Me 20 dhjetor Kisha Ortodokse Bullgare nderon kujtimin e Shën Ignat Hyjmbajtësit. Sipas besimeve, dhimbjet e lindjes së Nënës së Zotit fillojnë nga kjo ditë. Edhe në këngët popullore thuhet:“Filluan dhimbjet e lindjes së nënës së Zotit”. Në kalendarin e bullgarëve, Dita e Ignat Hyjmbajtësit ose Ignazhden shënon fillimin e ciklit të madh të festave të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.
Më karakteristikë e kësaj dite është zakoni "pollazvane", nga i cili u krijuan edhe disa nga emrat e festës - Poljaz, Pollazovden. Nga kush do të hyjë i pari në shtëpinë këtë ditë, gjykohet se si do të jetë viti i ardhshëm. Njeriu i parë që e shkel pragun e shtëpisë quhet bullgarisht “Pollaznik” ose “Poleznik”. Nëse ky ndodh të jetë një person i mirë, me fat ose pronë, atëherë familja në shtëpi do të ketë një vit të mbarë, të shëndetshëm dhe pjellor.
“Pollaznik” mund të jetë një njeri, por mund të jetë edhe një kafshë - na tregon Maria Bojanova nga Muzeu Kombëtar Etnografik:
“Shumë shpesh në shtëpi silleshin një kafshë shtëpiake, për shembull kau, i cili është një krijesë shumë e mirë dhe e dashur nga bullgarët – falë tij, paraardhësit tanë në të kaluarën lëronin tokën dhe siguronin bukën e gojës. Dhe nëse “pollazniku” ishte një person, atëherë shpesh e ftonin ditën e mëparshme, sepse askush nuk dëshironte që një njeri i padëshiruar të shkelte pragun e shtëpisë Ditën e Ignat Hyjmbajtësit. Nëse rastësisht vinte një njeri i padëshiruar, pronarët shpesh e përzinin me mallkime dhe për këtë arsye askush nuk guxonte këtë ditë të dilte nga shtëpia e tij dhe të shkonte mysafir. Kur e ftonin në shtëpi, “pollazniku” sillte gjithmonë diçka me vete për shtëpinë - nuk duhet të ishte duarbosh, mund të sillte edhe një grusht copëza druri /ose kashtë/, të cilat i vendoste para vatrës. Pastaj gërmonte prushin me thekër dhe thërriste: “Sa shkëndija në vatër, sa viça, zogj, qengja në oborr...”, d.m.th. për të shumuar bagëtinë. Ndërsa, zonja e shtëpisë kalonte nëpër të gjitha dhomat me një sitë dhe praktikisht mbillte fara në mënyrë simbolike kështu që të korrat dhe gruri të rriten. Ne shohim se gjithçka perceptohet përmes simbolikës së të ftuarit “pollaznik” - dhe fati, dhe shëndeti në shtëpi, dhe shumimi i kafshëve dhe rritja e të korrave. Paraardhësit tanë i respektonin këto ligje për të ruajtur rendin dhe për të parandaluar kaosin.”
Dita e Ignat Hyjmbajtësi (Ignazhden) është shumë afër si datë me solsticin e dimrit dhe në kohët e vjetra, që para përhapjes së krishterimit, kombet evropiane festonin Solsticin Dimëror dhe Lindjen e Diellit në fund të dhjetorit, shpjegon studiuesja e traditave bullgare. Festa është pjesë e periudhës së Kreshmëve, e cila fillon më 15 dhjetor dhe përfundon në prag të Krishtlindjeve më 24 dhjetor. Në atë kohë njerëzit përgatisnin kryesisht bishtaja – grurë, fasule, thjerrëza, por edhe oshaf, kungull – këto gjellë ishin të pranishme si në festën e Shën Ignat Hyjmbajtësit, ashtu edhe në Natën e Buzmit.
Dita e Ignat Hyjmbajtësi (Ignazhden) është një nga tri mbrëmjet festive kur tryeza temjaniset me temjan dhe qymyr (të tjerat janë Nata e Buzmit dhe Dita e Shën Joan Pagëzorit - Epifania). Në Bullgarinë Perëndimore, për 20 dhjetorin përgatiten bukë të veçantë rituale. “Në përgjithësi, roli i bukës është të lyp pjellorinë, zakonisht në bukët rituale paraqitet jetesa e njerëzve, vendoset një shenjë kryqi, i cili përveçse ka lidhje me krishterimin, është edhe simbol i diellit” - thotë Maria Bojanova:
“Kulaçi për Ditën e Ignat Hyjmbajtësi është bukë që bëhet në formë rrethi, gjë që është një simbol shumë i vjetër diellor, pasi buka lidhet edhe me kultin e Diellit. Gjatë kreshmëve, periudhë në të cilën bie edhe Ditën e Ignat Hyjmbajtësit, brumoset buka pa tharmë. Temjanisja e ushqimit është një veprim i pastrimit të tryezës. Bëhej në plor - kjo është maja e parmendës, ajo pjesë metalike që hyn në tokë për të çarë dheun. Në plor vendosen thëngjij nga vatra, temjan, dyll. Kalohet nëpër të gjitha ambientet në mënyrë që ato të tymosen dhe kështu të pastrohen. Dhe gjithçka bëhet tri herë për të thirrur fillimin e ri dhe për të filluar pastër Vitin e Ri.”
"Në ditët e sotme ndezja e një qiriri është diçka që simbolikisht përsërit idenë e temjanisjes së tryezës” – thotë Maria Bojanova dhe nuk e fsheh gëzimin, se vëren një rikthim të interesit tek të rinjtë për traditat e vjetra bullgare.
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Tetë tradita autentike bullgare dhe aftësi të përcjella brez pas brezi nga pjesë të ndryshme të vendit u bënë pjesë e Listës Përfaqësuese Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale dhe kështu u bënë pjesë e "Thesareve të gjalla njerëzore" të..
Anabell Casaboff është një nga mijëra pasardhësit e bullgarëve në Argjentinë që nuk flasin gjuhën e gjyshërve të tyre, por Bullgaria është çdo ditë e pranishme në jetën e tyre. Ajo është një balerinë e mrekullueshme, kërcen dhe jep mësim baletin klasik, por..
Thonë se për të njohur një vend duhet jo vetëm ta shohësh me sy, por edhe ta shijosh. Çdo fshat bullgar, çdo qytet apo rajon ka frymën dhe aromën e vet specifike. Një nga mënyrat për t'i njohur janë rrugët gastronomike, të cilat po fitojnë popullaritet të..