Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Tragjedia në qytetin maqedonas të Koçanit ngre një valë dëshpërimi, zemërimi dhe mospranimi

Foto: BGNES

Republika e Maqedonisë së Veriut është në shtatë ditë zie. Qyteti i Koçanit, ku zjarri në një diskotekë mori jetën e të paktën 59 personave – të rinjve dhe fëmijëve, pothuajse të gjithë të moshës14 deri në 25 vjeç, sot është mbuluar me heshtje. "Vigjilja në kopshtin në qendër të qytetit vazhdoi për orë të tëra. Mijëra qirinj u dogjën, ashtu siç u dogjën njerëzit në diskotekën - arkivol. Më pas gjithçka u qetësua", dëshmoi gazetarja e Radios Kombëtare Bullgare (BNR), Keti Trençeva.

Dëshmitarë të tmerrit në disko janë Sandra, Viktoria dhe Angjella - vajza 17-vjeçare që shkuan për të parë koncertin e reperëve të tyre të preferuar nga grupi “ADN”. Ata u shpëtuan nga fati, pasi ndodheshin pranë derës së vetme në disko, e cila shërbente edhe si hyrje, edhe si dalje. “Kjo është e papërshkrueshme! Zjarri filloi para nesh”, thonë vajzat:

“Zjarri filloi para nesh. Fillimisht na thanë: “Qëndroni, do ta shuajmë” dhe më pas: “Ikni!”


Ka vetëm një derë dhe është shumë e vogël. Të gjithë shkelnin njëri-tjetrin.”

Të rejat kanë kuptuar se diskoteka nuk ka licencë të rregullt, si dhe mjetet piroteknike të përdorura, dhe kërkojnë që institucionet përgjegjëse të marrin përgjegjësi.

"Dua të ketë përgjegjësi, kjo nuk mund të harrohet, shumë njerëz vdiqën për shkak të gabimeve të dikujt. Shumë viktima të pafajshme! Ata shkuan në këtë ngjarje për t'u argëtuar dhe tani nuk do të kthehen më."


Në spitalin e Koçanit zija u bë fakt para se të shpallej nga autoritetet - thotë gazetarja e BNR: "Nënat bërtisnin për humbjen e fëmijëve, baballarët qanin dhe akuzonin këdo që dilte pra tyre me mikrofon në dorë. Një zinxhir i gjallë këmbënguljeje ua bllokoi rrugën autoriteteve që donin të transferonin kufomat e të vdekurve për autopsi - pasi prindërit nuk i jepnin fëmijët e tyre, edhe pse të vdekur."

Një nënë që humbi fëmijën e saj të vetëm nuk mund të pranojë shpjegimin se shteti do t'i ndihmojë financiarisht.

"Unë kam një fëmijë dhe iku. Pse? Pse? Aty, lart në Kuvend, e keni fajin, ju, të mëdhenjtë. Marrin para çdo ditë, nuk u mjafton!... Një fëmijë e kam pasur dhe ma kanë hequr!!!"


Është fakt se në diskotekë nuk mund të ketë kaq shumë njerëz, llogaritet se kanë qenë mbi një mijë. Të miturit nuk kanë qenë me prindërit e tyre, shpjegon gazetari Toshko Vllajkovski, i cili ka humbur një njeri shumë të afërt në tragjedi:

“Ka pasur fëmijë 14-15 vjeç, nuk lejohet të ketë të mitur pa prindër, por mendoj se kanë qenë vetëm”.

Menjëherë pas informimit për tragjedinë, në vendngjarje ka mbërritur Zoran Todorov, bashkëkryetar i organizatës së miqësisë mes Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Sllovenisë, duke bashkuar klubet Rotary në rajon për t'iu ardhur në ndihmë tëtë afërmve të të vdekurve. Kolegët e tij nga e gjithë Evropa Juglindore janë në aksion për të mbledhur ilaçe dhe barna. Natën e tragjedisë ka rezultuar se në spitalin e Koçanit ka pasur mungesë oksigjeni dhe për këtë arsye gjithashtu kanë vdekur njerëz. "Tani jemi në zi, duam të zhytemi në pikëllimin e kësaj humbjeje të madhe. Por pas një jave prisni mospranim dhe zemërim", është kategorik ai, duke këmbëngulur që pyetjet e njerëzve të marrin përgjigje të qarta:


"Ne nuk dimë se si të përballemi me trishtimin e pamasë në qytetin tonë. Falënderojmë të gjithë miqtë tanë nga të gjitha vendet dhe nga Bullgaria që u përgjigjën për të na ndihmuar. Nuk do të lejojmë që ajo që ndodhi tani të harrohet! Dhe nëse tani nuk është koha për të folur, që të kalojnë ditët e zisë, më pas do të flasim për gjithçka. Ne do të kërkojmë llogari nga kushdo që ka lidhje me këtë tragjedi. Aty ndodhën skena të tmerrshme. Nuk e dinim që diskoteka nuk kishte licencë. Nuk është puna e njerëzve të kërkojnë dokumente, qytetarët shpresojnë që institucionet të funksionojnë. Ne do të insistojmë që gjithçka të sqarohet në detaje, pasi kjo është një tragjedi e paprecedentë jo vetëm për Koçanin dhe Maqedoninë e Veriut, por mendoj për të gjithë Ballkanin.”


