Atë ditë, Shpëtimtari organizoi darkën tradicionale të Pashkës për popullin hebre në shtëpinë e një banori të Jerusalemit. Përpara darkës, si shprehje respekti, Ai lau këmbët e apostujve dhe tha: “Unë erdha për të shërbyer, jo që të më shërbejnë”.
Në tryezë, Jezusi mori bukën, tha lutjen e bekimit dhe, ndërsa ua shpërndau dishepujve, tha: "Merrni, hani - ky është trupi im, që është thyer për ju". Pastaj mori kupën e verës dhe tha: “Pini të gjithë prej kësaj. Ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes që derdhet për shumë njerëz për faljen e mëkateve”, dhe i urdhëroi të gjithë ta bënin këtë në kujtim të tij.
Kështu, Shpëtimtari themeloi Sakramentin e Shenjtë të Eukaristisë dhe që atëherë ai kryhet gjatë Liturgjisë së Shenjtë nga kleri, i cili me lutje thërret Hirin e Shpirtit të Shenjtë për të shenjtëruar bukën dhe verën. Të krishterët i pranojnë Dhuratat e Shenjta me nderim, me besim për ta pranuar Krishtin në shpirtrat e tyre dhe përpiqen ta ruajnë Atë nëpërmjet pastërtisë së zemrave të tyre.
Pasi la trashëgim urdhërimin e ri të dashurisë për të gjithë, Krishti u zbuloi dishepujve të Tij se do të tradhtohej nga njëri prej tyre. Të hutuar, ata pyetën se kush do ta bënte këtë. Edhe Juda e pyeti Atë, dhe Krishti iu përgjigj aq butë sa të tjerët nuk e kuptuan, vetëm ai. Kur u ngrit dhe doli, ata menduan se po shkonte për pazar, sepse ishte arkëtar.
Pas darkës, Krishti shkoi me apostujt në Kopshtin e Getsemanisë, pranë Jerusalemit, ku ai ra me fytyrë përdhe, edhe i lutej Atit të Tij që, në qoftë se është e mundur, të largohet prej tij kryqëzimi. Edhe thoshte: “O Atë, të gjitha janë të mundura për ty; largoje prej meje këtë potir; por le të bëhet jo ç’dua unë, por ç’do ti”, në mënyrë që misioni i Tij shpëtimtar për njerëzimin të mund të përmbushej.
Në këtë ditë, bëhet edhe Vajosja e Madhe dhe priftërinjtë i vajonin laikët me vajin e shenjtëruar për shëndet dhe shpëtim.
Të enjten në mbrëmje, lexohen të ashtuquajturit Dymbëdhjetë Ungjij. Këto janë dymbëdhjetë fragmente nga Ungjilli që tregojnë për vuajtjet e Krishtit. Përmes tyre, të krishterët përjetojnë dhe dëshmojnë talljen, vuajtjen dhe vdekjen në kryq të Krishtit, nëpërmjet të cilave Ai shlyen mëkatet e njerëzve. “Ja, Qengji i Perëndisë, që heq mëkatin e botës!” – mesazhi është që besimtarët të marrin në konsideratë nëse edhe ata po e kryqëzojnë Krishtin nëpërmjet pasioneve dhe mëkateve të tyre.
Gjatë shërbesës, priftërinjtë mbajnë Kryqin nga altari, gjë që simbolizon bartjen e tij nga Krishti deri në Golgota.
Tekst: Aleksandra Karamihaleva
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: BTA, arkiv
Mbushen 105 vjet nga lindja e Akad. Valeri Petrov – poet, shkrimtar, skenarist, dramaturg dhe përkthyes. I lindur më 22 prill 1920 në Sofje me emrin Valeri Nisim Mevorah, ai u diplomua në mjekësi në Universitetin e Sofjes. Për një farë kohe ai..
Shërbesat e së Shtunës së Madhe fillojnë të premten në mbrëmje me Oden për Krishtin. Kisha përkujton varrimin e Krishtit Shpëtimtar dhe zbritjen e Tij në ferr për të shpëtuar të drejtët e kyçur atje që vdiqën para veprës së Tij shëlbuese...
Të Premten e Madhe, Kisha kujton vuajtjet e mëdha të Jezu Krishtit, i cili me dëshirë të vet pranoi të gjykohej, të fshikullohej, të pështyhej, të poshtërohet, të rrihej me shuplaka dhe të shfaqej para popullit me mantelin për fyerje, me një..