Piktor ikonash dhe mësues - këto dy fjalë i përmendim gjithmonë kur përpiqemi të ringjallim nga harresa e së shkuarës një piktor që hapat e parë në art i hodhi në vitet e para pas Çlirimit të Bullgarisë nga sundimi osman (1878). I tillë është Miljo Marinov Balltov, imazhet e shenjta të të cilit në altarët e kishave dhe portretet e frymëzuara në galeri deri më sot, dëshmojnë për një bullgar të denjë, i cili e ndante zjarrin e tij krijues midis pikturës kishtare dhe asaj laike.
Pasardhës i një prej familjeve më të shquara në qytetin Strellça – Balltovi, piktori i lindur në vitin 1871 që nga fëmijëria tregonte një prirje drejt arteve. Megjithatë, për të marrë një arsim akademik, atij iu desh të priste deri në moshën 25-vjeçare, kur me përpjekjet e intelektualëve dhe krijuesve në vendin tonë u hap Shkolla Shtetërore e Vizatimit. Dhe megjithëse nuk u klasifikua në mesin e 48 të pranuarve në klasën e parë, një vit më vonë fati e takoi me Jarosllav Veshin.
Ndryshe nga shumë të rinj bullgarë, të cilët pas Çlirimit u larguan për të përmirësuar talentin e tyre artistik në universitetet e huaja, Miljo Balltov e gjeti Evropën në atdheun e tij.
"Jarosllav Veshin sapo kishte ardhur në Bullgari - tregon Nikoleta Petkova, drejtoreshë e Muzeut Historik në qytetin Strellça. – Ai sillte frymën e kohës së re, sillte edhe ide të reja nga Evropa. Miljo Balltov kishte fatin të studiojë te piktori çek, i cili në vitin e dytë pas themelimit të Shkollës Shtetërore të Vizatimit u bë profesor në të. Si student Miljo Balltov ishte shumë i zellshëm dhe përvetësonte shumë mirë mësimet.”
Si shumë kolegë dhe bashkëqytetarë të tij, Miljo Balltov u mobilizua dhe mori pjesë në Luftën e Parë Ballkanike. Dhe pikërisht në këtë kohë fatale ai e shpalosi talentin e tij si peizazhist. Është pak i njohur fakti që Miljo Balltov mori pjesë edhe në Luftën e Parë Botërore. Ai banonte në Moravski Leskovac, ku themeloi një shkollë dhe u emërua kryetar i qarkut. “Edhe në kohë lufte, piktori gjen një mënyrë për të mësuar fëmijët dhe për t'u angazhuar në profesionin e tij të dashur”, thekson drejtoresha e muzeut Nikoleta Petkova.
Në vitin 1923 Miljo Balltov u bë kryebashkiak i qytetit të tij të lindjes Strellça. Përveçse kryetar dhe sekretar i bashkisë, ai u zgjodh edhe kujdestar i kishës. Krahas kësaj ai merrte pjesë aktive në jetën kulturore të qytetit, madje krijoi dekore për disa pjesa teatrale, të cilat, për fat të keq, kanë humbur. Ai la trashëgiminë e tij duke pikturuar afresket dhe ikonat në kisha të ndryshme në rajonin e qyteteve Pazarxhik dhe Plovdiv dhe gjatë gjithë jetës së tij të ndërgjegjshme jepte mësime. Në kishën "Ngjitja e Zotit Krisht në Qiej" në fshatin Kadievo, ai rikrijoi skenën e jashtëzakonshme të "Darkës së Fundit". Në kishën “Fjetja e Shën Mërisë” në Pazarxhik, pikturoi ikonën mrekullibërëse “Shën Hyjlindësja me Fëmijën”, e cila ndihmoi shumë familje për të pasur fëmijë. Dhe në vendlindjen e tij ai rikrijoi imazhin më të gjallë engjëllor të pikturuar në trojet tona.
“Vetëm ata që kishin mbaruar kursin trevjeçar në Shkollën Shtetërore të Vizatimit dhe më pas edhe Shkollën e Pikturimit të Ikonave e kishin të drejtën të pikturojnë afresket dhe ikonat në kisha - kujton një fakt interesant Nikoleta Petkova. – Kështu ndodh me Miljo Balltovin, i cili mori porosinë e parë për kishën “Shën Kryeengjëlli Mihaill” në Strellça. Një nga veprat e tij më të mira në të është ikona e Kryeengjëllit Mihaill në ikonostas - një imazh me gjak të plotë, i pikturuar në lëvizje me një shpatë flakëruese, me një mburojë, me sandale të bukura në ngjyra."
Dhe ndërsa shenjtorët në afresket e Miljo Balltovit posedojnë fytyra të idealizuara njerëzore, në imazhet e njerëzve të tij më të afërt ai huazon tiparet e një hapësire shpirtërore, më eterike, sikur i afron me hyjnoren. Kjo është arsyeja pse një aureolë engjëllore buron nga portretet e katër fëmijëve të tij. Imazhi i vajzës së tij Nevena është veçanërisht rrëfyes – fytyra e saj e zhytur në mendime me sytë e kthyer nga shikuesi i ngjan një lajmëtari nga një botë më e lartë që mbart një mesazh të rëndësishëm.
Miljo Balltov përfundoi udhëtimin e tij tokësor në vitin 1951 në Plovdiv, ku deri në çastin e fundit punonte si mësues dhe piktor.
“Ai krijonte në një periudhë interesante, kur shteti i ri bullgar fillonte të arsimonte krijues të vet - thekson Nikoleta Petkova. - Ata prezantonin veprat e tyre në ekspozita dhe arti në përgjithësi po ngrihej në një nivel shumë të lartë. Miljo Balltov është pjesë e këtij procesi dhe është mirë që të kemi më shumë raste për të folur për njerëz të tillë që mbahen mend në vendlindjet e tyre, por, për fat të keq, nuk kanë arritur të zënë vendin e duhur në historinë e artit bullgar nga fillimi i shekullit të XX-të.”
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: Muzeu Historik – Strellça
Përdorimi i formave të respektit që tregojnë fillimin, zhvillimin dhe përfundimin e komunikimit tek bullgarët e Shqipërisë janë objekt analize në punën e Dr. Miranda Bello, lektore e gjuhës bullgare në Universitetin e Tiranës. Ajo e mblodhi..
Vitet e fundit është forcuar bashkëpunimi mes kinemasë bullgare dhe asaj shqiptare. Prodhimet shqiptare gjithnjë e më shumë po gjejnë vend në festivalet bullgare dhe anasjelltas. Kjo tregon ndërveprimin artistik në rritje mes dy vendeve tona, i cili..
Në Ditën e Teatrit - 27 Mars, Lidhja e Artistëve në Bullgari tradicionalisht dorëzoi Çmimet Kombëtare IKAR për Artet Performuese. Çmimin për kontribut të jashtëzakonshëm në teatrin bullgar e mori aktori Javor Millushev personalisht nga presidenti..