Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Vera në Bullgari është edhe sezoni i maturantëve

Atelietë e Akademisë së Arteve janë qendra të krijimtarisë dhe provimeve

Foto: mu-sofia.bg

Vera në Bullgari ofron emocione të nxehta jo vetëm për turistët. Muajt qershor dhe korrik lidhen me shumë emocione për të rinjtë që përfundojnë arsimin e mesëm dhe duhet të hedhin hapin e radhës në jetë – përzgjedhjen e një universiteti dhe të së ardhmes. Në vitet e fundit, pranimi në shumë prej degëve të universiteteve bullgare bëhet me dokumente, por ka edhe degë për të cilat zhvillohen provime pranimi. Të tilla janë fushat “mjekësi”, “mjekësi dentare” , “farmaci” etj., si dhe degët krijuese në Akademinë e Muzikës dhe të Arteve.



Universiteti më i vjetër i arteve në vendin tonë ofron degë krijuese premtuese, të cilat nxisin kreativitetin dhe ndihmojnë artistin të zbatojë në praktikë teknologjitë e së ardhmes. Që në fillim të korrikut, maturantët mbushin atelietë për të konkurruar me provime pranimi për programet bachelor të Akademisë së Arteve. 



Ndër degët e afirmuara, me të cilat krenohen pasardhësit e Shkollës Shtetërore të Vizatimit të Bullgarisë Mbretërore, janë piktura, grafika, skulptura, restaurimi, dizajni industrial, shkenca e artit. Tashmë vëmendja e të rinjve është e përqendruar edhe në degë shumë moderne si skenografia digjitale dhe animacioni, fotografia, komunikimi vizual dhe artet digjitale.

Ka edhe programe të reja master, me të cilat Akademia i përgjigjet nevojave shoqërore – “dizajn për persona me aftësi të kufizuara”, po ashtu edhe “interier dhe eksterier për ambientet e fëmijëve”. Pas përfundimit të një diplome bachelor, studentët e Akademisë mund të zgjedhin edhe degën “art terapi”, një program master shumë i dobishëm dhe i kërkuar.



Që me themelimin e saj, Akademia jo vetëm që ka forcuar statusin profesional të artistit bullgar, por ka luajtur edhe një rol të rëndësishëm në jetën kulturore të Bullgarisë. “Më shumë se një shekull arti pamor edukon shoqërinë tonë, i jep asaj mundësi për përjetime të larta shpirtërore, por gjithashtu e ngre imazhin e shtetit tonë para botës” – thotë Svilena Mateeva nga Drejtoria “Arsim dhe bashkëpunim ndërkombëtar” në Akademinë e Arteve:

“Akademia e ndien veten pjesë e botës, ajo pranohet shumë mirë në shkallë ndërkombëtare, aq më tepër që është institucioni i parë i arsimit të lartë në Bullgari që themelon edhe një qendër kërkimore jashtë vendit – dhe jo ku të jetë, por në Kinë. Ne e shpallëm marrëveshjen për këtë qendër që vitin e kaluar, dhe këtë vit akademik pritet hapja zyrtare. Me një qendër të tillë kërkimore, i japim mundësi Akademisë partnere me status kombëtar në Kinë të themelojë një qendër të ngjashme edhe tek ne. Ky bashkëpunim është interesant dhe shumë premtues. 



Gjëja tjetër me të cilën mund të krenohet Akademia është mundësia për të realizuar rezidenca krijuese jashtë vendit – duke filluar nga atelietë që kemi në Paris, duke vazhduar me një hapësirë të mrekullueshme krijuese në Toskanë (Itali), gjithashtu kemi atelie të tilla në Berlin dhe në Salzburg. Kemi arritur marrëveshje edhe për një atelier shumë interesant në Singapor me tematikë të caktuar. Këto atelie ofrojnë mundësi që studentët dhe ekipet pedagogjike të qëndrojnë në qytete interesante me kulturë të pasur, gjë që pasuron arsimin. Kjo është edhe arsyeja për vetëbesimin tonë që jemi një institucion botëror.”

