Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Rumen Rashev – bullgari në krye të Baletit Kombëtar të El Salvadorit

“Baleti është një art madhështor, i bazuar në shkencë”

Rumen Rashev
Foto: Opera Shtetërore e Stara Zagorës

Rumen Rashev është një nga solistët më të shquar të baletit bullgar në fund të viteve ’70 dhe gjatë viteve ’80 të shekullit të kaluar. Ai hyn në botën e artit rastësisht, por me bekimin e emrit të njohur Nedellço Izov – drejtor i Shkollës Shtetërore të Koreografisë. Rumeni zgjidhet, së bashku me dy vajza jashtëzakonisht të talentuara (Sillvija Tomova dhe Milena Simeonova), për të vazhduar studimet në akademinë prestigjioze “A. Ya. Vaganova” në Shën Petersburg – shkolla më e vjetër e baletit në Rusi, e themeluar që në vitin 1738. Pedagogët në “Vaganova” janë specialistët më të mirë në botë jo vetëm në fushën e baletit, por edhe në aktrim, histori e muzikës, teatri dhe vallëzimi. Pasi diplomohet, Rashev kthehet në Bullgari dhe fillon punë në Operën e Plovdivit. Në vitin 1981, koreografja Margarita Arnaudova e fton në trupën prestigjioze bullgare të vallëzimit modern “Arabesk”, dhe një vit më vonë emërohet edhe në Operën e Sofjes. Për afro një dekadë, Rumen Rashev është solist kryesor në Baletin Kombëtar. Ai interpreton në “Arabesk” edhe jep mësim në Shkollën e Koreografisë. Në janar të vitit 1990 merr një ftesë zyrtare për të punuar në Venezuelë. Kur e pyesin pse një artist i afirmuar me sukses të jashtëzakonshëm largohet nga Bullgaria në fillim të tranzicionit, Rumen Rashev përgjigjet:
Rumen Rashev
“Jo, jo, nuk ishte keq këtu, thjesht më ftuan në Venezuela për një vit dhe bashkëshortja më propozoi ‘ta ndryshojmë pak atmosferën’... U duk sikur do të ishte vetëm për një vit, por ja që tani kanë kaluar 34.”
Gabriela de Bukele me Nayib Bukele
Edhe sot shtëpia e tij është në Venezuelë. Në Salvador punon për herë të parë në vitin 2013. “Aty ekziston një fondacion privat – shpjegon Rashev – i cili ka një kompani baleti. Në të kërcente Zonja e Parë – Gabriela de Bukele. Kur burri i saj u bë president, kishte plotësisht të drejtë ta shpallte atë kompani si balet kombëtar. Më ftuan si drejtor. Duhej të nisnim nga zeroja dhe më 1 tetor 2019 u hodh zyrtarisht themeli i Baletit Kombëtar pranë Ministrisë së Kulturës.”

Aktualisht në trupë kërcejnë 21 artistë, dhe ekziston edhe një program bursash. Për momentin, bullgari Rumen Rashev është koreografi i vetëm, por që nuk vë në skenë shfaqje:

"Unë nuk vë në skenë dhe mendoj se nuk duhet, sepse është balet kombëtar. Për dy vite arritëm, me ndihmën e Ministrisë dhe të Presidencës, të ftojmë gjashtë koreografë të ndryshëm – nga Kuba, Meksika, Peruja, Gjermania... Që balerinët të mund të kishin kontakt me koreografë të moshave të ndryshme, me stile të ndryshme, nga vende të ndryshme – kjo pasuron baletin, pasuron artistët dhe repertorin. Ky është qëllimi im."

Rashev udhëton shumë nëpër Amerikën Latine. Ka dhënë mësim në Brazil dhe organizon kurse verore pothuajse çdo vit atje. Ndan përshtypje nga Peruja dhe Meksika, ku ka grupe të mira vallëzimi. Ndërsa në Amerikën Qendrore është i njohur Baleti Kombëtar i Panamasë, i cili së fundmi ka festuar 50-vjetorin e tij.

