Masat fiskale godasin familjet në Rumani në sfondin e një deficiti rekord
Rumania po hyn në një periudhë të vështirë ekonomike dhe komentuesit parashikojnë që kriza do të zgjasë të paktën një vit. Që nga 1 gushti i këtij viti, në vend hyrën në fuqi masa të reja buxhetore-fiskale për të përballuar deficitin e madh buxhetor, i cili për vitin 2024 arriti në 9.3% të PBB-së – niveli më i lartë në BE. U vendosën taksa shtesë, norma standarde e TVSH-së u rrit nga 19% në 21%, ndërsa norma e reduktuar nga 9% në 11%. Masat e reja po çojnë në një rritje të menjëhershme të çmimeve të mallrave dhe shërbimeve, përfshirë ushqimet dhe barnat, gjë që po e rëndon ndjeshëm buxhetin e familjeve. Masat janë pjesë e përpjekjeve të qeverisë për të shmangur një kolaps financiar, pasi normat e larta të interesit mbi borxhin shtetëror po e bëjnë të vështirë shlyerjen e tij dhe po rrisin rrezikun e falimentimit të shtetit. “Veçanti e kësaj situate është se, për shkak të krizës me zgjedhjet presidenciale vitin e kaluar, normat e interesit filluan të rriten. Agjencitë e vlerësimit kreditor e konsiderojnë borxhin rumun si të rrezikshëm, mendojnë se shteti mund të falimentojë, prandaj Rumania po e financon borxhin e saj me kredi me interesa të larta. Si rezultat, një pjesë gjithnjë e më e madhe e fondeve shtetërore po shkojnë për të shlyer këto borxhe dhe për të paguar këto interesa”, shpjegoi për BNR-"Horizont" kolegu ynë Vlladimir Mitev nga redaksia rumune e Radio Bullgarisë. Sipas tij, periudha e krizës mund të zgjasë të paktën deri në fund të vitit 2026. Pritet të zbatohen edhe masa të tjera ekonomike.
KQZ e Bosnjë-Hercegovinës e ndërpreu mandatin e presidentit Milorad Dodik
Komisioni Qendror Zgjedhor i Bosnjë-Hercegovinës e ndërpreu mandatin e presidentit të Republikës Serbe, Millorad Dodik, pasi një gjykatë apeli konfirmoi dënimin e tij me një vit burg dhe gjashtë vjet ndalim për të ushtruar funksione politike. Arsyeja është mosrespektimi nga ana e Dodikut i vendimeve të përfaqësuesit të lartë të bashkësisë ndërkombëtare në vend, Christian Schmidt, i cili është përgjegjës për zbatimin e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit. Vendimi i KQZ-së u mor në mënyrë unanime dhe mund të apelohet brenda dy ditësh. Pas kësaj, duhet të merret një vendim për zgjedhje të parakohshme në Republikën Serbe, të cilat duhet të mbahen brenda një afati prej 90 ditësh. Dodik e hodhi poshtë vendimin dhe deklaroi se do të vazhdojë të ushtrojë funksionin e tij. Ai mori mbështetje nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe kryeministri hungarez, Viktor Orbán. Dënimi i paprecedentë i Dodikut nënvizon situatën e ndërlikuar politike në Bosnjë dhe Hercegovinë. Republika Serbe, e banuar kryesisht nga serbë boshnjakë, është një njësi gjysmë-autonome dhe përpiqet të shkëputet nga federata e banuar nga boshnjakë myslimanë dhe kroatë.
Sllovenia është në prag të një reforme revolucionare në tregun e punës
Një ligj i ri që sjell ndryshime revolucionare në tregun e punës do të hyjë pjesërisht në fuqi në Slloveni më 1 janar 2026, raportoi agjencia BTA, duke iu referuar botimit slloven "24 ur". Ndryshimet parashikojnë rritje të përfitimeve për të papunët dhe gjatë tre muajve të parë, ndihma do të jetë më e larta, duke arritur deri në 130% të pagës minimale bruto mesatare, e cila aktualisht tejkalon 1660 euro. Nxënësit dhe studentët do të marrin paga minimale më të larta për orë, ndërsa limiti mujor i punës për pensionistët rritet nga 60 në 85 orë. Gjithashtu, punëtorëve në moshë para daljes në pension - mbi 58 vjeç dhe me të paktën 35 vjet përvojë pune - u jepet mundësia të zvogëlojnë orarin e tyre të punës. Ata praktikisht do të jenë në gjendje të zgjedhin midis një pushimi të premten, një fundjave të zgjatur ose orarit të reduktuar të punës - gjashtë orë në ditë. Ky model, i quajtur 80-90-100, parashikon 80% orar pune, 90% pagë dhe sigurime sociale të plota. Ideja është pjesërisht e huazuar nga Islanda, Irlanda dhe Gjermania, vende ku modele të ngjashme kanë sjellë rezultate pozitive: produktivitet më të lartë, më pak mungesa dhe efikasitet më të mirë, thekson BTA.
Megjithatë, ndryshimet ende nuk janë publikuar në Fletoren Zyrtare të Republikës së Sllovenisë, për shkak të kërkesës për referendum, prandaj nuk kanë hyrë ende në fuqi, shkruan “24 ur”.
Një nxënës turk 14-vjeçar është gjeniu më i ri në top 100 të botës në shah
Vetëm 14 vjeç, gjeniu turk Jaëz Kaan Erdomush hyri zyrtarisht në top 100 të renditjes botërore, duke shënuar një etapë të rëndësishme në karrierën e tij, raporton Sportal.bg. Talenti turk arriti një rekord personal prej 2642 pikësh vlerësimi në listën e FIDE për gusht, që e vendos në vendin e 88-të në botë. Me këtë, Erdomush bëhet shahisti i dytë më i ri në histori që hyn në top 100, duke u kaluar vetëm nga gjeniu Judit Polgar, e cila në vitin 1989 u rendit në vendin e 55-të në botë, vetëm 12 vjeçe, me vlerësim 2555.
Tani, Erdomush po përgatitet për pjesëmarrjen në FIDE Grand Swiss në Uzbekistan (4–15 shtator) dhe në Kupën Botërore të FIDE në Indi (30 tetor – 27 nëntor).
Përpiloi: Miglena Ivanova
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: Reuters, BGNES, pixabay, chess.com
Në Prokurorinë e Qytetit të Sofjes u hap një hetim para-gjyqësor në lidhje me vdekjen e kapitenit Marin Marinov, njofton BTA, duke iu referuar organit të akuzës shtetërore. Hetimi u hap më 19 maj pas një sinjali nga avokati Minço Spasov dhe ka të bëjë..
Personalitete publike kërkuan nga shteti të marrë një qëndrim për situatën në Gaza. "Ndërkohë që në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë pranë OKB-së po zhvillohet një proces mbi akuzat për gjenocid, Bullgaria nuk ka të drejtë morale të heshtë apo të..
Përmes Bullgarisë dhe Rumanisë kaloi gazi i parë azer për Ukrainën Kompania shtetërore energjetike e Ukrainës "Naftogaz" nënshkroi marrëveshjen e saj të parë me korporatën shtetërore të naftës dhe gazit të Azerbajxhanit SOCAR për import..