Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Ngjarjet me adresë ballkanike

Stërvitje e NATO-s në Ballkan pa pjesëmarrjen e Pentagonit, për shkak të qasjes së re të SHBA-së

NATO po teston aftësinë e saj për t'u vendosur me shpejtësi në Evropën Lindore pa ndihmën e drejtpërdrejtë të SHBA-së, ndërsa Uashingtoni e ndryshon qasjen e tij ndaj mbrojtjes evropiane dhe luftës në Ukrainë, raportoi Associated Press. Stërvitjet gjashtëjavore Steadfast Dart 2025 në Bullgari, Rumani dhe Greqi po zhvillohen ndërsa pushtimi rus ndaj Ukrainës po i afrohet përvjetorit të tij të tretë. Stërvitjet përfshijnë 10,000 personel ushtarak nga 9 vende, duke përfshirë rivalët rajonalë Greqinë dhe Turqinë. Ky është operacioni më i madh i NATO-s për vitin 2025. Mungesa e SHBA-së nga stërvitjet vjen në një kohë kur vendet evropiane po luftojnë për të ndërtuar një vetë-mjaftueshmëri më të madhe ushtarake për shkak të shqetësimeve rreth angazhimit të administratës së Donald Trump për mbrojtjen e përbashkët dhe kërkesave për të rritur shpenzimet ushtarake evropiane, shkruan agjencia, cituar nga BTA.

Presidenti serb thotë se protestat çojnë në separatizëm në Vojvodina
Aleksandër Vuçiq
Mes muajsh protestash dhe bllokadash të vazhdueshme, autoritetet në Serbi kanë njoftuar miratimin e një "deklarate të popullit" për Vojvodinën, një krahinë autonome në veri të vendit, në përgjigje të iniciativave të supozuara separatiste gjatë protestave, raportoi Radio Evropa e Lirë (Radio Free Europe).

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq njoftoi më 7 shkurt se në javët e fundit, iniciativat për t'i dhënë autonominë më të gjerë Vojvodinës kanë rifilluar, "duke u përpjekur të abuzojnë me të rinjtë në vend - me disa mesazhe kërkohet që Vojvodina të bëhet republikë, me disa të flitet gjuha vojvodinase e me disa të tjera që Vojvodina të ndahet prej Serbisë", shkruan Vuçiq në Instagram. Ai nuk specifikon se kush saktësisht po i dërgon këto mesazhe.

Presidenca serbe nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë lidhur me arsyet e sakta për miratimin e deklaratës së lartpërmendur. Duke folur para mediave, përfaqësues të sektorit joqeveritar e cilësuan deklaratën si një strategji të partisë në pushtet për të përçarë protestën.

Lëvizja "Vetëvendosje" doli e para në Kosovë, por ka nevojë për partnerë për të qeverisur
Albin Kurti
Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti fitoi me 40.84% në zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Forca kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, ka 22.05%. Lidhja Demokratike e Kosovës ka 17.67%. E katërta është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.45%. Partia më e madhe e serbëve të Kosovës, “Lista Serbe”, ka fituar 4.55% të votave. Partitë shqiptare kanë vetëm 100 vende në parlamentin prej 120 gjithësej. 20 vendet e mbetura janë për pakicat, 10 prej tyre janë të rezervuara për serbët, raporton BGNES.

"Vetëvendosje" ka një politikë të ashpër ndaj refuzimit të Beogradit për të njohur pavarësinë e Kosovës dhe ka ftohur marrëdhëniet me SHBA-në dhe BE-në për shkak të refuzimit të saj për të krijuar një Bashkim të Komunave Serbe në veri të Kosovës. Lëvizja nuk do të jetë në gjendje të formojë një qeveri të pavarur, komentojnë mediat kosovare.

Pas 10 vitesh në pushtet, kryebashkiaku i Tiranës arrestohet për korrupsion pasiv
Erion Veliaj
Kryeministri shqiptar Edi Rama nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili konsiderohet i afërt me të. Kryebashkiaku i kryeqytetit është një nga figurat kryesore të Partisë Socialiste në pushtet dhe një bashkëpunëtor i ngushtë i Ramës. Prej vitit 2015 është kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Veliaj është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme. GJKKO caktoi masën e paraburgimit ndaj bashkëshortes së tij.

“Në të paktën rreth 10 raste ka dyshime të arsyeshme se Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij janë përfshirë në korrupsion pasiv dhe pastrim parash”, tha prokuroria. Prokuroria ka urdhëruar gjithashtu që pesë biznesmenë të "vendosen nën mbikëqyrje gjyqësore" të dyshuar për "korruptim aktiv", raporton Euronews Albania.

Rregullatori turk gjobit kompaninë për përmbajtjen e lëkurës së derrit në produktet e saj

Këshilli i Reklamave i Ministrisë së Tregtisë së Turqisë ka gjobitur kompaninë e famshme të veshjeve sportive dhe këpucëve Adidas për mosdeklarimin e përdorimit të lëkurës së derrit në një prej produkteve të saj në faqen e saj zyrtare turke, raporton “Hurriyet Daily news”.

Hetimi i këshillit zbuloi se ndërsa website-t e huaja deklarojnë në mënyrë eksplicite se një model i veçantë këpucësh përmban lëkurë derri, faqja zyrtare turke e markës përmend vetëm "lëkurë natyrale" pa dhënë informacione të mëtejshme. Këshilli vendosi që reklamat duhet të tregojnë qartë nëse një produkt përmban materiale që mund të bien ndesh me ndjeshmëritë sociale dhe fetare të shoqërisë.

Këshilli vendosi një gjobë prej 550,059 lirash turke, ose mbi 14,000 euro për kompaninë e famshme dhe urdhëroi pezullimin e reklamave përkatëse.

Përpiloi: Ivo Ivanov
Foto: AP, rferl.org, euronews.al, aa.com.tr
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello

Më shumë nga rubrika

Godina e MPJ-së në Sofje

Ministria bullgare e Punëve të Jashtme dënon deklaratat e kryeministrit të Republikës së Maqedonisë së Veriut

Deklaratat e fundit të kryeministrit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në parlamentin në Shkup, se ai nuk sheh arsye për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, shtrembërojnë realitetin dhe minojnë përpjekjet..

rinovuar më 25-02-13 10.22.PD

Ngjarjet me adresë ballkanike

Turqia nderon viktimat e tërmeteve shkatërruese të vitit 2023 Turqia përkujtoi viktimat e tërmeteve të 6 shkurtit 2023, kur lëkundjet me magnitudë 7.7 në Turqinë Juglindore shkatërruan qytete të tëra, duke shkatërruar qindra mijëra jetë. Gati 54..

botuar më 25-02-08 9.35.PD
Drejtori i Muzeut Harry Trupan (në mes)

Ngjarjet me adresë ballkanike

Vidhen thesaret kombëtare të Rumanisë nga një muze në Holandë  Tre byzylykë ari dhe një përkrenare e paçmuar nga ekspozita rumune "Dacia! Perandoria e Artë dhe e Argjendtë" u vodhën nga Muzeu Drents në qytetin Assen të Holandës më 24 janar...

botuar më 25-02-01 9.30.PD