Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Rumen Rashev – bullgari në krye të Baletit Kombëtar të El Salvadorit

“Baleti është një art madhështor, i bazuar në shkencë”

Rumen Rashev
Foto: Opera Shtetërore e Stara Zagorës

Rumen Rashev është një nga solistët më të shquar të baletit bullgar në fund të viteve ’70 dhe gjatë viteve ’80 të shekullit të kaluar. Ai hyn në botën e artit rastësisht, por me bekimin e emrit të njohur Nedellço Izov – drejtor i Shkollës Shtetërore të Koreografisë. Rumeni zgjidhet, së bashku me dy vajza jashtëzakonisht të talentuara (Sillvija Tomova dhe Milena Simeonova), për të vazhduar studimet në akademinë prestigjioze “A. Ya. Vaganova” në Shën Petersburg – shkolla më e vjetër e baletit në Rusi, e themeluar që në vitin 1738. Pedagogët në “Vaganova” janë specialistët më të mirë në botë jo vetëm në fushën e baletit, por edhe në aktrim, histori e muzikës, teatri dhe vallëzimi. Pasi diplomohet, Rashev kthehet në Bullgari dhe fillon punë në Operën e Plovdivit. Në vitin 1981, koreografja Margarita Arnaudova e fton në trupën prestigjioze bullgare të vallëzimit modern “Arabesk”, dhe një vit më vonë emërohet edhe në Operën e Sofjes. Për afro një dekadë, Rumen Rashev është solist kryesor në Baletin Kombëtar. Ai interpreton në “Arabesk” edhe jep mësim në Shkollën e Koreografisë. Në janar të vitit 1990 merr një ftesë zyrtare për të punuar në Venezuelë. Kur e pyesin pse një artist i afirmuar me sukses të jashtëzakonshëm largohet nga Bullgaria në fillim të tranzicionit, Rumen Rashev përgjigjet:
Rumen Rashev
“Jo, jo, nuk ishte keq këtu, thjesht më ftuan në Venezuela për një vit dhe bashkëshortja më propozoi ‘ta ndryshojmë pak atmosferën’... U duk sikur do të ishte vetëm për një vit, por ja që tani kanë kaluar 34.”
Gabriela de Bukele me Nayib Bukele
Edhe sot shtëpia e tij është në Venezuelë. Në Salvador punon për herë të parë në vitin 2013. “Aty ekziston një fondacion privat – shpjegon Rashev – i cili ka një kompani baleti. Në të kërcente Zonja e Parë – Gabriela de Bukele. Kur burri i saj u bë president, kishte plotësisht të drejtë ta shpallte atë kompani si balet kombëtar. Më ftuan si drejtor. Duhej të nisnim nga zeroja dhe më 1 tetor 2019 u hodh zyrtarisht themeli i Baletit Kombëtar pranë Ministrisë së Kulturës.”

Aktualisht në trupë kërcejnë 21 artistë, dhe ekziston edhe një program bursash. Për momentin, bullgari Rumen Rashev është koreografi i vetëm, por që nuk vë në skenë shfaqje:

"Unë nuk vë në skenë dhe mendoj se nuk duhet, sepse është balet kombëtar. Për dy vite arritëm, me ndihmën e Ministrisë dhe të Presidencës, të ftojmë gjashtë koreografë të ndryshëm – nga Kuba, Meksika, Peruja, Gjermania... Që balerinët të mund të kishin kontakt me koreografë të moshave të ndryshme, me stile të ndryshme, nga vende të ndryshme – kjo pasuron baletin, pasuron artistët dhe repertorin. Ky është qëllimi im."

Rashev udhëton shumë nëpër Amerikën Latine. Ka dhënë mësim në Brazil dhe organizon kurse verore pothuajse çdo vit atje. Ndan përshtypje nga Peruja dhe Meksika, ku ka grupe të mira vallëzimi. Ndërsa në Amerikën Qendrore është i njohur Baleti Kombëtar i Panamasë, i cili së fundmi ka festuar 50-vjetorin e tij.

