të shpenzohen nga 750 deri në 800 miliardë euro në vit. Dhe kjo është llogaria shtesë për investimet aktuale, për vlerësimet e tjera që kanë të bëjnë me dekarbonizimin, investimet e reja në burimet e ripërtëritshme energjetike, investimet në rrjete, dixhitalizimin e proceseve të ndryshme etj. Dhe në fakt është shumë e lehtë, kur vendoset një çmim i tillë, bizneset dhe institucionet financiare dhe politikanët të thonë "Kështu është, këto para duhet të shkojnë automatikisht për këto investime". Në të njëjtën kohë, raporti nxjerr shumë qartë në plan të parë se shumë nga synimet e gjelbra që vendos Evropa janë shumë më ambicioze se sa ato që shihen, për shembull, në SHBA ose Kinë.”
A ka ndonjë surprizë në këtë raport, apo më saktë, a është ajo që prisnit? Ka pasur mjaft kritika për idetë në raportin e Draghit, si mendoni - a është pjesa për transformimin e energjisë dhe tranzicionin e gjelbër shumë ambicioze, a janë këto qëllime realisht të realizueshme?
"Nuk do të thoja. Raporti nuk është bardh e zi. Nuk mund të them që raporti është i mrekullueshëm dhe as i tmerrshëm. Ka pikat e forta dhe të dobëta dhe, sinqerisht, më vjen mirë që më në fund shohim më shumë vëmendje për sfidat përpara biznesit dhe para politikave. Drejtimi është i qartë dhe është i dukshëm në të gjithë botën - drejt dekarbonizimit, drejt prodhimit më të pastër dhe drejt më shumë elektrifikimi. Por regjionet e ndryshme, pavarësisht nëse flasim për Evropën, Azinë, apo SHBA-në, kanë një qasje të ndryshme për arritjen e këtij qëllimi. Raporti nxjerr në pah konkluzione interesante që lidhen si me zhvillimin e tregjeve në Evropë, ashtu edhe me investimet e nevojshme dhe me pikat e forta dhe të dobëta të industrisë së saj. Si ekonomist dhe ekspert, Draghi ka paraqitur një vizion ekspert. Tani është shumë e rëndësishme sesi politikanët do ta transformojnë këtë vizion ekspert në politika konkrete, hapa dhe gjithçka tjetër me të cilën jemi mësuar”.
Pse ndryshimet po ndodhin kaq ngadalë në sektorin e energjisë?
“Nga njëra anë, ne po përpiqemi të përshpejtojmë procedurat për përfshirjen e burimeve të reja të rinovueshme, por nga ana tjetër, infrastruktura teknike që duhet t'i bashkojë edhe ato, edhe bateritë, edhe mundësisht disa hidrocentrale elektrike me pompa që mund të ndërtojnë, hidrocentrale të reja elektrike dhe kështu me radhë, kjo pjesë e procesit është pak a shumë e pandryshuar. Në fakt, ne transferuam një problem nga investitori që merret me projekte të lidhura me hidrocentralet elektrike në infrastrukturën e rrjetit, e cila funksionon sipas parimit të tregut dhe varet nga vendimet rregullatore. Këto vendime duhet të jenë më të shpejta, duke krijuar stimujt e nevojshëm, kështu që operatori i infrastrukturës së rrjetit të investojë sa më shpejt në zhvillimin e rrjetit të tij. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për përfshirjen e kapaciteteve të reja, por edhe për dixhitalizimin dhe krijimin e të ashtuquajturës “infrastruktura e rrjetit inteligjent”, ky është një proces kompleks. Kur kjo ndodhë ngadalë, ne thjesht e zhvendosim problemin nga një vend në një tjetër dhe pas 10 vitesh mund të lexojmë ndonjë raport të ngjashëm duke thënë se investimi në rrjete nuk mjafton."
Le të flasim më konkretisht - disa nga pikat në plan janë "sinkronizimi i qëllimeve klimatike" dhe "plani i përgjithshëm për dekarbonizimin dhe konkurrencën" - çfarë nënkuptojnë saktësisht këto gjëra dhe çfarë ndikimi do të kenë në jetën e përditshme të evropianëve, duke përfshirë bullgarët, nëse dhe kur do të zbatohen?
"Kjo është pyetja e madhe. Mendoj se të gjithë i mbajnë mend vitet në gjimnaz kur duhej të interpretonim atë që donte të thoshte autori. Këtu situata nuk ndryshon shumë, vetëm se këtë herë nuk jemi ne ekspertët që duhet ta bëjmë këtë, por politikanët. Është e rëndësishme se si do t'i lexojnë problemet dhe rekomandimet në raport dhe si do t'i mbështjellin ato në politika të reja. Fillimisht, përbërja e Komisionit Evropian, por edhe hapat e tij të parë, do të na japin njëfarë ideje se në cilin drejtim po mendohet.”
