Sezoni turistik po fiton vrull. Ai u hap zyrtarisht më 31 maj në Pomorie nga Ministri i Turizmit Mirosllav Borshosh, por duke pasur parasysh temperaturat e larta të ditëve të fundit, fluksi i turistëve është bërë më i dukshëm, thonë përfaqësuesit e industrisë së turizmit.
Megjithatë, ku e drejton interesin bullgari kur zgjedh një destinacion për pushimet e tij verore – në vendpushimet e tij të lindjes apo jashtë vendit?
"Bullgarët udhëtojnë si në Bullgari, ashtu edhe jashtë vendit. Duke folur për numrin e përgjithshëm të udhëtimeve, në Bullgari ato janë më shumë për shkak të faktit se bullgarët udhëtojnë më shpesh brenda vendit, dhe në këto udhëtime nuk përfshijmë vetëm ato me qëllim pushimesh, për shembull, vizita në hotele, por edhe vizita te të afërmit dhe miqtë - shpjegon Konstantin Zankov, ekspert kryesor në Institutin për Analizë dhe Vlerësim në Turizëm. - Në përgjithësi, presim një rritje të udhëtimeve si në Bullgari, ashtu edhe jashtë vendit këtë vit. Për sezonin aktiv të verës, periudhën qershor-gusht, udhëtimet e bullgarëve në vend do të jenë rreth 3.2 milionë. Është e rëndësishme të theksohet se gati 2 milionë do të jenë të ashtuquajturit turistë unikë. Domethënë, shumë njerëz udhëtojnë 2-3 herë gjatë kësaj periudhe, me mbi 35% për pushime në bregdet dhe verore. Disa të tjerë kombinojnë udhëtime për ngjarje, me qëllim vizita te të afërmit dhe miqtë, si dhe forma të tjera turizmi. Në verë, qëndrimi mesatar është pak më i gjatë – midis 3 dhe 5 netëve.”
Në vitin 2024, bullgarët kanë bërë 8.8 milionë udhëtime jashtë vendit, që është një rritje prej gati 8% krahasuar me vitin e kaluar. Konstantin Zankov parashikon se gjatë muajve të verës do të realizohen gati 1.5 milionë udhëtime jashtë vendit, në të cilat qëndrimi rritet në 5-7 net. Bullgarëve u pëlqen të larmojnë pushimet e tyre duke kombinuar trajtimet SPA, ajrin e pastër malor dhe disa ditë pranë detit.
Dhe cilat destinacione janë më të përhapurat – ato bullgare, apo ato të huaja?
"Bullgaria ka shumë vendpushime të larmishme dhe mund të themi se ofron vende turistike për çdo lloj turisti. Për shembull, shikoni rajonin e Primorskos, ku udhëtojnë kryesisht familjet me fëmijë. Pastaj shkojmë në jug - në drejtim të Lozenecit, i cili vizitohet kryesisht nga të rinjtë me fokus në jetën e natës. Sozopoll, nga ana tjetër, është i lidhur me turizmin kulturor dhe arsimor. Duke shkuar në Arapja dhe vendet e kampingut, kemi një audiencë krejtësisht të ndryshme. Duke folur për destinacionet kryesore, një prej tyre është sigurisht Bregu Jugor i Detit të Zi - Sozopoll, Primorsko, Sllënçev Brjag, Ravda, Nesebër. Në Bregun Verior të Detit të Zi, preferohen komplekse të tilla si Allbena, Zllatni Pjasëci, Sllënçev Den, Shën Kostantini dhe Elena."
Tashmë ekziston një tendencë drejt rritjes së interesit për Bregun Verior të Detit të Zi, ku njerëzit kërkojnë qetësi në kontrast me jetën më të trazuar që mbizotëron në jug përgjatë bregdetit tonë.
Nga destinacionet e huaja, vendet më të preferuara nga turistët bullgarë janë Greqia dhe Turqia.
"Greqia është destinacioni numër një për sa i përket qëndrimeve me net nga qytetarët bullgarë në periudhën e verës. Atje, kemi "ngopje" kryesisht në pjesën veriore të vendit, ku lloji kryesor i akomodimit janë hotelet familjare, apartamentet. Në të kundërt, në Turqi, ka kryesisht paketa gjithëpërfshirëse, kryesisht për familjet me fëmijë. Vende të njohura pushimesh në Evropë janë gjithashtu Spanja dhe Italia, ku ka shumë paketa tërheqëse, fluturime çarter. Një destinacion që po bëhet gjithnjë e më i përhapur me paketa shumë tërheqëse është Tunizia."
Është në rritje trendi i udhëtimeve drejt destinacioneve më të largëta dhe ekzotike, si dhe i udhëtimeve me anije, theksoi gjithashtu eksperti, duke e shpjeguar këtë me kuriozitetin e turistit bullgar.
