Kur vizitoi Ballçikun në vitin 1921, Mbretëresha rumune Maria u mahnit nga bukuria e zonës dhe shpejt vendosi të kthehej dhe të qëndronte. Në vitin 1924, filloi ndërtimi i një kompleksi pallatesh për mbretëreshën. Projekti ishte nga arkitektë italianë dhe ndoqi kërkesën e Marias - që ndërtesa të mos shkelte madhështinë e bregdetit piktoresk, i cili e kishte magjepsur atë në shikim të parë.
Së pari, u ndërtua rezidenca e mbretëreshës, dhe deri në vitin 1936, u ndërtuan gjithashtu një faltore ortodokse, disa vila, një shtëpi tradicionale bullgare e Rilindjes, oborre në stilin maur dhe shatërvanë me imazhe të personazheve mitologjike. Kompleksi i pallatit kombinon elementë arkitekturorë në stile të ndryshme – bullgare të vjetra, bizantine, gotike, maure, orientale, transilvane. Kopshtet e veçanta të Pallatit bartin gjithashtu gjurmët e kulturave dhe stileve të ndryshme.
Sot, kompleksi arkitektonik dhe i parkut në Ballçik është një vend që duhet ta vizitojnë të gjithë vizitorët e bregdetit vendas të Detit të Zi. Dhe nga 30 qershori deri më 3 korrik 2025, "Pallati" ofron gjithashtu një përvojë ekskluzive për dashamirësit e muzikës - Festivalin e parë të Muzikës së Dhomës në bregdetin verior të Detit të Zi me katër mbrëmje në atmosferën unike të kompleksit.
Violonçelisti i ri dhe jashtëzakonisht i talentuar nga Rumania Stefan Cazacu (laureat i konkurseve prestigjioze, i cili e ka vizituar vendin tonë më shumë se një herë) dhe pianistja e shquar bullgare Margarita Ilieva do të hapin programin e festivalit me "Romancë për violonçel dhe piano" më 30 qershor. Më 1 korrik, Kuarteti Bullgar i Harqeve Art&Shock String Quartet do të paraqesë një program që ndërthur motive etno me vepra klasike. Mbrëmja tjetër, do të na provokojë me një projekt ndërkombëtar që kombinon spontanitetin e xhazit me strukturën e muzikës klasike. Do të marrin pjesë flautistja Ketija Karahona, klarinetisti Michael Moore, klarinetisti bas Federico Calcagno dhe saksofonisti bullgar Hristo Goleminov (trashëgimtar i dy familjeve të famshme muzikore - Goleminov dhe Badev).
Nata e fundit e filmave më 3 korrik titullohet "Sherlock Jr." Kryevepra e filmit pa zë e vitit 1924, me regji nga Buster Keaton, merr jetë me muzikën e kompozitorit amerikan Stephen Prutsman, të interpretuar nga Ljubomir Denev-biri - piano dhe Kuarteti i Harqeve Art&Shock String Quartet.
Drejtoresha artistike e Festivalit të ri të Muzikës së Dhomës "Në Pallat" - Graziella Panajotova-Georgieva, fton të gjithë adhuruesit e muzikës klasike dhe xhazit në Ballçik, sepse nuk mund të imagjinojë një vend më të përshtatshëm për festime muzikore, me historinë e tij legjendare dhe atmosferën romantike.
Lexoni më tepër:
Përpiloi: Cvetana Tonçeva
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Foto: BTA, vdvoreca.com, facebook.com/dvoreca, pronewsdobrich.bg
"Një moment historik për Bullgaristikën në SHBA!" – me një postim me këtë titull, konsulli i përgjithshëm i Bullgarisë në Çikago, Svetosllav Stankov, njoftoi lajmin se më 20 tetor 2025, në Universitetin e Illinois-it në Urbana-Champaign, nis..
Filmi “Made in EU” me regji të Stefan Komandarev mori Çmimin e Madh për film artistik në edicionin e 43-të të Festivalit Bullgar të Filmit “Trëndafili i Artë” . Sipas jurisë, kjo është një vepër pa kompromis që, përveçse pasqyron frymën e..
Në pranverën e vitit 2025, Pallati Kombëtar i Kulturës (NDK) rifilloi festivalin e tij më të pasur me zhanre pas një ndërprerjeje 10-vjeçare. Për herë të parë në historinë e "Sallonit të Arteve", një edicion i dytë do të mbahet brenda të..