"Por që të ketë një trupë të mirë, nevojitet ndihmë shtetërore. Shumica e kompanive në Amerikë dhe ato të reja në Evropë janë private dhe është shumë e vështirë të gjesh sponsorë dhe fonde, sepse arti është i shtrenjtë."

Shfaqja e parë e trupës së re të Salvadorit ishte “Coppélia”. U desh të prisnin një vit, sepse filluan punën në vitin 2019, por në fillim të vitit 2020 erdhi pandemia dhe vetëm në vjeshtë arritën të bëjnë hapjen zyrtare me shfaqjen e parë – një suitë nga “Coppélia”. Më pas erdhi “Vajza e ruajtur keq” – versioni kuban i vënë në skenë nga Laura Alonso së bashku me “Majísimo”, më tej një suitë nga “Liqeni i mjellmave”.

Rumen Rashev është krenar për shfaqjen e plotë të “Arrëthyesit”, e realizuar së bashku me dy trupat e tjera të Salvadorit – baletin folklorik dhe trupën moderne. Përveç kësaj planet e tij janë ambicioze. Ndër to është edhe “Carmen” e Alberto Alonso – një version virtuoz për të cilin në Salvador është ftuar mbesa e Alberto-s – Laura Alonso.

“Varet se ku ndodhemi. Sepse ndonjëherë nuk e pranojnë. E kam këtë problem në Amerikën Latine – atje ka ndikim shumë të fortë kuban. Në Amerikën Qendrore ka gjithashtu ndikim të madh nga Baleti Mbretëror Anglez. Kështu që Vaganova… më konsiderojnë si… shumë kërkues. Është shkolla më kërkuese, më e pastër, më e mrekullueshme! Ishte një fat i madh që bashkë me Silvian na dërguan të studionim atje! Nuk ka më të mirë dhe e them këtë sepse kam udhëtuar kudo, e njoh thuajse të gjithë botën e baletit – nuk ka gjë më të mirë se ajo që është në ‘Vaganova’. Është shkolla e vetme që ka baza të qëndrueshme shkencore. Vazhdoj të pohoj – baleti është një art madhështor, por ai bazohet në shkencë. Kjo është fizika, matematika dhe anatomia. E vetmja që ka këtë bazë shkencore është ‘Vaganova’, dhe që aty fillon zhvillimi i madh shpirtëror si art. Por duhet të ketë mbi çfarë të zhvillohet arti.”

Foto: Opera Shtetërore e Stara Zagorës, Facebook /  Gabriela de Bukele, Facebook /Rumen Rashev
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Për herë të 32-të, Bosilegradi bëhet kryeqyteti ballkanik i gëzimit të fëmijëve për Pashkë

Për herë të 32-të, Festivali i Fëmijëve për Pashkë do të bashkojë fëmijë bullgarë nga vende të ndryshme në qytetin serb të Bosilegradit, në mënyrë që ata jo vetëm të tregojnë mjeshtërinë e tyre në përgatitjen e vezëve më të bukura dhe origjinale të..

botuar më 25-04-15 3.15.MD

E folura e bullgarëve në Shqipëri ende ruan pasurinë e të folurës popullore bullgare

Përdorimi i formave të respektit që tregojnë fillimin, zhvillimin dhe përfundimin e komunikimit tek bullgarët e Shqipërisë janë objekt analize në punën e Dr. Miranda Bello, lektore e gjuhës bullgare në Universitetin e Tiranës.  Ajo e mblodhi..

botuar më 25-04-06 10.05.PD
Regjisori Robert Budina

Regjisori shqiptar Robert Budina: Shikuesit duhet të shohin thellë

Vitet e fundit është forcuar bashkëpunimi mes kinemasë bullgare dhe asaj shqiptare. Prodhimet shqiptare gjithnjë e më shumë po gjejnë vend në festivalet bullgare dhe anasjelltas. Kjo tregon ndërveprimin artistik në rritje mes dy vendeve tona, i cili..

botuar më 25-03-31 4.15.MD