Aktualisht qyteti i Koçanit është mbështjellë në heshtje, por nën të ndihet zemërimi i popullit duke u rritur. Objekt i hetimit të prokurorisë në Maqedoninë e Veriut janë 11 persona, në mesin e të cilëve, sipas të dhënave jozyrtare, është edhe pronari i diskotekës – tha gazetari Aleksandër Dimitrievski për Radion Kombëtare Bullgare. Ai shpjegoi për median tonë se veprimet hetimore kanë të bëjnë me akuzat për mosveprim, përdorim të paligjshëm të mjeteve piroteknike dhe ryshfet. “Në Maqedoninë e Veriut nuk ka problem me legjislacionin, problemi është në zbatimin e ligjeve”, tha gazetari dhe sqaroi:

"Përdorimi i mjeteve piroteknike në ambiente të mbyllura lejohet, por supozohet se ka leje përkatëse, njerëz të licencuar që merren me këtë. Dhe në këtë rast nuk është bërë asgjë nga këto, e gjithë puna e këtij klubi ka qenë një improvizim".


A do të çojë dhimbja e prindërve dhe dëshpërimi i njerëzve në protesta në Maqedoninë e Veriut, të ngjashme me ato në Serbi, të shkaktuara gjithashtu nga një tragjedi njerëzore pas prishjes së një pjese të stacionit të trenit në Novi Sad?

“Është e vështirë të thuash, sepse dita e djeshme filloi me mosbesim, i cili u shndërrua në zemërim, dhe mbrëmja përfundoi me zhgënjim, sepse kjo nuk është e vetmja tragjedi në vitet e fundit që ka ndodhur për arsye të ngjashme, dmth që dikush është duke bërë diçka që nuk duhet ta bëjë, ose ka marrë licenca ilegalisht”, thotë Aleksandër Dimitrievski. – Është shumë herët për të thënë, tashmë ka sinjale për grumbullimin e gjimnazistëve, por do të ishte një spekulim nga ana ime të flisja për protesta. Ajo që është e ndryshme në lidhje me situatën në Maqedoninë e Veriut është se ne kemi një qeveri relativisht të re, të zgjedhur rreth 9 muaj më parë, kështu që është e vështirë ta fajësosh atë për atë që po ndodh. Nga ana tjetër, qeveria aktuale duhet të marrë përgjegjësi morale dhe politike për situatën në vend”.


Nga ora 13:30 në ndërtesën e ambasadës së RSM-së në Sofje, qytetarët bullgarë mund të shprehin ngushëllimet e tyre për familjet që humbën fëmijët e tyre në diskotekën në Koçan. Libri special i ngushëllimeve në kujtim të viktimave të zjarrit në një diskotekë në Koçan mbrëmjen e së dielës do të jetë i hapur në pesë ditët e ardhshme. "Këtë javë në Maqedoninë e Veriut është shpallur ditë zie. Libri i ngushëllimeve do të jetë i hapur për nënshkrime nga institucionet, trupi diplomatik dhe populli", tha për Radion Kombëtare Bullgare ambasadorja e Maqedonisë së Veriut, Agnesa Rusi Poposka. Ajo falënderoi Bullgarinë për reagimin e saj të shpejtë, si dhe ekipet mjekësore që kujdesen për të lënduarit në spitalet në vendin tonë.

Ambasadorja e Republikës së Maqedonisë së Veriut Agnesa Rusi Popovska

"Në veçanti dua të shpreh mirënjohjen time për stafin mjekësor. Kontaktet tona me mjekët në të tre spitalet janë vërtet një shembull solidariteti, profesionalizmi në momente të mbushura me dhimbje", tha ambasadorja maqedonase.

Lexoni më tepër:


Përpiloi: Elena Karkallanova, bazuar në intervistat e Keti Trençevës dhe Diana Donçevës

Foto: BGNES, BTA, Reuters

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Diskoteka në Koçan, ku u dogjën 59 persona, nuk ka pasur patentë

Zjarri në qytetin maqedonas të Koçanit, ku humbën jetën 59 persona dhe u plagosën 155 të tjerë, është një ngjarje e paralajmëruar, thotë Prof. i Asoc. Milen Ivanov, ekspert i sigurisë dhe ish-prorektor i Akademisë së MPB-së. “ Kjo është një..

botuar më 25-03-17 12.11.MD

Empati dhe pikëllim pas tragjedisë në Koçan

Gjithsej 59 persona humbën jetën dhe 155 u plagosën nga zjarri gjatë një koncerti të grupit të njohur “DNA” që shpërtheu mbrëmë në diskotekën “Pulsi” në qytetin e Koçanit, që ndodhet në pjesën lindore të Maqedonisë së Veriut, 65 km nga..

botuar më 25-03-16 8.48.MD

Shkencëtarët bullgarë i kushtojnë një konferencë ujit si një burim natyror i paçmuar

Instituti mbi Kërkimin e Klimës, Atmosferës dhe Ujit pranë Akademisë Bullgare të Shkencave (IIKAV-BAN) po organizon një konferencë dhe një ngjarje ceremoniale kushtuar ujit - një burim natyror i paçmuar, një komponent i domosdoshëm i të gjithë..

botuar më 25-03-16 8.30.PD