Parashikimet optimiste të analistit duket se bien ndesh me vëzhgimet e një hotelieri nga bregdeti ynë jugor, me të cilën biseduam:
"Unë quhem Ivo Cvetanov, pronar i një hoteli të vogël familjar me restorant në Pomorie, pikërisht në breg të detit, afër qendrës, ndoshta një nga vendet më të mira në Pomorie. Krahasuar me vitet e kaluara 2023 dhe 2024, të paktën për momentin, ky vit duket të jetë më i dobët, por jemi ende në fillim të sezonit. Bullgarët bëjnë rezervime në minutën e fundit, dhe ata janë turistët kryesorë, dhe është pak e vështirë të parashikohet nëse viti do të jetë më i fortë apo më i dobët."
Hotelieri mbështetet kryesisht te bashkatdhetarët si klientë, por thotë se pas hyrjes sonë në Shengen, gjithnjë e më shumë bullgarë po zgjedhin destinacione si Greqia Veriore për pushimet e tyre.
Sipas Ivo Cvetanov, Bullgaria nuk është inferiore ndaj Greqisë për sa i përket raportit çmim-cilësi në turizëm, por kemi mungesë të personelit të trajnuar mjaftueshëm, pasi sezoni ynë është shumë më i shkurtër se ai i fqinjëve tanë jugorë, dhe punëtorët kërkojnë marrëdhënie afatgjata. Kjo i detyron hotelierët të punësojnë punonjës më pak të trajnuar, të cilët jo gjithmonë arrijnë të përmbushin pritjet e turistëve për sa i përket shërbimit. Ai vetë punëson kryesisht nxënës dhe pensionistë.
Ku preferojnë të shkojnë bashkatdhetarët tanë në vapën e verës? - ja çfarë tregoi anketa jonë e shkurtër:
"Unë preferoj Bullgarinë. Bregu ynë i Detit të Zi është i mirë. Pak i ftohtë, por është në rregull", tregon Valentina.
Elica 32-vjeçare është gjithashtu një fanse e bregdetit tonë:
"Në Bullgari - Sozopoll me siguri. Dhe jashtë vendit - Italia, Spanja. Por unë e lidh udhëtimin jashtë vendit më shumë me vizitat turistike, shëtitjet. Për pushime e preferoj Bullgarinë."
Vasili është një i ri që ka kaluar gati një dekadë jashtë shtetit, por është kthyer në Bullgari, ku zhvillon biznesin e tij dhe preferon të pushojë në atdhe:
"Së pari, është më afër, së dyti, është më lirë, së treti, është më freskët se destinacionet si Greqia, Turqia, Egjipti, Tunizia, etj. Gjithashtu, uji nuk është aq i kripur sa në Greqi dhe Turqi. Dhe në fund të fundit, është shtëpia jonë."
Megjithatë, jo të gjithë janë me humor patriotik kur bëhet fjalë për pushimet e tyre verore.
Unë zgjedh jashtë vendit, konkretisht Greqinë, sepse nuk më pëlqen bregdeti ynë i Detit të Zi", thotë Dr. Rajkov, një mjek në një prej spitaleve të mëdha në kryeqytet. "Nuk më pëlqen kuzhina, nuk më pëlqen shërbimi. Është më lirë në Greqi, qëndrimi ndaj turistëve atje është i pakrahasueshëm, më pëlqen deti i bukur."
Tunizia është destinacioni i preferuar i Desisllavës:
"Unë preferoj jashtë vendit. Pjesërisht çmimi më tërheq, pjesërisht fakti që deti është më i ngrohtë, sepse po flas për destinacione më në jug. Gjëja tjetër është se hotelet me 4 yje në Bullgari nuk ofrojnë asnjë argëtim natën."
Pavarësisht nëse e duam atdheun tonë apo zgjedhim destinacione më ekzotike, mund të vërehet një tendencë e përbashkët: bullgarët kanë ndryshuar mënyrën e tyre të pushimeve vitet e fundit. "Trendi është të pushojmë shpesh, por për periudha më të shkurtra", përmbledh eksperti i turizmit Konstantin Zankov.
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Foto: BGNES, kzankov.com, ANA-МPA, Pixabay, hotelparadisebg.com, visitgreece.gr, visit-halkidiki.gr, pomorietourism.bg
Një atraksion i ri në Burgas (Bullgaria Juglindore) hap dyert e tij në fillim të sezonit të verës. Ky është një park litari me një strukturë në shkallë të gjerë, i cili tashmë po ndërtohet në parkun "Ezero" ("Liqeni”), pranë qendrës së hipizmit dhe..
Sakar, një nga malet më misterioze dhe pak të njohura në vendin tonë, po bëhet ngadalë por me siguri një destinacion i ri për turizëm të qëndrueshëm. Rajoni, i vendosur midis Rodopeve Lindore dhe Stranxhës, ishte larg flukseve turistike për..
Vendpushimi Pamporovo në Rodopet premton emocione dhe aventura të paharrueshme gjatë muajve të ngrohtë. Sezoni i ri hapet më 20 qershor. Edhe këtë verë, adhuruesit e pushimit aktiv do të rrisin adrenalinën e tyre në Parkun Aventuror..
Resorti më i vjetër dimëror në vend – “Borovec” , do të hapë sezonin veror më 28 qershor, njofton BTA. Nga kjo datë do të funksionojë edhe teleferiku, i..