Në rrugën Sofje - Samokov përballë rrjedhës së lumit Iskër, pranë kthesës së madhe piktoreske midis fshatrave Kokaljane dhe Pasarell pranë Urës së Djallit ndodhet kodra Srednobërdie. Aty lumi Vedena derdhet në lumin Iskër dhe malet Lozen dhe Plana takohen, ndërsa Vitosha ngrihet mbi to. Në pllajën e pjerrët nga veriu në jug ngrihej Kalaja legjendare Kokaljanski Urviç. Ajo ruante rrugën për në Sredec ose Sofjen e sotme dhe ishte një qendër e rëndësishme e nxjerrjes së metaleve.
Kalaja studiohet periodikisht dhe sistematikisht nga arkeologjia bullgare që nga shekulli i kaluar. Në vitin 2017 në njërin skaj të kalasë u zbulua një manastir dhe vendbanim i pasur mesjetar. Ata ekzistuan gjatë kohës osmane deri në shekullin e XVII-të. Prej 3 vitesh, nën drejtimin e arkeologëve Dr. Filip Petrunov dhe Violina Kirjakova, me mbështetjen e programit "Kultura" të Bashkisë së Sofjes dhe Muzeut Historik Kombëtar, studiohet pjesa më e lartë e Kështjellës Urviç, ku ishte citadela. Arkeologët zbuluan gjetje që konfirmojnë legjendat lokale për mbretin Jasen ose Asen dhe mbrojtjen e kalasë në shekullin e XIV-të.
"Ne hasëm në një tempull. Ai u ndërtua në gjysmën e dytë të shekullit të XIV-të dhe ndoshta funksiononte deri në fund të jetës së kalasë, diku deri në gjysmën e dytë të viteve 80-të të shekullit të XIV-të", thotë studiuesi Filip Petrunov.
“Në hapësirën hyrëse të kishës në anën perëndimore, u gjetën fragmente pikture murale me imazhin e një veshjeje patriarkale - polistavrion, me të cilën më së shpeshti paraqitej Shën Nikollaj Mirlikijski. Arkeologët supozojnë se është plotësisht e mundur që kisha t'i jetë kushtuar atij. Ajo që është më interesante për vetë kishën është se ajo u ndërtua si një kishë-varr për të ruajtur mbetjet mortore të sundimtarit të kalasë. Ajo u ndërtua si kishë, në shërbim të guvernatorit. Më pas u shndërrua në varrin e tij. Sipas analizave antropologjike bëhet fjalë për një burrë të moshës 45-55 vjeç. Ai u varros jashtëzakonisht modest, por vetë përcaktimi i tempullit si shtëpia e tij e përjetshme është një tregues i statusit të tij të lartë në kështjellë."
Shenjat në dyshemenë e tempullit i çojnë arkeologët në zbulimin e një varri të dytë në hajatin e kishës.
"Këtu u varros një burrë më i ri, midis 18 dhe 30 vjeç, i cili u vendos me një unazë masive argjendi me pajisje ari - një dhuratë, ndoshta si një simbol përfaqësues në emër të Mbretit Ivan Aleksandër (1331-1371). Varrimi i këtij zotëri të ri këtu u bë në periudhën pas vitit 1371, kur Ivan Shishman (1371-1395) ishte tashmë në fron në Tërnovo, dhe ai duhej ta kishte marrë këtë të drejtë për të sunduar qytetin nga i ndjeri i mëparshëm, për shkak të të cilit vetë tempulli u formua si një kishë-varr."
Studiuesi supozon që guvernatori më i ri mori pushtetin në Urviç diku rreth viteve 1360-65.
“Bazuar në ikonografinë e vetë shqiponjës dykrenare dhe të unazës, sipas prof. Konstantin Doçev, i cili është një specialist kryesor në heraldikën dhe simbolikën e Mbretërisë së Dytë Bullgare (1185 – 1396), vetë krijimi i unazës duhet të datohe qysh në vitet 60-80 të shekullit XIV. Domethënë, nga dy qasje të ndryshme arrijmë në të njëjtat të dhëna për rindërtimin e tempullit si kishë - varr dhe varrimin e mbetjeve mortore të dy prej guvernatorëve.”
