Revolucionari i madh Ljuben Karavellov (1834-1879), shkrimtar dhe publicist i Rilindjes sonë, ka lënë një gjurmë të thellë në letërsinë bullgare si prozator, poet, fejtonist, kritik i letërsisë. Ljuben Karavelllovi ishte dhe udhëheqës i Lëvizjes Çlirimtare Bullgare kundër robërisë osmane për lirinë dhe pavarësinë e Bullgarisë dhe si kryetar i Komitetit Qendror Revolucionar Bullgar dha një kontribut të madh për përpilimin e strategjisë dhe taktikës së programit të revolucionit.
Duke organizuar lëvizjen çlirimtare të bullgarëve në një periudhë veçanërisht të rëndë, Ljuben Karavellovi proklamonte vazhdimisht edhe të drejtën për liri e pavarësi të të gjithë popujve ballkanikë dhe vëllazërimin në luftën e tyre të përbashkët.
“Lumturinë e njeriut nuk e mbron as skeptri e as froni, as kurora e as monarkia; lumturia e njeriut është në lirinë e tij, në lirinë e thjeshtë njerëzore.” Dhe u bënte thirrje popujve të Ballkanit të arrinin mirëkuptim për të fituar lirinë e plotë – lirinë popullore, lirinë personale, lirinë njerëzore. Ljuben Karavellovi jo një herë bënte thirrje për bashkim në emër të luftës për liri dhe për përparimin e popujve ballkanikë, për mbrojtjen e tyre nga planet grabitqare të fuqive evropianoperëndimore. Për qartësi dhe bindje më të madhe ai sillte mësime të hidhura nga historia, kur përçarja u pat sjellë vuajtje popujve ballkanikë dhe fitore – armiqve të tyre.
Në veprimtarinë e tij të gjerë publicistike e revolucionare Ljuben Karavellvi i jepte shprehje dhe qëndrimit të vet ndaj Shqipërisë, ndaj gjendjes dhe luftërave të popullit shqiptar.
Në kryeartikullin e botuar në numrin 4 të gazetës “Svoboda” (“Liria”) të datës 26 nëntor 1869 ai shkruante: “Në Gadishullin Ballkanik jetojnë pesë kombe, që janë thirrur të përmbysin Perandorinë e kalbur Turke dhe mbi rrënojat e saj të themelojnë pesë shtete të reja. Këto kombe janë: bullgarët, serbët, rumunët, grekët dhe shqiptarët.”
Karavellovi kishte bindjen e fortë se edhe shqiptarët ishin në radhët e luftëtarëve kundër Perandorisë Osmane: “Përveç bullgarëve, edhe 14 milionë sllavë të Jugut, 5 milionë rumunë, 2 milionë shqiptarë dhe 72 milionë rusë, me të gjithë këta i duhet të luftojë tani Perandorisë Turke” – shkruante Karavellovi në numrin e 27-të të gazetës “Svoboda” nga tetori i vitit 1870.
I nisur nga bindja se lufta e përbashkët e popujve ballkanikë do t’ua sillte lirinë, Karavellovi, si kryetar i Komitetit Qendror Revolucionar Bullgar, merrte pjesë në një radhë provash për organizimin e aksioneve në shkallë ballkanike. Në ecurinë e krizës ballkanike të viteve 1866 – 1868 ai vinte në dukje me gëzim lëvizjen revolucionare që kishte shpërthyer njëkohësisht në Shqipëri, Bullgari, Epir, Thesali, Kretë dhe bënte apel për bashkëveprime, për bashkimin e përpjekjeve.
Popujt e Ballkanit ushqejnë shpresa të reja për liri në periudhën e luftës midis Francës dhe Prusisë (19 korrik 1970 – 10 maj 1871). Në atë kojë nisi përgatitja e një kryengritjeje të përbashkët në Ballkan – në Bosnjë-Hercegovinë, Shqipëri, Bullgari e Mal të Zi. Në qershor 1871, me sa duket me pëlqimin e Ljuben Karavellovit, vojvoda Panajot Hitov nënshkroi me serdarin e Malit të Zi, Pero Matanoviç, një marrëveshje për kryengritje të përbashkët në Bosnjë-Hercegovinë, Bullgari e Shqipëri.
Komiteti Qendror Revolucionar Bullgar, në krye me Ljuben Karavellovin, e pat rrahur këtë çështje në pranverë të vitit tjetër. Asistonte edhe Apostulli i Lirisë Vasil Levski. Pas kësaj nisi vjelja e armëve dhe e të hollave. Në vjeshtë të vitit 1872 Levski përsëri shkoi në Bukuresht në lidhje me kryengritjen e përbashkët.
Fatkeqësisht, aksioni i parashikuar dështoi. Mbase nuk mjaftuan forcat për një nismë të tillë të madhe. Por ideja e kryengritjes ishte revolucionare dhe në kohë.
Kështu, revolucionari i madh, shkrimtari dhe publicisti Ljuben Karavellov proklamonte dhe luftonte për të drejtën e lirisë dhe pavarësisë së të gjithë popujve ballkanikë, për vëllazërimin e tyre në luftën e përbashkët.
Lexoni më tepër nga koleksioni i Radio Bullgarisë:
Foto: Pixabay, wikipedia.org, koprivshtitza.com, bulgarianhistory.org, Nadina - wikimedia.org, BGNES, desant.net, arkiv;
Kolazhi: Ivan Petrov
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva (në bazë të materialeve arkivore të Redaksisë së Gjuhës Shqipe)
Më 9 mars, Kisha Ortodokse nderon kujtimin e Dyzet Dëshmorëve të Shenjtë nga Sebastia e Armenisë. Këta janë 40 luftëtarë trima që refuzuan të adhuronin perënditë e vjetra pagane dhe në vitin 320 pranuan martirizimin për besimin e tyre në Krisht...
Me mbi 40 mijë objektet dhe artefaktet e saj arkeologjike, Bullgaria është një muze i vërtetë në ajër të hapur. Për nga numri i gjetjeve, vendi ynë renditet i treti në botë pas Italisë dhe Greqisë. Nga epoka neolitike, tetë mijëvjeçarë më parë, deri..
Batak është një emër që çdo bullgar e shqipton me respekt dhe dhimbje, sepse fati i qytetit të vogël malor është shënuar nga një nga ngjarjet më të përgjakshme në kujtesën tonë kombëtare - Masakrat e Batakut. Dhe nuk ka asnjë bashkatdhetar, i cili..