Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Sektori i naftës paralajmëron: Për shkak të një direktive të BE-së na pret një rritje e madhe e çmimeve të karburanteve

Foto: BGNES

Pas suksesit të diskutueshëm të “Marrëveshjes së Gjelbër” dhe kuotave për emetimet e karbonit, që e bënë energjinë elektrike në Evropë disa herë më të shtrenjtë se tek konkurrentët e saj ekonomikë kryesorë – SHBA-të dhe Kina – Komisioni Evropian po përgatit politika të reja të gjelbra që kanë të bëjnë me karburantet.

Çfarë është çështja:Komisioni Evropian parashikon që nga fillimi i vitit 2027 të përfshijë sektorin e transportit dhe ndërtesave në skemën e "tregtimit të kuotave të emetimeve". Kjo do të thotë se përdoruesit fundorë në praktikë do të paguajnë kuota karboni për faktin që furnizohen me karburant në pikat e shitjes, pasi këto kuota do të përfshihen në çmimin përfundimtar të stacionit të benzinës. Çmimi pritet të rritet gradualisht – fillimisht me rreth 8.4% në vitin 2027, dhe me kalimin e kohës do të vazhdojë të rritet. Sipas përllogaritjeve të përafërta, çmimi për litër karburant – që gjithsesi varet edhe nga faktorë të tjerë të tregut – mund të rritet me 30 deri në 50 qindarka për litër.Duhet theksuar se këto masa ende nuk janë miratuar zyrtarisht në nivel evropian, por po diskutohen në mënyrë aktive. Ato janë përcjellë nga Brukseli drejt qeverisë në Sofje si pjesë e Projektit të Planit Social për Klimën në Bullgari, i cili ende pritet të kalojë në konsultim publik.

Masa ka edhe një sërë aspektesh të tjera, si për shembull: dhënien e vauçerëve për karburant për familjet në nevojë, mbështetje për izolimin termik të banesave, zëvendësimin e sobave të vjetra me dru, si dhe mbulimin e abonimeve për transportin urban për disa grupe sociale.

Megjithatë, fokusi kryesor mbetet te sektori i karburanteve, një nga shtyllat më të rëndësishme të ekonomisë. Si do të ndikojë mbi të gjithë ne politika e radhës e gjelbër nga Brukseli? E pyetëm kryetarin e Shoqatës Bullgare të Naftës dhe Gazit, Svetosllav Bençev.

Svetosllav Bençev

"Para dy vitesh u miratua direktiva që vendos këtë skemë. Rritje çmimesh do të ketë – dhe ajo do të jetë e menjëhershme dhe administrative. Ajo do të jetë në intervalin prej 30 deri në 50 qindarka për litër, në varësi të produktit. Kjo vjen si pasojë e faktit se Komisioni Evropian po zhvillon, sipas mendimit tim, një luftë mjaft të pakuptimtë kundër karburanteve fosile. Bullgaria është një vend shumë i lidhur me karburantet fosile – e dini vetë, flota jonë e makinave është ndër më të vjetrat në BE – pra, kjo do të na godasë rëndë."

Përfaqësuesi i Shoqatës Bullgare të Naftës dhe Gazit shpreson se Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian do të tregojnë arsyetim të shëndoshë – diçka për të cilën, sipas tij, ka tashmë sinjale pozitive.

"Megjithatë, shpresoj që do të organizohet një kundërshtim edhe në nivel evropian, sepse ka shumë shtete të Evropës Lindore që janë kundër kësaj skeme. A do të arrijnë të realizojnë diçka – do ta shohim në muajt në vijim. Kam dëgjuar se në Bruksel po mendohet për njëfarë vonese apo shtyrjeje të kësaj skeme" - theksoi Bençev.

Përveç faktit se do të rëndojë xhepat e çdo shoferi, masa mund të ketë pasoja edhe më serioze, konkretisht në nivelet e inflacionit:

"Kjo do të krijojë inflacion në ekonominë bullgare, por gjithashtu edhe në ekonominë evropiane. Por veçanërisht në Bullgari, sepse kur rriten çmimet e karburanteve, rriten absolutisht të gjitha çmimet për konsumatorët – sepse të gjitha mallrat transportohen me karburante fosile. Nuk e di nëse Komisioni Evropian e ka të qartë këtë gjë – do ta shohim në muajt e ardhshëm. Në Gjermani, për shembull, kjo nuk do të ndikojë në çmimet e karburanteve, sepse atje një skemë e tillë funksionon tashmë prej 2 vitesh; e ngjashme është edhe situata në vendet nordike. Ndërsa në vendet jugore të BE-së nuk ekzistojnë skema të tilla – dhe pikërisht aty ndikimi do të jetë më i madh. Këtu qëndron edhe rrënja e konfliktit mes Veriut dhe Jugut që po e shohim në Bashkimin Evropian", theksoi ai.


Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova

Foto:BGNES, toplivo.bg



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Petër Dillov

Efekti i drejtpërdrejtë i tarifave amerikane mbi eksportet bullgare do të arrijë në 468 milionë euro

Tarifat e vendosura nga administrata e Presidentit Donald Trump në SHBA mbi mallrat evropiane do të kenë një efekt të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë në eksportet bullgare. Efekti i drejtpërdrejtë i llogaritur nga Ministria e Ekonomisë dhe Industrisë..

botuar më 25-09-10 4.56.MD

Buxheti 2025 rezulton i parealizueshëm – arsyet dhe parashikimet

Buxheti shtetëror i Bullgarisë për vitin aktual 2025 "nuk mjafton". Kemi lëshuar dreqin nga shishja, shteti kurrë nuk ka shpenzuar kaq shumë – alarmojnë ekspertët financiarë. Deri në fund të vitit ka mbetur pak kohë, dhe pavarësisht përpjekjeve të mëdha..

botuar më 25-09-09 7.05.PD

Bullgaria renditet e dyta në BE për nga rritja ekonomike vjetore

Në tremujorin e dytë, ekonomia bullgare u zgjerua me 0.9% krahasuar me tremujorin e mëparshëm dhe me 3.4% krahasuar me vitin e kaluar, sipas të dhënave të Eurostat. Kështu, vendi ynë renditet i dyti midis anëtarëve të Bashkimit Evropian për nga rritja..

botuar më 25-09-06 5.47.MD