"Dhe për 7 vjet mbreti Shishman qëndroi në Sredec dhe afër lumit Iskër. Ai kishte një manastir Urviç me një kështjellë të fortë, të rrethuar me ujë. Kështu, me një ushtri të vogël, edhe fisnikët e Tërnovos mbijetuan këtu duke fshehur nga turqit". Këtë e shkroi Shën Paisij Hilendarski për Kokaljanski Urviç në "Historinë sllave bullgare". Gjetjet e fundit nga Kokaljanski Urviç konfirmojnë këto të dhëna.
"Kështjella Kokaljanski Urviç strehoi aristokratët përgjegjës për menaxhimin e të gjitha aktiviteteve që lidheshin me mbrojtjen e grykës për në Sredec, si dhe ne supozojmë, edhe të aktiviteteve prodhuese, sepse zbuluam një furrë prodhuese ngjitur me kishën, e cila duhet të ketë funksionuar paralelisht me vetë kishën dhe të gjithë kompleksin - vazhdon tregimin e tij në një intervistë për Radio Bullgarinë Dr. Filip Petrunov. - Këtë mund ta themi përfundimisht me kërkime të mëtejshme.
Vetë kështjella u ndërtua saktësisht siç e përshkroi Paisij - si një manastir Urviç me një kështjellë të fortë. Gjerësia e mureve është 2.6 m. Ne kemi objekte shtesë përforcuese me trashësi mbi 7 m. Banesat janë ngjitur fort në murin e kalasë, në mënyrë që të krijohet një oborr i hapur manastiri, një kompleks me dhoma që rrethojnë hapësirën. Periudha nga mesi i shekullit të XIV-të ishte jashtëzakonisht e trazuar për Mbretërinë e Tërnovos. Si hipotezë pune, mund të sugjerojmë se në lidhje me armatimin e një ushtrie dhe mbledhjen e furnizimeve që në fillim të viteve 50-të ose më së voni në vitet 60-të të shekullit të XIV -të, një familje nga qyteti Tërnovo u dërgua në Urviç dhe u vendos në citadelën. Ajo kishte kontakte diplomatike aktive me Mbretërinë e Vidinit, pasi kemi një sasi të konsiderueshme monedhash nga Ivan Sracimir (1356 – 1396).”
Një analizë e detajuar e të gjitha gjetjeve nga sezoni 2024 është ende për të ardhur. Në kishën nr. 2 u gjetën një çelës i hollë nga një kasafortë dhurimi, gjithashtu disa elementë argjendi jashtëzakonisht të bukur të veshjeve ose zbukurimeve të flokëve. Në një varr tjetër sezonin e kaluar, u gjet një unazë masive argjendi e zbukuruar me rombe të ngjitura.
Që në 2021 u zbulua një varr me vathë argjendi jashtëzakonisht luksoze, i gjetur deri më tani vetëm në kështjellën e vjetër Carevec në Tërnovo. Varrimi është i një vajze në pozicionin e rrallë të ulur, gjë që tregon status të lartë gjatë jetës së saj. Të gjithë së bashku me varrin - kishë shtrojnë pyetjen, kush janë njerëzit e shquar të varrosur në citadelën Urviç dhe cila është lidhja e tyre me dinastinë Asenevci, që sundoi Mbretërinë e Dytë Bullgare midis viteve 1187 dhe 1280.
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: Ivo Ivanov, Dr. Filip Petrunov, Muzeu Historik Kombëtar, BGNES
Qyteti i shenjtë shkëmbor i Perperikonit mori një tjetër njohje të madhe. Pasi një muaj më parë hyri në top dhjetëshen e vendeve arkeologjike më interesante në Evropë sipas gazetës së njohur britanike “The Guardian”, tani është shfaqur në faqen e..
Në vitin 2007, më 11 qershor, presidenti amerikan Xhorxh Bush – i riu vizitoi Sofjen. Sipas protokollit të kohës, konferenca për shtyp që ai dha për mediat u mbajt mes eksponateve të Muzeut Arkeologjik Kombëtar. Dreka zyrtare për të ftuarin u dha më vonë..
Perperikon – qyteti shkëmbor i trakëve pranë qytetit Kërxhali, Bullgaria Jugore, është futur në top 10 të objekteve botërore që duhen parë, sipas renditjes së gazetës “Guardian”. Vendi është vendosur së bashku me strukturat neolitike në Spanjë dhe Francë,..