Të krijosh dhe të shprehësh veten në gjuhën amtare është misioni kryesor i shoqatës "Alternativa Kulturore Caribrod". Faktin që letërsia, arti dhe kultura mund të jenë ura mes kulturave,e dëshmon revista me të njëjtin emër, që botohet nga kjo organizatë në Serbi në gjuhën bullgare. Në "Alternativën Kulturore" gjejnë vend tekste të autorëve nga pakica kombëtare bullgare në fqinjin tonë perëndimor, vepra të autorëve bashkëkohorë nga Bullgaria si edhe poetë e shkrimtarë serbë të përkthyer në gjuhën bullgare.
Për misionin dhe rëndësinë e shprehjes në gjuhën amtare dhe krijimin e lidhjeve mes kulturave, për Radio Bullgaria flet kryetarja e "Alternativës Kulturore Caribrod", Iva Simeonov. Ajo është juriste me arsimim, por letërsia është pasioni i saj dhe krijon si në gjuhën bullgare, ashtu edhe në atë serbe. Na tregon se shoqata u regjistrua në vitin 2024 me synimin për t’u qenë në dobi bullgarëve në Serbi, por edhe për të ndërtuar ura mes kulturave të dy popujve të afërt, të cilëve fati u ka caktuar të jetojnë nën një qiell të përbashkët.
Një motiv i rëndësishëm për krijimin e kësaj shoqate është ruajtja e identitetit bullgar, shtylla kryesore e të cilit është gjuha. Dhe për këtë qëllim është e domosdoshme një platformë që t’u japë autorëve mundësinë të botojnë dhe të publikojnë veprat e tyre në gjuhën amtare, si dhe të mbështesë shkëmbimin e letërsisë së përkthyer midis Bullgarisë dhe Serbisë, thotë Iva Simeonov për Radio Bullgarinë. Dhe më shumë:
“Aktualisht, shumica e autorëve nga pakica shkruajnë në gjuhën serbe; më të paktë janë ata që krijojnë në gjuhën bullgare. Por është e rëndësishme të themi se kjo nuk i bën të parët më pak bullgarë. Shpresoj që, tani pasi kanë këtë platformë – revistën tonë – numri i autorëve që shkruajnë edhe në gjuhën bullgare të rritet. Ajo që ka rëndësi tani është të luftojmë për ruajtjen e gjuhës, t’i njohim lexuesit tanë në Serbi me autorët bashkëkohorë bullgarë, me krijues nga fusha të ndryshme të artit. Po aq e rëndësishme është edhe që bullgarët në Bullgari të njihen me kulturën e bullgarëve në Serbi. Dhe ne nxisim këtë dialog të veçantë kulturor, duke lidhur letërsinë serbe dhe bullgare.”
Snezhana Simeonov është anëtare e shoqatës dhe prej shumë vitesh mësuese e gjuhës dhe letërsisë bullgare në Gjimnazin “Shenjtor Kirill dhe Metodij” në Caribrod. Ajo thotë se i njeh mirë programet mësimore, të cilat nuk janë përditësuar prej vitesh, gjë që ua privon brezave të rinj mundësinë për t’u njohur me tendencat bashkëkohore në letërsinë dhe gjuhën tonë. Pikërisht për këtë arsye, në revistën “Alternativa Kulturore” u krijuan rubrika të veçanta që prezantojnë edhe poetë e shkrimtarë bashkëkohorë bullgarë.
“Qysh prej kohësh flasim se duhet të ndërmarrim diçka për të përmirësuar gjërat - vazhdon Snezhana. - Grupuam një ekip prej mësuesish, përkthyesish, shkrimtarësh dhe artistësh vizualë. Aplikuam me projektin “Rrugët Kulturore” në Programin për Mbështetjen e Organizatave të Komuniteteve Bullgare Jashtë Vendit dhe, falë mbështetjes së konsullit të përgjithshëm në Nish, zotit Dimitër Canev, morëm financim nga Ministria e Punëve të Jashtme të Bullgarisë. Kështu mund të punojmë për kauzën e ruajtjes së identitetit tonë, për të cilën jemi mirënjohës.”
