Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Ngjarjet me adresë ballkanike

Më 15 tetor, Shqipëria fillon negociatat thelbësore për anëtarësimin në BE


Përfaqësuesit e përhershëm të BE-së në Bruksel vendosën njëzëri nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Fillimi do të jetë më 15 tetor me një konferencë ndërqeveritare BE-Shqipëri në Luksemburg. Më pas do të hapet grupi i parë i kapitujve të negociatave mbi "Çështjet Themelore". Shqipëria u nda kështu nga Maqedonia e Veriut në procesin e integrimit. Pengesa e fundit para nisjes së negociatave ishte një mosmarrëveshje mes Shqipërisë dhe Greqisë, për shkak të kryebashkiakut të arrestuar dhe të dënuar me origjinë greke Fredi Beleri në bashkinë shqiptare të Himarës. Më pas ai u zgjodh si eurodeputet në Greqi. Në fillim të shtatorit, autoritetet shqiptare e liruan me kusht, kujton BGNES. “Ky është një lajm i mirë për Shqipërinë, por është një hap prapa për Republikën e Maqedonisë së Veriut, e cila edhe një herë nuk arriti të ndërmarrë një hap vendimtar drejt anëtarësimit në BE”, thekson Euractiv.

Qipro ka kërkuar një rifillim të menjëhershëm të bisedimeve për ribashkimin e ishullit
Nikos Hristodulidis
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në Nju Jork u shndërrua në një fushë konfrontimi të ashpër për çështjen e Qipros. Në një fjalim, presidenti qipriot Nikos Hristodulidis i quajti pretendimet e presidentit turk Rexhep Erdogan për ekzistencën e dy shteteve të ndryshme në ishull "revizioniste" dhe "të paligjshme". Kështu ai iu përgjigj kërkesës së presidentit turk që bashkësia ndërkombëtare të njohë Republikën Turke të Qipros Veriore. Hristodulidis akuzoi Ankaranë për "shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe Kartës së OKB-së" duke pushtuar një pjesë të vendit për 50 vjet. Ai i bëri thirrje direkt Erdoganit duke këmbëngulur për rifillimin e menjëhershëm të negociatave për çështjen e Qipros.
"Asnjë vend që beson në epërsinë morale të pozicionit të tij nuk refuzon të ulet në tryezën e bisedimeve," theksoi Hristodulidis.

SHBA-ja po financon modernizimin e forcave ushtarake rumune
Marsel Bolos (në të djathtë) dhe Michael Miller
SHBA-ja dhe Rumania nënshkruan një marrëveshje për një kredi prej 920 milionë dollarësh. Paratë janë për modernizimin e mbrojtjes rumune. Dokumenti u nënshkrua në Bukuresht nga ministri rumun i financave, Marsel Bolos dhe drejtori i Agjencisë së Sigurisë dhe Mbrojtjes së SHBA-së, Michael Miller. "Qasja e Rumanisë në fonde kaq të mëdha është një argument i fortë për besimin dhe për statusin e vendit tonë. Marrëveshja është vetëm faza e parë e projekteve të ardhshme të mbrojtjes që ne do të zhvillojmë së bashku me SHBA-në për të arritur një financim prej mbi 2 miliardë dollarësh”, tha kryeministri rumun Marcel Ciolacu. Ai njoftoi se paratë do të përdoren për përmirësimin e kapaciteteve mbrojtëse, zhvillimin e industrisë vendase të mbrojtjes, krijimin e vendeve të punës dhe futjen e teknologjive të reja, raporton BTA.

Në Kroaci tashmë janë gati për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak

Ministria e Mbrojtjes e Kroacisë ka plotësuar të gjitha parakushtet për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak nga fillimi i vitit 2025. Duhet një vendim politik, i cili do të merret në parlament pas konsultimit me kryeministrin dhe presidentin, tha ministri i mbrojtjes Ivan Anusic. Instruktorët janë gati, janë përgatitur 3 vende për akomodimin vjetor të 17 000-18 000 rekrutëve mbi 18 vjeç, shtoi ministri, cituar nga HINA. Në përgjigje të pyetjeve gazetareske, ai tha se kostoja e stërvitjes fillestare ushtarake duhet të jetë më pak se 5 milionë euro në vit. Për ata që refuzuan të shkojnë, do të ketë një shërbim ushtarak civil alternativ, shtoi Anusic.

Mali i Zi ndalon prodhimet e plastikës njëpërdorimëshe

Sipas ligjit të ri për menaxhimin e mbeturinave nga 20 tetori, përdorimi i qeseve plastike të lehta me trashësi nga 15 deri në 50 mikron, si dhe i produkteve plastike njëpërdorimëshe, është i ndaluar në Mal të Zi, njoftoi qeveria malazeze. Ata që nuk respektojnë ligjin do të gjobiten nga 1000 deri në 40000 euro. Masa është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të forcuar kontrollet dhe për të inkurajuar një zhvendosje drejt mënyrave më të qëndrueshme të menaxhimit të mbetjeve, me një fokus të veçantë në reduktimin e përdorimit të plastikës. Përveç ndalimit të qeseve plastike, ligji vendos edhe një tarifë për depozitimin e mbetjeve shtëpiake të përziera në vendgrumbullime, gjë që do të nxisë riciklimin dhe reduktimin e mbetjeve, raporton televizioni kombëtar RTCG.

Përpiloi: Ivo Ivanov
Foto: eurotopics.net, jutarnji.hr, euractiv.com, gov.ro, evarazdin.hr
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello

Më shumë nga rubrika

Nuk ka asnjë kërcënim të drejtpërdrejtë për Bullgarinë nga përshkallëzimi i tensioneve në Lindjen e Mesme

Për momentin nuk ka asnjë kërcënim të drejtpërdrejtë për vendin tonë nga përkeqësimi i mprehtë i mjedisit të sigurisë në Lindjen e Mesme - këtë konkluzion të mbledhjes tre orëshe të Këshillit Konsultativ për Sigurinë Kombëtare ua bëri të ditur..

botuar më 24-10-04 2.02.MD
Sulmet ajrore izraelite në Libanin jugor, 01 tetor 2024.

David Avishaj nga Izraeli: Ka arsye konkrete për veprimet e Izraelit në Gaza dhe Liban

Me dy fluturime të Airbus-it qeveritar brenda dy ditësh, shteti bullgar arriti të evakuojë 169 bullgarë dhe anëtarë të familjeve të tyre që u kthyen në shtëpi nga Libani pas përshkallëzimit të tensioneve atje. 80 bullgarë të tjerë u evakuuan me..

botuar më 24-10-03 7.35.PD

Zgjedhje të parakohshme në asnjë kohë

Që nga sot, 27 shtator, Bullgaria është sërish në një fushatë zgjedhore 30 ditore. 28 parti dhe 11 koalicione paraqitën dokumentet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për pjesëmarrje në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme parlamentare dhe në..

botuar më 24-09-27 6.55.PD