Në Bullgari, kur flasim për një person me fat të keq, shpesh themi: "Oh, çfarë Marko Totev është!". Por kush është në të vërtetë Marko Totev dhe si u bë emri i tij një përkufizim i njohur për një njeri, fati i të cilit vazhdon të dështojë?
“Ky është një personazh publik bullgar, i cili kishte një karrierë të shkëlqyer si avokat edhe para Çlirimit”, thotë doktori i shkencave historike Ivan Cërov nga Muzeu Historik në Veliko Tërnovo. Marko Totev lindi në kryeqytetin e vjetër në vitin 1858 dhe ishte nga një familje e pasur dhe e famshme – vazhdon tregimin historiani:
“Ai studioi për drejtësi në Evropë dhe kur në vitin 1879, pas Kuvendit të Madh Popullor, filloi formimi i Avokatisë Bullgare, Marko Totev ishte i pari që u regjistrua në regjistrin zyrtar. Dhe duke qenë se Avokatia e qytetit të Tërnovos ishte e para në Bullgari, kjo do të thotë se ai ishte avokati i parë i njohur zyrtarisht në Bullgarinë e Pasçlirimit. Ai ishte një personalitet shumëngjyrësh dhe një shakatar i madh. Ai nuk ishte një lojtar shumë i mirë letrash, megjithëqë në atë kohë pokeri ishte një lojë shumë e njohur, dhe një herë, ndodhi që ai mori kombinimin më të lartë të letrave gjatë ndarjes.Mirëpo, pikërisht në atë moment, një kortezh kalonte nëpër rrugë për varrimin e një qytetari të shquar të Tërnovos dhe të gjithë u hodhën për të parë nga dritarja. Marko Totev qëndronte në tavolinë me letrat e tij të mira dhe kur lojtarët e tjerë u kthyen, nuk e pranuan letrat e tij sepse menduan se ai i rregulloi në mungesë të tyre. Dhe atëherë tha: “Kur ia doli mirë Marko Totev dhe tani?”. Kjo është ngjarja që bëri që Marko Totev të mbetej në ndërgjegjen e shoqërisë si emërtim i një njeriu me mungesë fati.”
Marko Totev ishte një njeri jashtëzakonisht erudit. Ai e donte muzikën, si dhe leximin dhe ishte bohem. Ai gjithashtu mbajti poste të larta publike, ishte gjyqtar, si dhe deputet në Legjislaturën e Katërt të Kuvendit Popullor në 1893. Ai u bë i famshëm si një avokat i shkëlqyer dhe nuk pati asnjë proces të humbur në karrierën e tij.
Pavarësisht jetës së tij të jashtëzakonshme, në të cilën ai ishte një perfeksionit dhe i përpiktë në punën e tij, ai mbetet një figurë legjendare për sensin e tij të shkëlqyer të humorit. Edhe sot e kësaj dite i atribuohen anekdota të ndryshme.
Studiuesit e jetës së tij thonë se ai ishte një poliglot dhe fliste rrjedhshëm rusisht, frëngjisht, rumanisht dhe anglisht dhe kishte një bibliotekë ligjore të lakmueshme. Marko Totev vdiq në vitin 1936. Stërnipërit dhe trashëgimtarët e tij sot jetojnë në Francë dhe Amerikë.
“Marko Totev fitoi shumë procese dhe gjatë kohës së tij filloi procesi agrar në Bullgari dhe më konkretisht në Tërnovo - tregon Dr.Ivan Çërov. – Shumë fshatra po tentonin të marrin tokat e fshatrave fqinjë, prandaj fillojnë mosmarrëveshjet ligjore. Atëherë avokatët thjesht fërkonin duart dhe fitimet e tyre rriteshin. Megjithatë, për disa arsye, Marko Totev ndërpreu marrëdhëniet me autoritetet lokale dhe u transferua me familjen e tij në Sofje. Kjo ndodhi në vitet 80-të të shekullit të XIX. Në Sofje, ai pati gjithashtu një karrierë të jashtëzakonshme dhe mbeti një nga avokatët më të shquar dhe më të kërkuar deri në fund të jetës së tij. Një pjesë e bibliotekës së tij personale ruhet edhe sot e kësaj dite në Muzeun Historik në Veliko Tërnovo. Kur u nis për në Sofje, librat e tij ia dhuroi Vatrës vendëse të Kulturës “Nadezhda”, e cila u themelua në vitin 1871. Pas Çlirimit, ishte arkivi i vatrës së kulturës që shërbeu për themelimin e muzeut në Tërnovo, pra ky është mbi 150 vjeç.”
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: Zdravka Masljankova, BTA, nationalgeographic.bg, ciela.com, Muzeu Historik Rajonal - Veliko Tërnovo
Ditën e Ungjillëzimit të Hyjlindëses përmbushet premtimi i Zotit për shpëtimin e shpirtit njerëzor nga mundimet e përjetshme të errësirës. Mesazhi i kësaj dite është se Zoti na do, thotë At Bozhidar Marinov nga Kisha e Sofjes "Lartësimi i Kryqit të..
Veliko Tërnovo krenohet me të kaluarën e tij të lavdishme, e cila është e koduar edhe në festën e qytetit, e lidhur me ditën e Dyzet Martirëve të Shenjtë – mbrojtësit shpirtërorë të kryeqytetit mesjetar. Në ditën e 40 ndjekësve të Krishtit (22 mars..
Kompleksi prehistorik "Provadia - Kriporja" – kriporja dhe qendra më e vjetër urbane në Evropë (5600 - 4350 para Krishtit), është ndër objektet e propozuara për Etiketën e Trashëgimisë Evropiane - 2025. Qytetërimi evropian ka filluar nga..