Gjuha bullgare hap dyer edhe në institucionet arsimore të shtetit amë. “Rritet interesimi i fëmijëve nga zonat kufitare, shumica prej të cilëve janë nga pakica bullgare, për të studiuar në Bullgari”, thotë Snezhana Simeonov, e cila vetë ka marrë pjesë në disa fushata për aplikime për universitet.
“Derisa në vitin 2020 rreth 90% e nxënësve në gjimnazin e Caribrodit regjistroheshin për të studiuar në Bullgari, tani ky përqindje mund të ketë arritur edhe në 98%. Interes për arsimin e lartë në Bullgari shfaqin edhe të rinj nga pjesët e brendshme të vendit. Këta janë bullgarët tanë që jetojnë në Beograd, Smederevo, Nish dhe vendbanime të tjera.”
Shteti bullgar po ashtu tregon interes për iniciativat e bashkëkombësve tanë në Krahinat Perëndimore (rajonet kufitare juglindore të Serbisë me popullsi bullgare – shën. red.). Pak kohë më parë, përfaqësues të shoqatës ishin në parlamentin bullgar, me ftesë të Komisionit për Politikat ndaj Bullgarëve Jashtë Vendit. Gjatë mbledhjes së komisionit u diskutua aktiviteti i “Alternativës Kulturore Caribrod”, si dhe perspektiva që shteti të angazhohet më aktivisht në financimin e iniciativave të ngjashme. Në mbledhje mori pjesë edhe drejtori i Drejtorisë për Evropën Juglindore në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Momçill Rajçevski, i cili deklaroi:
“E kemi vlerësuar rëndësinë e krijimit të një shoqate me këtë profil, sepse kultura dhe gjuha bullgare janë rruga më e mirë për ruajtjen e identitetit. Dhe jo vetëm për ruajtje, por edhe për ringjalljen e interesit dhe njohjes së fëmijëve nga pakica kombëtare bullgare me rrënjët e tyre.”
Stojan Tasllakov, kryetar i Komisionit për Politikat ndaj Bullgarëve Jashtë Vendit, shtoi:
“Ftuam përfaqësuesit e shoqatës “Iniciativa Kulturore Caribrod”, sepse mendoj se duhet të stimulojmë iniciativa të ngjashme të komuniteteve tona jashtë vendit. Sepse kultura bullgare jashtë kufijve po “dobësohet” pak, dhe shteti bullgar nuk po bën mjaftueshëm. Këtë mund ta bëjmë ne si komision në parlament, por pres një iniciativë më serioze nga pushteti ekzekutiv”, komentoi për Radio Bullgaria Stojan Tasllakov.
Lexoni më shumë për bullgarët në Serbi:
Tekst: Krasimir Martinov
Intervista: Ivan Gergov
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: Alternativa Kulturore Caribrod / Facebook, Ivan Gergov, BTA, BGNES
Filmi i ri i regjisorit Stefan Komandarev "Made in EU" është në përzgjedhjen zyrtare të Festivalit të Filmit në Venecia. Filmi është në seksionin "Spotlight", i cili përfshin një përzgjedhje prej 8 veprash nga zhanre të ndryshme, me theks në..
Leksionet në gjuhën bullgare, por edhe seminaret për përkthim, biseda mbi tendencat e reja në letërsinë dhe kulturën bashkëkohore bullgare, traditat, folklori, takime me kinemanë bullgare të sotme… të gjitha këto janë pjesë e programit të edicionit të..
“Në vendet e largëta, ku japin mësim, mësuesit bullgarë krijojnë Bullgarinë.” Shkrimtarja Zdravka Evtimova, autore e këtyre fjalëve, në fund të korrikut do të jetë mysafire speciale e konferencës vjetore të Shoqatës së Shkollave Bullgare jashtë..
Filmi i ri i regjisorit Stefan Komandarev "Made in EU" është në përzgjedhjen zyrtare të Festivalit të Filmit në Venecia. Filmi është në seksionin..