Atmosfera gjatë gjithë vitit është artistike dhe krijuese, shton Svilena Mateeva. Dhe kjo është kështu, sepse edhe në këtë periudhë të ngarkuar me provime pranimi, vazhdimisht hapen ekspozita të studentëve që përfundojnë studimet nga degë të ndryshme. Projekte të diplomantëve mund të shihen në 14 galeri në territorin e Sofjes, Bankjas dhe Burgasit, ku Akademia ka filialin e saj dhe pranime në degë të caktuara. Janë gjithsej 22 ekspozita, të krijuara nga punime diplome të 200 studentëve nga programe dhe degë të ndryshme të Akademisë Kombëtare të Arteve.



Ekspozitat e “Gjeneratës 2025” nuk janë thjesht një varg ekspozitash, por një ngjarje kulturore në përmasa të mëdha që hedh dritë mbi kërkimet dhe arritjet e brezit të ri të artistëve bullgarë. Iniciativa ka zanafillën në vitet e para të Shkollës Shtetërore të Vizatimit, dhe sot ajo inkurajon bashkëpunimin mes institucioneve kulturore dhe komuniteteve akademike – kujtojnë pedagogët nga Akademia Kombëtare e Arteve. Ndër ta është prof. Zdravka Vasileva, pedagoge në katedrën e “Pikturës” dhe drejtore e Qendrës së Karrierës në Akademi.

Prof. Zdravka Vasileva

“Gjëja e bukur për të cilën mund të urohemi dhe të krenohemi këtë vit është se kemi tërhequr shumë hapësira të reja ku studentët tanë të diplomuar mund të realizojnë ekspozitat e tyre dhe të paraqesin projektet e tyre. Për disa prej tyre këto janë paraqitje debutuese dhe janë jashtëzakonisht të rëndësishme për fillimin e suksesshëm të karrierës së tyre krijuese. Por përmes ekspozitave të studentëve të diplomuar pasqyrohet edhe gjendja aktuale e Akademisë Kombëtare të Arteve me gjithë shumëllojshmërinë e saj të degëve dhe programeve master, shihen qasje bashkëkohore aktuale në çdo drejtim.

 
Akademia e Arteve është një vend i preferuar për kualifikime dhe komunikim krijues, prandaj edhe aktualisht shqyrtohen aplikime nga studentë të huaj që duan të studiojnë në vendin tonë nëpërmjet shkëmbimit akademik sipas programit “Erasmus”.


“Si përfaqësuese e degës ‘pikturë’, mund të them se çdo vit kemi të paktën nga 4 – 5 studentë të huaj nga Spanja, Austria, Çekia. Pas një semestri në Akademi, zakonisht studentët duan të zgjasin qëndrimin e tyre, por gjithashtu shprehin dëshirën për të vazhduar në një program master në Akademinë Kombëtare të Arteve” – thekson në përfundim prof. Zdravka Vasileva.

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski

Foto: mu-sofia.bg, Svetosllav Tomov, nha.bg, facebook.com/nha.bg, facebook.com/nhaburgas, chernomorie-bg.com



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Kryeministri Rosen Zheljazkov

Mbrojtja e të drejtave të bullgarëve në regjion është një përparësi për politikën e jashtme bullgare

Demokracia, sundimi i ligjit dhe respektimi i të drejtave të njeriut janë themelet e diplomacisë bullgare. Ajo shpesh vepron në një spektër më të padukshëm të jetës socio-politike dhe në historinë e saj të gjatë ka qëndrueshmëri dhe vazhdimësi. Kjo u..

botuar më 25-07-23 9.06.PD

Ndërtesat ikonike në Gabrovo po transformohen në qendra për inovacion dhe sipërmarrje

Bashkia e Gabrovos ka marrë fonde prej gati 17 milionë levash për zhvillimin e një "lugine inovacioni". Projekti parashikon transformimin e ish-shkollës “Radion Umnikov” në një qendër për aftësi dixhitale dhe inovacion, si dhe ndërtimin e një zone..

botuar më 25-07-20 6.50.PD

Shkollat dhe grupet folklorike bullgare jashtë vendit mblidhen në Veliko Tërnovo

Në vitin 2005, Agjencia Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Shtetit nisi takimin e parë të shkollave bullgare jashtë vendit – një ngjarje që u përsërit një vit më vonë, dhe në vitin 2007 u hodh hapi tjetër i madh: themelimi i Shoqatës së Shkollave Bullgare..

botuar më 25-07-18 8.00.PD