Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Estetikë urbane dhe jetesë e lidhur me detin - jeta në qytetin antik Anhiallo, Pomorie e sotme

Foto: pomorietourism.bg

Vendet turistike përgjatë bregdetit bullgar të Detit të Zi mund të ndahen në dy kategori - moderne, të shquara për rrugët e tyre të zhurmshme dhe shumëngjyrëshe dhe në kategorinë e dytë janë qytetet-port dinjitoze, me një histori shekullore, përmes të cilave kanë kaluar kolonë të ndryshëm dhe secili prej tyre ka lënë një pjesë të trashëgimisë së tij. Pikërisht në këtë kategori vendbanimesh kozmopolite është edhe Pomorie e sotme, ose Anhiallo / nga greqishtja – “afër kripës”/ siç quhej qyteti kur u themelua - në fund të shekullit V para erës sonë. Një pjesë e madhe e banorëve të tij ishin trakë, por vendndodhja midis kolonive greke Apollonia Pontica dhe Mesambria Pontica përcaktoi edhe ndikimin bizantin mbi popullsinë vendase.

Që nga themelimi i tij deri në fillim të shekullit të kaluar, ai ishte një nga qytetet më të rëndësishme të Detit të Zi në trojet bullgare. Shumë kohë përpara se të ndërtonin hotelet e shumta dhe të këndshme ku qëndrojnë me mijëra turistë gjatë verës, banorët e Pomories kishin një jetë të pasur dhe të larmishme si peshkatarë me shumë përvojë, si verëtarë dhe disa zanate tashmë të harruara, si nxjerrja e kripës nga deti. Qyteti lulëzoi pasi banorët vendas ishin shumë punëtorë dhe tregtatë të mirë.

Në pjesën e vjetër të qytetit të Pomories, nuk mund të mos vërehet arkitektura e shtëpive të vjetra, të cilat ndodhen pothuajse pranë bregut të detit. Edhe pse vetëm 9 ndërtesa i mbijetuan një zjarri shkatërrues në vitin 1906, përmes tyre shohim pamjen e Anhiallos së lashtë, që la gjurmë në Pomorien e sotme.

Për të hedhur një vështrim më të thellë pas mureve të trasha të shtëpive antike, shkojmë në Muzeun Historik të qytetit, ku është bërë një rikonstruksion i paraqitjes autentike të një shtëpie të pasur të Anhiallos.

“Edhe pse vendasve u pëlqen të thonë se kanë prejardhje greke, rezulton se nuk është gjithmonë kështu”, na shpjegon Anelija Grigorova, etnografe në Muzeun Historik të Pomories:
Anelija Grigorova
"Shumë qytetërime kanë kaluar këtej dhe secili ka lënë diçka pas. Ndryshe nga pjesa e brendshme e Bullgarisë, popullsia e Pomories ka privilegjin të ketë një jetesë specifike. Nxjerrja e kripës është diçka shumë specifike, veçanërisht pasi cilësia e kripës në këtë vend ishte në një nivel shumë të lartë. Kjo popullsi kishte një status të veçantë, të privilegjuar. Çunat e Anhiallos nuk shkonin në ushtri, por rrinin këtu. Nuk ka informacione për ndonjë përplasje të rëndë mes turqve dhe grekëve. Përveç nxjerrjes së kripës, një mjet tjetër jetese ishte edhe prodhimi i verës. Edhe pse varietetet e verës ishin krejtësisht të ndryshme deri në shekullin e XIX-të, ato mund të kenë qenë që nga koha e Trakëve. Ne e dimë se ata kultivonin varietete të tilla që mund të toleronin transportin nga deti. Dhe komuniteti grek është i famshëm për aftësitë e tij të mira tregtare. Por më vonë u shfaq një sëmundje /filoksera/ dhe kështu varietetet e vjetra u zhdukën.
Ndërtesa ku ndodhet muzeu është një shkollë greke vajzash me dy nivele. Ajo ka eksponate nga koha parahistorike dhe muzeu nuk është i profilizuar rreptësisht si një muze vetëm etnografik apo arkeologjik. 
Ndërtesa e Muzeut Historik në Pomorie
Gjatë zjarrit të madh në 1906 u dogjën më shumë se 800 shtëpi, na thotë etnografi dhe shpjegon: "Në Pomorie sot nuk kemi një shtëpi kaq autentike në të cilën të tregojmë jetesën dhe mënyrën e jetesës së njerëzve në të kaluarën, dhe të vetmet shtëpi që kanë mbijetuar deri më tani janë prona private”.

