Në prag të Lindjes së ndritur të Krishtit – Natën e Buzmit, Shenjtëria e Tij Patriku Bullgar Daniill dhe Mitropolit i Sofjes iu drejtua të gjithë fëmijëve të Kishës sonë Ortodokse. “Në lutje të qeta, të mbledhur rreth vatrës së ngrohtë të shtëpisë, ne presim përmbushjen e asaj që u ishte parathënë paraardhësve tanë para shumë shekujsh – Lindja e Shpëtimtarit”, vuri në dukje Shenjtëria e Tij me dashuri atërore, duke theksuar rëndësinë e kësaj ngjarjeje të madhe – “fillimi i ripërtëritjes së njeriut dhe i gjithë Krijimit".
“Biri i Zotit, Personi i Dytë i Trinisë së Shenjtë lindi si njeri nga Shpirti i Shenjtë dhe Virgjëresha Mari e pastër, me shpirt njerëzor, trup njerëzor, mendje njerëzore, vullnet njerëzor dhe jetë njerëzore”, kujton Patriku Daniill:
"Kjo mrekulli e madhe, ky mister i madh qëndron më lart, madje edhe se vetë Krijimi i Botës. Së bashku me ushtritë engjëllore, nga thellësia e shpirtit tonë edhe ne thërrasim: "Lavdi Perëndisë në vendet më të larta dhe paqe mbi tokë, mirësi midis njerëzve". Lavdi i qoftë Zotit, që nuk na braktisi. Lavdi i qoftë Zotit, që nuk na harro kurrë. Lavdi i qoftë Zotit, i cili u bë njeri për të na shpëtuar nga mëkati dhe vdekja. Lavdi i qoftë Zotit, që e përuli veten, e pakësoi, e poshtëroi dhe e kufizoi veten për të ngritur, lartësuar, liruar dhe shpëtuar njeriun! Lavdi i qoftë Zotit, që na solli Paqen e Tij Qiellore! Në kohët e sotme të luftës, pasigurisë dhe frikës për të ardhmen, shpresa dhe ngushëllimi ynë i vetëm është Zoti Jezu Krisht. Sepse ne kemi premtimin e Tij: "Unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës!" Lavdi i qoftë Zotit, i cili na mëson të jemi të mirë me njëri-tjetrin."
Dhe vullneti i mirë, sipas fjalëve të patrikut bullgar, shprehet në shërbimin e Zotit dhe të afërmit, por edhe në pendimin për mëkatet dhe faljen e njëri-tjetrit. Bariu ynë shpirtëror na thërret të kapërcejmë vetminë përmes komunikimit me Krishtin, trishtimin dhe mungesën e shpresës përmes lutjes së zjarrtë, besimit në providencën e Zotit dhe pjesëmarrjes në jetën e Kishës sonë të Shenjtë. Sipas tij, vullneti i mirë është të ndihmojmë me zemër dhe me vetëmohim vëllezërit dhe motrat tona që janë në vuajtje, të sëmurë, ose kalojnë përmes vështirësive dhe privimeve të ndryshme. Kjo do të thotë gjithashtu të lëmë mënjanë interesat tona vetjake dhe ndjekjet egoiste, për hir të të tjerëve dhe Zotit. Le të kemi unitet në emrin e Tij të Shenjtë, kujton Patriku Daniill:
“Të dashur në Zot vëllezër dhe motra, Natën e Buzmit, në prag të Lindjes së Krishtit, ne e shohim qartë të ardhmen që Zoti ka parashikuar për ne - të jetë me ne tani dhe përgjithmonë. Dhe Zoti është me ne. I tillë është vullneti i tij i mirë i pandryshueshëm. Prandaj, në Kishën e Krishtit, askush nuk është vetëm. Krishti është me ne gjithmonë dhe në mënyrë të pandryshueshme, por le të jemi edhe ne me Të, me Zotin tonë Perëndi dhe Shpëtimtar. Feja ortodokse nuk e lë njeriun në mëkat, por i jep kuptim dhe qëllim, i jep forcë dhe kurajë për të kapërcyer me ndihmën e Zotit çdo vështirësi, çdo fatkeqësi, çdo tundim. Lindja e Krishtit qoftë fillimi i një ndryshimi të thellë e të hirshëm në mënyrën tonë të të menduarit dhe të jetesës, në marrëdhëniet tona me Zotin dhe me njerëzit tanë. Me besim të gjallë, me përulësi, me pendim të sinqertë dhe me vepra dashurie për Zotin e dashuri për njerëzimin, le t'i bëjmë zemrat tona grazhde, në mënyrë që në to të lindë Foshnja Zoti Jezu Krisht dhe ne të kemi jetën në emrin e Tij!
Gëzuar Krishtlindjet!
Viti i Ri paqësor, i bekuar dhe shpëtimtar!”
Redaktore: Darina Grigorova
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Festa e sivjetshme e bullgarëve të Besarabisë, të cilën e shënojmë çdo vit më 29 tetor, u shndërrua në një sërë ngjarjesh kushtuar bashkësisë bullgare të shpërndarë në rajonin e Besarabisë, e ndarë midis Rumanisë, Ukrainës dhe Moldavisë. E fundit prej..
Një takim me temën "Ariu në kontekstin e ekoturizmit: mundësi dhe perspektiva" do të mbahet sot, 11 nëntor, në ndërtesën e Bashkisë së Smoljanit. Eventi është organizuar nga WWF Bullgaria dhe Shoqata "Horizonte të Reja" - Smoljan dhe synon të bashkojë..
Eurodeputeti i Partisë Popullore Evropiane, Andrej Kovaçev, bëri thirrje për miratim urgjent të ndryshimeve në Ligjin për Shtetësinë Bullgare gjatë një diskutimi me gazetarët bullgarë në Bruksel. Ligji aktual i shtetësisë bullgare është jologjik..