Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Nga Rodopet në skenën globale – fshati Levoçevo si një qendër për nomadët digjitalë

Viktor Kuzmanov
Foto: Arkivi personal

Nomadizmi digjital po shndërrohet në një fenomen që është në rrugë për të përmbysur përfytyrimet tona për punën dhe mënyrën e jetesës. Në këtë drejtim vendi ynë ofron një paletë me vende të bukura dhe të qeta për punë në distancë. Fshati piktoresk Levoçevo është një prej tyre. Këtu, mes natyrës së egër të Rodopëve, Viktor Kuzmanov realizon ëndrrën e tij – të shndërrojë një shtëpi të vjetër të harruar në një qendër për nomadët digjitalë. Ai pranon se që nga fëmijëria është shumë i lidhur me Levoçevon, fshatin e gjyshit të tij. Pikërisht në këtë vend ai kalon momentet më të lumtura të fëmijërisë së vet. Për shumë vite jeton në Vienë, atje përfundon arsimin e lartë dhe punon në fushën e biznesit, por vendos të kthehet në Bullgari për shkak të miqve dhe ndjesisë së shtëpisë dhe atdheut. 
"E gjithë ideja me këtë projekt filloi me fillimin e Covid-it, kur të gjithë filluam të punonim në distancë dhe unë i thashë vetes: 'Tani është momenti i fundit të vij të rregulloj shtëpinë time në Levoçevo'. Dhe ndërsa merresha me mjeshtrit, jetoja në fshatin fqinj Momçillovci, ku më erdhi ideja të krijoj një shtëpi të madhe për jetesë dhe punë të përbashkët. 



Interesante është që çdo herë shikoja një shtëpi të vjetër në Levoçevo dhe çuditesha pse ishte bosh. Në një seminar, rastësisht u njoha me një vajzë që doli të ishte vajza e pronarëve. Prej saj mësova se shtëpia ishte ndërtuar për hotel nga i ati. Ajo më lidhi me prindërit e saj, shkova, hyra në shtëpi dhe pashë këtë pamje nga tarraca, në sfondin e së cilës ka kaluar e gjithë fëmijëria ime dhe e cila zbulon gjerësinë e pafund të Rodopëve. Atëherë i thashë vetes: 'Ky është vendi'. Pronarët donin ta shisnin, por nuk kisha mundësi ta blija dhe u morëm vesh ta merrja me qira" – rrëfen Viktor Kuzmanov. 


Dy vjet më vonë, fshati dikur i braktisur zgjohet për një jetë të re. Në Levoçevo vijnë nomadë digjitalë nga Evropa, SHBA-ja dhe Azia. Këtu ata kanë gjithçka të nevojshme, përfshirë dhe internet me shpejtësi të lartë, që të punojnë në qetësi dhe të ndajnë përditshmërinë e tyre mes qetësisë, ajrit kristal dhe natyrës së paprekur. 



"Njerëzit që vijnë janë me profesione të ndryshme – shkrimtarë, arkitektë, fotografë dhe më shpesh – specialistë të IT-së. Në shumicën e rasteve vijnë ekipe nga kompani – deri në 20 vetë, sepse shtëpia jonë është për 20 vetë. Ata qëndrojnë për 4-5 ditë dhe forcojnë kolektivin, duke punuar dhe jetuar bashkë. Në vend u ofrojmë përjetime interesante, si për shembull kurs për gjuhën e Rodopëve, i udhëhequr nga Vesi Babaxhankova – aktore profesioniste në Teatrin Dramatik të Rodopëve. Bëjmë dhe kurse për gajde dhe këngë popullore, shëtitje në mal, ecje me udhërrëfyes malorë, aventura off-road ose edhe 'kërkim për thesar' – fshehim një barbeque në pyll dhe në fund shpërndajmë çmime." 


Viktori planifikon të realizojë iniciativën e tij të parë me kauzë – krijimin e një strehëze pranë njërës prej kishëzave të fshatit Levoçevo, ku çdo vit zhvillohet panairi i fshatit. Ai tashmë ka siguruar sponsorë dhe dy marangozë, por mbështetet më së shumti në entuziazmin e vullnetarëve – nomadëve digjitalë nga Levoçevo, të cilët mezi presin të mbështesin kauzën e tij. "Kemi natyrë të mrekullueshme dhe kushte të dhëna nga Zoti, por shteti nuk e promovon vendin tonë si destinacion për nomadët digjitalë", thotë Viktori dhe shton: 



"Në të vërtetë, ky është edhe hapi ynë i ardhshëm në Levoçevo. Ne shohim që kjo gjë funksionon. Shohim që njerëzit jashtëzakonisht shumë e pëlqejnë natyrën tonë. Vendosëm të bëjmë një hap më të madh dhe të fillojmë të punojmë në të gjithë Bullgarinë dhe të promovojmë turizmin e tipit 'team building' për njerëzit që vijnë për të punuar dhe për të përjetuar së bashku" – tha në përfundim Viktor Kuzmanov. 

Shihni më shumë nga arkivi i Radio Bullgarisë: 
Fotografi: Arkivi personal i Viktor Kuzmanov

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Mish në hell dhe gajde në zemër të Rodopeve – Zllatograd me një festë të shijshme

Rreth 100 qingja në hell do të përgatiten për festën në Zllatograd gjatë festivalit tradicional të mbushur me muzikë dhe kostume popullore, kushtuar specialitetit të rodopeve. Mijëra mysafirë dhe turistë priten në qytetin piktoresk malor më 3 dhe 4 maj..

botuar më 25-05-03 10.00.PD

Bellosllav, vendi ku lind qelqi – tradita, muzeu dhe arti i gjallë

Muzeu i vetëm i Qelqit në Bullgari ndodhet në qytetin Bellosllav, në bregun e njërës prej mëngëve të liqenit Varna. Pikërisht në këtë vend, në vitin 1893, vëllezërit Mushallan hodhën themelet e prodhimit bullgar të qelqit, duke krijuar fabrikën e parë..

botuar më 25-04-27 10.40.PD

Turizmi i verës në Bullgari ka potencial si ai në Francë, Itali dhe Spanjë

Anelija Hristova - një eksperte e certifikuar e verës dhe udhërrëfyese turistike, anëtare e Shoqatës Bullgare të Profesionistëve të Verës, i tha BTA për nevojën për të paraqitur dhe ekspozuar më shumë varietete vendase bullgare . Në këtë drejtim, një..

botuar më 25-04-27 7.55.PD