"Kemi një rezervat të vogël që quhet "Stari Pomorijski Kështi" (Shtëpitë e Vjetra të Pomories"). Ai ndodhet në krye të gadishullit, me një pamje shumë të bukur të farit dhe të ashtuquajturit det të cekët. Gjatë zjarrit këto shtëpi, si një kordon, rrethuan dhe e ruajtën Kishën "Metamorfoza e Krishtit", e cila është një nga kishat më të vjetra autentike në qytet. Bëhet fjalë për 9 shtëpi të lashta. Përgjatë detit ekziston rreziku i një ere të fortë që fryn në drejtim të bregut dhe mund të përmbysë të gjithë çatinë, prandaj edhe strehat janë kaq të vogla. Veshja prej druri kishte për detyrë të mbronte nga lagështia dhe erërat. Dhe kati i parë ishte zakonisht prej guri dhe shërbente për qëllime të ndryshme ekonomike. Aty ruanin fuçi vere, mjete të ndryshme peshkimi etj.
Shtëpi tipike e vjetër e Pomories
Në të ashtuquajturat familje greke në Anhiallo, i vetmi që kujdesej për sigurimin e ushqimit të familjes në shtëpi ishte burri. Ai punonte pa u lodhur nga mëngjesi deri në mbrëmje edhe si peshkatar, edhe si nxjerrës kripe, ndërsa gjatë pjesës tjetër si bujk - duke prodhuar drithë dhe verë. Gratë kujdeseshin që gjithçka në shtëpi të ishte e rregullt dhe e pastër, për fëmijët dhe mbi të gjitha për pamjen e tyre. “Këto ishin gra qyteti, zakonisht shumë më të reja se burrat e tyre dhe kjo ka shpjegimin e vet”, thotë etnografja Anelija Grigorova.

"Kjo është kështu sepse kishte një urdhër - që një nga djemtë në familje të martohej, fillimisht duhej të martoheshin motrat e tij. Zakonisht kjo ndodhte në një periudhë shumë më të vonë të jetës së tij. Familjet ishin shumë të pasura, kishin mundësi për të bërë pazar jashtë vendit, kështu që gratë dukeshin shumë bukur. Kishte vend edhe për argëtim. Organizonin mbërmje, mblidheshin për festa, ditë emrash.
 Shtëpitë e tyre ishin të hapura për mysafirët, por greket i prisnin miqtë me pak gjëra - me një lugë reçel fiku ose qershie, pa atë pritje të bollshme që njohim ne në jetën e bullgarëve. Por në mesin e tyre kishte shumë mjeshtër të aftë të të ashtuquajturve Dantella e Brukselit dhe ekspozita të tilla ruhen në muze. Janë ruajtur edhe vizatime të bukura të viteve '60 të shekullit të kaluar në mbulesat dhe jastëkët. Nga gjithçka duket se kanë pasur një jetë të lehtë, të lirë, duke theksuar në të njëjtën kohë përkatësinë e tyre ndaj besimit të krishterë”.

Lexoni më tepër: 

Foto:Gergana Mançeva, pomorietourism.bg, arkiva

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Pistat në pushimoret malore Borovec, Bansko dhe Pamporovo janë të mbuluara me borë para sezonit të ri

Shpatet malore në tre resortet kryesore dimërore të Bullgarisë - Borovec, Bansko dhe Pamporovo, janë të mbuluara mirë me borë para fillimit zyrtar të sezonit, njofton BGNES. Sezoni 2024/2025 do të hapet në Borovec më 15 dhjetor. Në..

botuar më 24-12-03 12.53.MD

Liqenet Çairski janë si një “superhero” për natyrën

Liqenet Çairski janë një zonë e mbrojtur në Rodopet Perëndimore, e njohur për liqenet e formuar në mënyrë natyrale nga rrëshqitja e dheut. Ata janë të mbuluar me një qilim të trashë torfe. Përreth syri kënaqet në livadhe me bimë të llojllojshme..

botuar më 24-12-03 7.20.PD
Drejtori i Përgjithshëm i BNR Milen Mitev (i dyti nga e majta) merr çmimin e partneritetit mediatik

BNR, BNT dhe BTA u vlerësuan për partneritetin më të mirë mediatik në mbështetje të turizmit në Bullgari

Tre mediat publike Televizioni Kombëtar Bullgar (BNT), Radioja Kombëtare Bullgare (BNR) dhe Agjencia Telegrafike Bullgare (BTA) u shpërblyen nga Shoqata Bullgare e Hoteleve dhe Restoranteve për partneritetin më të mirë mediatik në vitin 2024. Çmimin..

rinovuar më 24-11-27 10.39.PD