Ekipi i Mario Draghit përshkroi gjithashtu një gjë tjetër të rëndësishme - "ulja e çmimeve të transportuesve të energjisë dhe pakësimi i burokracisë", pasi ai vetë vuri në dukje se çmimet e energjisë në SHBA janë dy deri në tre herë më të ulëta, gjë që është një barrë për ndërmarrjet evropiane dhe industrinë evropiane në tërësi, dhe "përmirësimi i mjedisit të biznesit" – e gjithë kjo tingëllon shumë mirë, por si mendoni se mund të ndodhin në të vërtetë këto gjëra?
"Këto janë reformat strukturore, të cilat të gjithë i urrejmë dhe për të cilat kemi folur që nga fillimi i shekullit, reformat strukturore që nuk u mbajtën kurrë në Evropë. Përkundrazi, vetëm kemi vërejtur disa ndryshime të vogla aty-këtu. Një pjesë tjetër e arsyes, dhe kjo nuk është e re, është një nga avantazhet e mëdha të SHBA-së - se ato disponojnë nxjerrje lokale të burimeve të energjisë. Evropa është më e varfër sa u përket burimeve energjetike dhe rrjedhimisht nuk i ka këto mundësi. Përveç kësaj procedurat administrative janë tepër të ndërlikuara dhe, rrjedhimisht, ose e ngadalësojnë procesin, ose, në disa raste, e bëjnë atë të pakuptimtë.Shumë shpesh dëgjojmë akuza në drejtim të Marrëveshjes së Gjelbër - se si ajo e vret industrinë, por në të njëjtën kohë burimet lokale të energjisë thjesht nuk përdoren. Në një moment, vite më parë, Evropa vendosi që të hiqte gradualisht kontratat afatgjata me çmime të parashikueshme dhe të kalonte drejt tregtimit brenda tregjeve afatshkurtra, gjë që në atë kohë dukej mjaft e arsyeshme. Ne ishim atëherë në një periudhë të rënies së çmimeve të energjisë, kështu që konkurrenca krijoi një mjedis mjaft të favorshëm për tregtinë dhe natyrisht industria dhe biznesi përfituan nga kjo. Në kushtet aktuale të rritjes së tensionit gjeopolitik, me ndryshimet në furnizimet me energji, duhet gjetur një opsion më i qëndrueshëm. Situata ka ndryshuar dukshëm, diku më shpejt, diku më ngadalë. Dhe në këto kushte të reja, Evropa duhet të marrë një vendim të ri se si do të vazhdojë të ndjekë objektivat e saj energjetike dhe mjedisore”.
Ky material është përgatitur në kuadër të radio rrjetit evropian “Euranet Plus”. Mund ta dëgjoni atë me tingullin e tij origjinal në bullgarisht KËTU.
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Në mëngjesin e Krishtlindjes tashmë kudo është përhapur lajmi më i gëzueshëm në Tokë se ka lindur i biri i Zotit, prandaj dita është e veçantë dhe duhet festuar me vëmendje të veçantë dhe me shumë rite festive. Pas natës së qetë dhe të shenjtë, kur..
Në prag të Lindjes së ndritur të Krishtit – Natën e Buzmit, Shenjtëria e Tij Patriku Bullgar Daniill dhe Mitropolit i Sofjes iu drejtua të gjithë fëmijëve të Kishës sonë Ortodokse. “Në lutje të qeta, të mbledhur rreth vatrës së ngrohtë të shtëpisë,..
Nata e Buzmit është një nga ato festat e qeta familjare, të mbushura me shpresë për ditët në vijim. Në kufirin mes të shkuarës dhe të tashmes, bullgarët ortodoksë, kudo që janë të shpërndarë nëpër botë, mblidhen për të pritur Krishtlindjet...
Nata e Buzmit është një nga ato festat e qeta familjare, të mbushura me shpresë për ditët në vijim. Në kufirin mes të shkuarës dhe të tashmes,..
Në mëngjesin e Krishtlindjes tashmë kudo është përhapur lajmi më i gëzueshëm në Tokë se ka lindur i biri i Zotit, prandaj dita është e veçantë dhe duhet..
Në prag të Lindjes së ndritur të Krishtit – Natën e Buzmit, Shenjtëria e Tij Patriku Bullgar Daniill dhe Mitropolit i Sofjes iu drejtua të gjithë..