"Por që të ketë një trupë të mirë, nevojitet ndihmë shtetërore. Shumica e kompanive në Amerikë dhe ato të reja në Evropë janë private dhe është shumë e vështirë të gjesh sponsorë dhe fonde, sepse arti është i shtrenjtë."

Shfaqja e parë e trupës së re të Salvadorit ishte “Coppélia”. U desh të prisnin një vit, sepse filluan punën në vitin 2019, por në fillim të vitit 2020 erdhi pandemia dhe vetëm në vjeshtë arritën të bëjnë hapjen zyrtare me shfaqjen e parë – një suitë nga “Coppélia”. Më pas erdhi “Vajza e ruajtur keq” – versioni kuban i vënë në skenë nga Laura Alonso së bashku me “Majísimo”, më tej një suitë nga “Liqeni i mjellmave”.

Rumen Rashev është krenar për shfaqjen e plotë të “Arrëthyesit”, e realizuar së bashku me dy trupat e tjera të Salvadorit – baletin folklorik dhe trupën moderne. Përveç kësaj planet e tij janë ambicioze. Ndër to është edhe “Carmen” e Alberto Alonso – një version virtuoz për të cilin në Salvador është ftuar mbesa e Alberto-s – Laura Alonso.

“Varet se ku ndodhemi. Sepse ndonjëherë nuk e pranojnë. E kam këtë problem në Amerikën Latine – atje ka ndikim shumë të fortë kuban. Në Amerikën Qendrore ka gjithashtu ndikim të madh nga Baleti Mbretëror Anglez. Kështu që Vaganova… më konsiderojnë si… shumë kërkues. Është shkolla më kërkuese, më e pastër, më e mrekullueshme! Ishte një fat i madh që bashkë me Silvian na dërguan të studionim atje! Nuk ka më të mirë dhe e them këtë sepse kam udhëtuar kudo, e njoh thuajse të gjithë botën e baletit – nuk ka gjë më të mirë se ajo që është në ‘Vaganova’. Është shkolla e vetme që ka baza të qëndrueshme shkencore. Vazhdoj të pohoj – baleti është një art madhështor, por ai bazohet në shkencë. Kjo është fizika, matematika dhe anatomia. E vetmja që ka këtë bazë shkencore është ‘Vaganova’, dhe që aty fillon zhvillimi i madh shpirtëror si art. Por duhet të ketë mbi çfarë të zhvillohet arti.”

Foto: Opera Shtetërore e Stara Zagorës, Facebook /  Gabriela de Bukele, Facebook /Rumen Rashev
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Sofja si një galeri e ndritshme nën yje – spektakli i dritave LUNAR 2025

Festivali i dritave LUNAR po kthehet në Sofje për edicionin e tij të katërt, duke e shndërruar kryeqytetin në një galeri të jashtëzakonshme nën qiell të hapur. Çdo mbrëmje mes 8 dhe 11 majit publiku do të zhytet falas në botën e dritave përmes..

botuar më 25-05-08 7.00.PD

130 filma të animuar nga 100 vende do të konkurrojnë për çmimin “Kukeri i Artë”

Festivali i 16-të Ndërkombëtar i Filmit të Animuar "Kukeri i Artë" do të mbahet në Sofje nga 7 deri më 11 maj, njoftuan organizatorët. Dhjetë çmime do të ndahen në dhjetë kategori të ndryshme. Po mbahet edhe një konkurs kombëtar për filmin më të mirë..

botuar më 25-05-07 5.05.PD
Deisis (Lutje), 1557, Manastiri Baçkovski

Një botim i ri prezanton thesare nga Muzeu Kombëtar i Historisë dhe Arkeologjisë Kishtare në Sofje

Libri "Ikona nga Muzeu Kombëtar i Historisë dhe Arkeologjisë Kishtare" - një vepër madhështore me mbi 500 faqe, me më shumë se 700 fotografi të botuara dhe artikuj shkencorë shoqërues, u prezantua zyrtarisht kohët e fundit. Edicioni unik..

botuar më 25-05-05 6.55.PD